Atentat në Shkodër, vritet kushëriri i Arjan Ferracakut

Ora 11:15 - Mbetet i vrarë pas një atentati me armë zjarri Fatos Ferracaku. Ngjarja në lagjen “Partizani”të Shkodrës në afërsi të zonës së njohur si Markata ku 40-vjeçari u qëllua me plumb në kokë. Nga të shtënat i plagosur mbeti edhe Fatmir Mehaj 49-vjeç. Viktima dhe i plagosuri ishin të dy, tregtarë peshku në tregun e Shkodrës. Fatos Ferracaku është kushëri i afërt me biznesmenin Arjan Ferracaku, i vrarë më 1 shtator në një atentat. Ai është djali i xhaxhait të Kujtim Ferracakut, babait të 31-vjeçarit që u vra mbi kalë.

Ora 11:20 - Autorët mësohet se kanë qenë dy persona me motor dhe skafandra, mjeti me dy autorët ka ndaluar përpara shënjestrës dhe një prej tyre ka qëlluar duke  ekzekutuar Ferracakun, atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku në janar të vitit 2018 iu vendos tritol Lulzim Kullës, i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës, tashmë i prangosur. Policia gjeti 9 gëzhoja në vendngjarje. 

Ora 11:40 - Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton se pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti një motor të djegur në lagjen "Guerrile". Dyshohet se motori është përdorur nga autorët në atentat.  Besohet se shënjestra e këtij atentati ka qenë Fatos Ferracaku, ndërsa ngjarja ka tronditur qytetin në një orë kur fluksi i lëvizjeve është i lartë. Shqiptarja.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.

Ora 12:30 - Përmes një komunikate zyrtare Policia e Shtetit ka konfirmuar detajet për ngjarjen e rëndë. 

"Sot rreth orës 11:15 në lagjen “Partizani” në vendin e quajtur 'Merkata Rus', dyshohet se dy persona me motoçikletë kanë qelluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F.V. 31 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Nga të shtënat është plagosur dhe shtetasi F.M., i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen 'Guerrile".

Ora 14:30 - Pak orë pas vrasjes që ka tronditur qytetin e Shkodrës gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha. Në një postim në Facebook, gazetari shkruan se nisur nga dinamika e ngjarjes, kemi të bëjme me një atentat të mirëfilltë dhe dyshohet se autorët janë për vrasës me pagesë. Hoxha shkruan se ngjarja e sotme në lagjen "Partizani", tregon se po bien viktima të krimit edhe qytetarët e pafajshëm. Kjo pasi edhe Fatos Ferracaku, njësoj si Arjan Ferracaku, nuk rezulton person me precedent penal.

"Nga informacioni paraprak dhe dinamika e ngjarjes duket se ekzekutoret jane vrases me pagese, ndersa urdheruesi dhe truri i ketij atentati eshte duke ndjekur nga ekrani spektalin kriminal qe ka organizuar..."- shkruan Hoxha. 

Ora 16:00 - Shqiptarja.com siguron foton e viktimës Fatos Ferracaku, i cili nuk i mbijetoi dot atentatit dhe ndërroi jetë në spital. 

Ora 20:00 - Mësohen detaje të reja nga vrasja e Fatos Ferracakut. Viktima u qëllua me 4 plumba në kokë nga autori ndërsa i plagosuri Fatmir Mehaj u qëllua me 3 plumba në këmbë pasi ndërhyri gjatë atentatit. 

(14.11.2018)