Betohen 7 deputetët e rinj në seancën e Kuvendit, PD shkon me dron

Ora 09:30 - Policia masa “proteste” gatishmërie tek Kuvendi, tela me gjemba, gardh hekuri, autobotë uji
 

Edhe pse nuk kanë lajmëruar për mbajtjen e një proteste ditën e sotme, Policia e Shtetit ka marrë masat rreth Kuvendit. Janë vënë gardhe rrethues nga pjesa e Parlamentit që lidhet me selinë e Partisë Demokratike, dhe njëjtë si tubimin e shkuar, është rrethuar pedonalja që të çon tek Kuvendi për të mundësuar prej aty kalimin e deputetëve. Opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë protestë më 16 mars para kryeministrisë për rrëzimin e kryeministrit Rama siç ata shprehen.

Por në deklarimet e tyre politike janë shprehur gjithashtu se opozita do të protestojë sa herë që do të ketë seancë plenare, pasi me heqjen dorë nga mandatet, e konsiderojnë ilegjitim Parlamentin. Por mesa duket këtë radhë, opozita do t'i ruajë energjitë për protestën e 16 marsit, atë që e kanë vlerësuar si 'uragan për rrëzimin e Ramës'.

Pritet betimi i 7 kandidatëve në Kuvend, opozita e re me 15 deputetë 

Sot në Kuvendin e Shqipërisë do të betohen deputetët e rinj. Janë 7 kandidatë nga listat e PD dhe LSI, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, që pranuan mandatin e deputetit duke dalë jashtë vendimit të grupeve të PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë. Në Kuvend do të betohen Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni, Elda Hoti. Në pritje është kandidati i LSI-së, Ralf Gjoni, i cili ditën e djeshme dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe në mbledhjen e radhës KQZ do t'i japë zyrtarisht mandatin, për të kaluar me betimin në Kuvend në seancën e radhës plenare. Ndërkohë, tre deputetë nga opozita nuk firmosën djegien e madateve, Lefter Koka i LSI, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nga PD. Janë betuar deri më tani kandidatët në listat vijuese që pranuan mandatin, Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi, Edmond Rrushi, të katërt nga LSI.

Ora 10:11 - Betohen 7 deputetët e rinj në Kuvend, Lefter Maliqi ngre dy gishtat e demokracisë

Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti, janë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Ata u betuan në seancën e sotme parlamentare pasi pranuan mandatin prej të cilit hoqën dorë në bllok deputetët e opozitës. Të shtatë ishin kandidatë vijues në listat e PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. 

Lefter Maliqi i qarkut të Beratit, në momentin kur u ngrit në këmbë për të bërë betimin, e shoqëroi këtë proces duke ngriturdy gishtat, simbolin e demokracisë që përfaqëson Partinë Demokratike.

Ora 10:20 - Deputeti i ri: Nuk jam kontaktuar nga PS për të pranuar mandatin 

Alban Zeneli, i cili sot u betua në Kuvend ardhur nga listat e kandidatëve të PD-së që pranuan mandatin, tha se nuk ka ndryshuar bindje politike, edhe pse vendimi i tij bie ndesh me grupin e PD-së që u dorëhoqën nga Kuvendi.

Ai tha se bindja e tij nuk ndryshon, kryeministri Edi Rama duhet të largohet theksoi ai..

Ai tha se nuk është kontaktuar nga Partia Socialiste për të shkuar drejt këtij vendimi. Opozita e larguar nga Kuvendi ngriti akuza politike se kandidatët e listave vijuese të tyre po pranojnë mandatet pasi po u bëhet presion nga qeveria.

Ora 10:22 - Maliqi: Kryetari me mandat të dhuruar kërkon të bëhet kryeministër 

Menjëherë pas betimit si deputet, Lefter Maliqi mbajti fjalë në seancën e sotme plenare ndërsa foli për kreun e PD Basha.

 

"Dua të jap një reagim. Pata këmbën e mbarë, fati që zura dhe vendin e kryetarit me mandat të dhuruar të PD-së dhe jam i bindur që brenda dy muajve rreshti këtej nga opozita do të jetë plot. Mos kujtojnë ata që kanë dalë jashtë se janë më të mirë se ne që jemi këtu. Duhet t'i drejtohem të gjithë demokratëve që gënjehen nga kryetari me mandat të dhuruar që ëndërron të bëhet kryeministër me dhurata. Kryeministër mund të bëhet vetëm me vota”.

Ora 11:03 - Hidhen shashka nga selia e PD-së drejt Parlamentit, policia iu hedh ujë 

Incidentet e vogla nuk kanë munguar gjatë ditës së sotme para Kuvendit. Edhe pse nuk kishin paralajmëruar për protestë, disa përfaqësues të FRPD-së kanë hedhur disa shashka nga selia e PD-së, drejt Parlamentit, përmes murit ndarës mes godinës së PD-së dhe Kuvendit.

Në përgjigje të këtij veprimi, forcat e policisë kanë hedhur ujë nga autoboti që ndodhej pranë portës së hekurit që ndan selinë me ambientet e jashtme të Parlamentit. 

Gazetari i Report TV, Elis Memeli ka raportuar se përveç kapsollave dhe shashkave, të rinjtë e PD-së kanë hedhur edhe disa gurë, por situata është përmbyllur menjëherë dhe pas hedhjes së ujit të rinjtë janë larguar.

Ora 12:00 – PD shkon me dron në Kuvend, shpalos banderolën “Parlamenti i krimit”.

Ndërkohë që në Parlament po zhvillohet seanca plenare, gjatë së cilës u betuan shtatë deputetët e opozitës së re, mbi godinën e tij është parë një dron i lidhur me një banderolë ku shkruhet "Parlamenti i Krimit".

Ajo është përgatitur nga simpatizantët e PD-së. Droni lëvizi në të gjithë hapësirën përpara godinës së parlamentit ndërsa më pas u kthye sërish nga selia e PD nga ku edhe ishte nisur.

Ora 12:35 - Lefter Koka: Vazhdoj të jem pjesë e partisë! LSI: Ne e kemi përjashtuar 

Lefter Koka, deputeti i cili nuk pranoi të hiqte dorë nga mandati i tij pas vendimit të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet në bllok, 'mori vesh' ditën e sotme se nuk është më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një bashkëbisedim me gazetarët ai u shpreh se vazhdon të jetë pjesë e LSI-së dhe se me drejtuesit e saj ka marëdhënie shumë të mira. Por kaq ka mjaftuar që vetë LSI të shpërndajë një vendim të datës 22 Shkurt ku thuhet se të gjithë kandidatët e listës shumëemërore që pranojnë mandatin janë të përjashtuar nga Partia, pjesë e së cilit është edhe Lefter Koka, deputet që prej nisjes së mandatit.

Ora 13:05 - Karamelo: Po organizojmë opozitën e re, do presim edhe deputetët e tjerë 

Deputeti i opozitës së re nga Partia Demokratike, i cili zëvëndësoi Klevis Balliun në qarkun Korçë, u shpreh sot se opozita e re po organizohet  për të vepruar si një grup i përbashkët të cilit do t'i bashkohen edhe deputetë të tjerë

(13/03/2019)