Rindizet sinjali analog për TV në Tiranë e Durrës, shtyhet 4 muaj dixhitalizimi
Ora 14:00 - Rikthehet sinjali analog për TV, AMA shtyn me 4 muaj dixhitalizimin
Rikthehet sinjali analog për televizionet në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Vendimi nga Autoriteti i Mediave Audiovizive për shtyrjen me 4 muaj të procesit të dixhitalizimit. Sinjali analog i TV rikthehet një ditë pasi u mbyll pas ankesave të shumta të qytetarëve të Tiranës dhe Durrësit. Vendimi u bë i ditur nga kreu i AMA-s Gentian Sala në një konferencë për mediat. Sala deklaroi se sinjali analog do të lëshohet deri më 15 janar 2019
Çfarë ndodhi dje (10 shtator)
Në orën 10:00 u fik sinjali analog i të gjitha mediave në Tiranë e Durrës dhe sistemet e trasmetimeve kaluan në atë dixhital.
Trasmetimi dixhital mund të shikohet vetëm përmes dekoderave DVB-T2 në televizorët e vjetër (nëse keni televizor të ri duhet të shikoni nëse keni të integruar DVB-T2) ose përmes platformave dixhitale ku trasmetimi i këtyre kanaleve është falas.
Fikja e sinjalit analog edhe pse pas disa muajsh njoftimi kapi të papërgatitur qytetarët e dy qarqeve më të mëdha të vendit. Mijëra qytetarë u dyndën nëpër dyqane për të blerë dekoderin DVB-T2 duke shkaktuar rradhë të shumta në pikat e shitjes. Në vetëm 24 orët e fundit pati 1 mijë ankesa nga qytetarë që nuk e kuptonin si funksiononte ose nuk ishin pajisur me dekodera.
Ora 14:20 (11 Shtator) - Kryeministri Rama: Nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e AMA-s për të shtyrë me katër muaj procesin e dixhitalizimit për Tiranën dhe Durrësin, pas problemeve që hasën qytetarët me dekoderat. Rama shprehet se zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri.
Ora 14:30 - Anëtari i AMA-s Zylyftar Bregu kundër Gentian Salës: "Keqadministroi procesin"
Rindezja e sinjalit analog të televizioneve për të paktën 4 muaj, një ditë pasi Tirana dhe Durrësi hynë në sistemin dixhital, për anëtarin e AMA-s, Zylyftar Bregun nuk ishte gjë tjetër veçse keqadministrimi i procesit, që solli reagimin legjitim të konsumatorëve. Ai bën përgjegjës kreun e AMA-s, Gentian Salën për gjithë situatën e krijuar.
PD i kishte kërkuar më herët gjatë ditës së sotme AMA-s shtyrjen e afatit për mbylljen e frekuencave analoge pas kaosit të shkaktuar në zonën e Tiranës e Durrësit pasi qytetarët pretenduan se nuk ishin njoftuar për kalimin në teknologji dixhitale pas datës 10 shtator.
Në kërkesën e Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi për AMA-n theksohej që afati të shtyhej deri në mundësimin e dekoderave për të gjitha familjet shqiptare. Kërkesa për shtyrjen e afatit është firmosur nga të gjithë deputetët e opozitës në Komisionin e Medias.
Çfarë do të ndodhë me personat që tashmë kanë blerë dekoderin DVB-T2
Qytetarët e Tiranës dhe Durrësit që kanë blerë dekoderin e ri DVB-T2 do të vazhdojnë të marrin sinjalin dixhital. Krahas kanaleve dixhitale për 4 muaj do të jenë aktive edhe frekuencat analoge të televizioneve deri në 15 janar 2019. Pas kësaj date vetëm personat e pajisur me dekodera DVB-T2, platforma dixhitale ose televizorë që e kanë të integruar DVB-T2 do të mund të shohin transmetimin dixhital të televizioneve.
Çfarë është DVB-T2
DVB-T2 është gjenerata e dytë e transmetimeve dixhitale video. Sistemi i hartuar për transmetimin e televizioneve tokësore. Ky sistem transmeton audio, video dhe informacione të tjera së bashku (bashkangjitur një kanali). Ky sistem ofron cilësi më të lartë në transmetimet HD për kanalet tokësore.
DVB-T2 është pasardhësi i DVB-T por shumë televizorë të blerë para 5 ose më shumë vitesh nuk e kanë të integruar këtë sistem, duke pasur vetëm versionin T në televizorin tuaj ju nuk mund të merrni pas 4 muajsh sinjalin dixhital, pas 15 janarit 2019 ju duhet të pajiseni me dekoderin DVB-T2 (si ai në foto), ose platforma dixhitale.
Report TV do të mund ta gjeni në kanalin 11 në kanalet dixhitale.
Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (11/09/2018)
Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (11/09/2018)