Sulm ndaj fjalës së lirë! Breshëri plumbash banesës së prindërve të gazetares

(30/08/2018)

Ora 00:00 - Gazetarja Klodiana Lala largohet nga banesa e prindërve përpara ngjarjes

E shoqëruar nga bashkëshorti gazetarja Kodiana Lala largohet rreth mesnatës nga banesa e prindërve duke lënë atje dy vajzat e saj të mitura. Mes të afërmëve që ndodheshin në banesë ishte edhe i vëllai i saj.

Mëposhtë janë zhvillimet orë pas ore

Ora 03:00 - Qëllohet me kallashnikov banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala.

Banesa e gazetarës së kronikës në Tiranë është bërë shenjestër e një sulmi me kallashnikoz gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar 10 herë drejt banesës së prindërve të gazetares Lala.

6 plumba kanë thyer xhamat dhe kanë prekur muret e banesës. Fatmirësisht nga ngjarja  nuk pati persona të lënduar.

Në momentin e  të shtënave gazetarja me bashkëshortin nuk kanë qënë në banesë. Në shtëpinë një katëshe në lagjen “Bruk” pranë Laknasit gjendeshin dy vajzat e mitura të saj dhe familjarë të tjerë të gazetares mes tyre edhe vëllai.

Ora 13:15 - Vjen komunikata e parë zyrtare për mediat nga Policia e Tiranës

Nëpërmjet një komunikate për mediat Policia e Tiranës njofton për sulmin me kallashnikov drejt banesës në lagjen "Bruk" pranë zonës së Laknasit. Në njoftimin e policisë bëhet fjalë për banesën e babait të gazetares, 64-vjeçarin me inicialen A.L.

 

"Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç. Nuk ka dëme në njerëz. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve"

Ora 13:45 - UGSH dënon sulmin: Klodiana Lala u sulmua për shkak të detyrës 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar për sulmin ndaj banesës së prindërvë të gazetares Klodiana Lala, duke e dënuar ashpër këtë ngjarje. UGSH thotë se ka komunikuar nga afër me gazetaren, e cila iu ka deklaruar se sulmi i është bërë për shkak të profesionit të saj si reportere.

Ora 14:30 - Gazetarja Klodiana Lala:  Nuk kemi asnjë konflikt, sulmi për shkak të detyrës

Gazetarja ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, duke e lidhur ngjarjen e kryerjen e detyrës pasi ajo apo prindërit e saj nuk kanë konflikte personale. 

 

Ora 14:35 - Kryeministri Rama: E patolerueshme barbaria! Pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve

Nëpërmjet një postimi në Twitter kreu i qeverisë ka reaguar ashpër për ngjarjen duke e cilësuar si të patolerueshme dhe barbari, ndërsa thotë se strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht për ta zbardhur atë. Kryeministri Rama shton në postimin e tij se inkurajon gazetaren në këtë moment kritik.

 

Ora 14:45 - Presidenti Meta telefonon gazetaren: Mos u tremb! Autorët të vihen para ligjit 

Nëpërmjet një njoftimi nga zyra e shtypit të Presidencës u bë e ditur se kreu i shtetit Meta ka telefonuar gazetaren Klodiana Lala menjëherë pasi ka marrë vesh për ngjarjen. Në bisedën e tij me gazetaren Meta i ka shprehur  solidaritet të plotë asaj. dy vajzave të saj të mitura dhe prindërve të saj. Presidenti  e inkurajoi të vijojë misionin, pa u trembur e shantazhuar nga askush. 

 

“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”. vijoi biseda e Metës e bërë publike përmes njoftimit nga Presidenca.

Ora 14:45 - Petrit Vasili: Ditë e keqe për median, sulm frontal nga krimi i organizuar

Pas sulmit me armë zjarri në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala ka pasur reagime të shumta nga politika, nga LSI ka reaguar në Facebook Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të kësaj partie. 

Vasili shkruan se: "Sot është një ditë e keqe për median" pasi sipas tij: "Media gjendet nën atak frontal nga krimi i organizuar që tashmë ka uzurpuar qeverinë". 

Ora 15:00 - Kreu i PD Basha: Sulmi ndaj gazetares, pasi nxorri lidhjet e deputetit të PS me Emiljano Shullazin

Kreu i PD Lulzim Basha ka thënë në një deklaratë për mediat se sulmi ndaj banesës së prindërve të gazetares Lala vjen pasi ajo zbuloi lidhjet e deputetit të PS Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit.  Basha vijon duke thënë se: "Shteti duhet të gjej autorët e këtij sulmi", dhe se: "Rama është përgjegjës, pasi krimi me të është i paprekshëm dhe bashkëqeverisë me të". Rama sipas Bashës duhet t'i lerë lotët e kokodilit dhe të gjejë mafiozët që bënë sulmin. 

Ora 16:25 - OSBE: Dënojmë me forcë sulmin, nxisim autoritetet të vënë para drejtësisë autorët

Për ngjarjen ka reaguar edhe Prezenca e OSBE në vendin tonë përmes një postimi në Facebook duke e dënuar sulmin ndaj gazetares së kronikës. OSBE vijon duke thënë se nxisin autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës.

Ora 17:50 - Ambasada e SHBA:  Një akt frikacak, Shqipëria po i afrohet drejtësisë së vërtetë

Pas sulmit me armë zjarri ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala, një reagim ka ardhur edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Me anë të një statusi në Facebook, Ambasada ka dënuar me force sulmin ndaj gazetares duke i kërkuar autoriteteve një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë.

 

Ora  18:05 - AMA: Intergriteti i profesionit të gazetarit janë në themel të një shoqërie demokratike

Përmes një statusi në Facebook ka reaguar edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA duke shkruar se integriteti i gazetarit është një nga themelet e shoqërisë së lirë, reagimi vijon me dënimin e ngjarjes dhe një thirrje drejtaur autoriteteve për zbardhjen sa më parë të krimit. 

Ora 19:00 - Gramoz Ruçi: Plumbat ndaj gazetarëve janë barbaria kundër qytetërimit

Përmes një njoftimi nga zyra e shtypit të Kuvendit, kreu i Kuvendit Ruçi ka dënuar ashpër kërcënimin ndaj gazetares duke deklaruar se: "Plumbat ndaj gazetarëve janë barbaria kundër qytetërimit". Ruçi vijoi se gazetarët kanë mbrojtjen e shtetit dhe ligjit ndërsa duke iu drejtuar Klodianës thotë se "Shteti është me të"

Ora 19:20 - Delegacioni i BE: Dënojmë sulmin ndaj gazetares investigative, autoritetet ta hetojnë

Me një postim në faqen e tyre në Twitter ka dënuar sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala edhe Delegacioni i BE në Tiranë. Në njoftimin e tyre delegacioni i BE përsërit mbështetjen për gazetarët që raportojnë për krimin e organizuar në Shqipëri, ndërsa autoritetet duhet të vijojnë hetimet e plota. 

Ora 19:30 - Gazetarët protestë sensibilizuese para Kryeministrisë për kolegen Klodiana Lala

Në orët e pasdites  gazetarë, figura të ekranit, qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë në shenjë protestë sensibilizuese për sulmin ndaj gazetares televizive të kronikës Klodiana Lala. Protesta e gazetarëve për kolegen e tyre dhe cënimin e lirisë së fjalës.  

Ora 19:40 - Arta Marku: Hetim transparent, vë në dispozicion të gjitha burimet

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku shprehu shqetësimin për sulmin ndaj familjarëve të gazetares Klodiana Lala përmes një njoftimi të zyrës së saj të shtypit.

 

Kryeprokurorja nxit dhe mbështet plotësisht hetimin transparent për të venë përpara drejtësisë autorët e sulmit ndërsa rithekson angazhimin për të venë në dispozicion burime njerëzore dhe infrastrukturore për të garantuar punën e Prokurorisë së Tiranës.

 

“Marku çmon punën e gazetares Lala dhe trupës së gazetarëve që përballen me vështirësi dhe rreziqe në kërkim, zbardhje dhe raportim të së vërtetës”. – vijon njoftimi i Kryeprokurores.

(31/08/2018) 

Ora 11:00 (31 gusht) Gazetarja Klodiana Lala dëshmon para grupit hetimor 

Paraditen e sotme është zhvilluar një takim në prokurorinë e Tiranës mes drejtueses së këtij institucioni Elisabeta Imeraj, drejtorit të Policisë së Shtetit Veliu, atij të Tiranës Skënderaj dhe vetë gazetares Klodiana Lala. Pas takimit gazetarja dha dëshminë para grupit hetimor, ndërsa hetimet janë fokusuar në pistën e kërcënimit për shkak të detyrës.

Ora 15:30 (31 Gusht) - Policia: Grup i posaçëm hetimor nga Policia dhe Prokuroria

Nëpërmjet një komunikate për mediat një ditë pas sulmit mbi banesën e prindërve të gazetares Policia e Shtetit njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor. 

Sipas policisë grupi hetimor do të jetë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërsa ekspertët e përfshirë janë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Policisë Tiranë. 

 

Deklaratë e përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës.

"Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedural, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera."

 

 

Ora 16:00 - Artan Hoxha në Report TV: Plumbat ishin për të, prekën banesën ku flinin vajzat

Një ditë pas sulmit me breshëri kallashnikovi në banesën e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala, gazetari investigativ Artan Hoxha tregon në studion e Report TV gjithçka fshihet pas këtij sulmi. Ai i jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të ngritura përgjatë këtyre orëve. Hoxha ka thënë se lajmin e ka mësuar mëngjesin e së enjtes nëpërmjet një ish-drejtuesi policie, dhe më pas ka parë se në media nuk ka patur asnjë raportim për ngjarjen. 

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com