Çahet tubi i gazit, helmohen 18 gra në një fasoneri në Durrës

Ora 09:00 – Çahet tubi i gazit të kondicionerit
Rreth orës 09:00 të mëngjesit nga raportimet paraprake dyshohet se është çarë tubi i gazit të kondicionerit në fasonerinë “Albastar” që ndodhet në zonën e Fllakës, afër mbikalimit në autostradë.

Ora 09:30 – Helmohen 14 punonjëse të fasonerisë, paraqiten në spital

Fillimisht 14 punonjëse në fasoneri raportohet se janë helmuar nga rrjedhja e gazit në ambientet e punës. Punonjëset të gjitha gra të cilat janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Durrësit. Punonjëset e rrobaqepësisë janë ndjerë keq dhe kanë pasur marrje mendsh e këputje.

Ora 10:30 – Pamjet pa koment nga spitali, drejtoresha: Nuk janë në gjendje të rëndë

Report TV publikon pamjet pa koment nga spitali i Durrësit ku janë dërguar punonjëset me shenja helmimi nga gazi. Në mungesë të shtretërve në urgjencën e spitalit rajonal gratë janë vendosur nga dy në një krevat duke marrë trajtimin me serume ndërsa pritet që Drejtoria e Spitalit të lirojë një tjetër sallë për sistemimin e punonjësve të prekura. Ndërsa në një deklaratë për mediat e pranishme drejtoresha e Spitalit të Durrësit Nadire Jani u shpreh se gjendja e grave është relativisht e mirë.

 

“Gjendja është relativisht e mirë, nuk janë të sëmura rëndë, më shumë i ka kapur paniku, kanë marrje mendsh, ndërsa u vjen edhe për të vjellë. Pacientet kanë një ulje të oksigjenimit në organizëm por po stabilizohen”, u shpreh drejtoresha Jani.

Ora 11:00 - Për helmimin e punonjësve në fasoneri kanë nisur hetimet nga organet kompetente, ndërsa nga raportimet paraprake rrjedhja e gazit ka ndodhur pas çarjes së tubit të gazit të kondicionerit në ambientet e brendshme të fasonerisë. 

Ora 12:00 - Sindikata: Situata shqetësuese, përgjegjësit nuk ndëshkohen

President i Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikolla, ka reaguar në një prononcim për Report TV.  Ai u shpreh se rasti është i përsëritur, ndërsa ende nuk ka asnjë përgjegjës edhe për ngjarjet e kaluara.

 

“Jemi njohur me rastin e përsëritur, pasi është i katërti rast, jemi të shqetësuar. Akoma nuk kemi në dorë një raport përfundimtar edhe të rasteve të para, të ndodhjes së këtyre fenomeneve. Ne kemi kërkuar që të kemi në dorë një raport. Në këto fasoneri ka kushte pafavorshme, mungesa e hapësirës dhe probleme të tjera. Punonjësit janë pa kartela, shfrytëzohen. Kemi një ligj me standarde evropiane, por nuk zbatohet. Situata është shqetësuese”.

 

Ora 13:30 - Edhe 4 gra të tjera në spital. ISHSH pezullon aktivitetin

Pak orë pas ngjarjes edhe 4 gra të tjera kanë mbërritur në spital duke e çuar në 18 numrin e punonjëseve të helmuara nga gazi që kishte rrjedhur nga tubat e aspirimit. Në mes tyre raportohet se është edhe një grua shtatëzanë. Ndërsa Inspektroriati Shtetëror Shëndetësor, dega Durrës, ka pezulluar deri në datë 7 shkurt aktivietin e fasonerisë pasi është hera e dytë që një ngjarje e tillë përsëritet në këtë fasoneri. ISHSH ka vendosur gjithashtu edhe një gjobë prej 50 mijë lekësh. 

(29/01/2019)