Arratisja e Gruevskit nga Maqedonia, Policia: Doli nga Shqipëria më 11 nëntor

Kjo faqe paraqet rrjedhjen kronologjike të ngjarjeve sipas informacioneve të konfirmuara më 15 Nëntor nga Policia e Shtetit. 

11 Nëntor 2018, Ora 19:11 -  Ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski del nga territori i Shqipërisë përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi. Ai ka dalë nga Shqipëria si pasagjer në makinën e ambasadës Hungareze në Tiranë me targë CD1013A. Në kohën e largimit përmes doganës shqiptare ai nuk ishte ende i shpallur në kërkim. Dyshohet se ish-kryeministri ka hyrë në Shqipëri pëmes pikës kufitare në Bllatë të Maqellarës.

12 Nëntor, ora 12:00 - Autoritetet maqedonase shpallin zyrtarisht në kërkim Nikola Gruevskin.  Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka lëshuar urdhër arrestin për ish-kryeministrin Gruevski, mbi të cilin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” të blinduar në vlerë rreth 600 mijë euro. 

12 Nëntor, ora 20:00 - Pas shpalljes në kërkim autoritetet maqedonase kanë marrë në pyetje truprojat e Gruevskit.  Sipas mediave vendase, ata shprehen se e kanë parë Gruevskin për herë të fundit mbrëmjen e të enjtes së 8 nëntorit.

 

"E lamë në shtëpi. Në momentin që ai del jashtë, na telefonon dhe ne vijmë dhe bëjmë detyrën tonë. Të premten, ai nuk na telefonoi fare, por kjo për ne nuk ishte ndonjë çudi pasi ai nuk dilte çdo ditë. Dhe që nga ajo ditë nuk e kemi parë më". - kanë thënë truprojat.

13 Nëntor, ora 16:00 –  Nikola Gruevski reagon përmes një postimi në Facebook ku bën të ditur se ndodhet në Hungari dhe ka kërkuar azil atje. Ish-kryeministri shkruan se ditët e fundit kishte marrë kërcënime të pafundme me jetë. Ai vijon: “Jam në Budapest tani dhe kërkova azil politik nga autoritetet hungareze, Unë gjithmonë do të qëndroj besnik ndaj çështjes së Maqedonisë. Unë kurrë nuk do të heq dorë” – mbyllet postimi i shkurtër i Gruevskit

13 Nëntor, ora 19:35 - Interpol Shkupi i dërgon Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar të Gruevskit. Ish-kryeministri kishte kaluar 2 ditë më parë në territorin shqiptar por ky informacion do mund të konfirmohej vetëm në 15 Nëntor. 

15 Nëntor, ora 11:00 – Për “arratinë” e Nikola Gruevskit shkruan gazeta ‘Politika” e Beogradit. Në artikullin e publikuar shkruhej se  Ish-kryeministri i Maqedonisë ka kaluar kufirin maqedon-shqiptar me pasaportë false natën dhe ilegalisht hyri në Tiranë, ku u pranua në ambasadën e Hungarisë në Tiranë. Të nesërmen në mëngjes, përmes kompanisë hungareze të fluturimeve "Malev" ai arriti nga Tirana në Budapest. Personeli i avionit nuk e kisht idenë se kush ishte pasagjeri me kapele dhe syze dielli.

 

“Shqiptarja.com” kontaktoi me zyrtarë të ambasadës së Hungarisë në Tiranë të cilët thanë se nuk kishin dijeni për këtë rast.  Ndërsa nga verifikimet e kryera nga ne për kompaninë ajrore “Malev” rezultoi se ajo kishte falimentuar në 2012 dhe nuk kishte kryer më fluturime. Kjo histori e largimit të tij me avion u hodh poshtë disa orë pas publikimit nga media serbe. 

15 Nëntor, ora 18:18 - Policia e Shtetit konfirmon largimin e Gruevskit përmes territorit shqiptar. Në komunikatën e shpërndarë nga policia bëhen të ditura edhe detajet. 

"Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. 

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. 

Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas."
 , thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit. 

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (15/11/2018)