Furtunë dimri, era përmbys 4 kamionë dhe shkul tjegullat e çative
Ora 06:00 - Probleme me energjinë elektrike në disa zona të Shqipërisë
Për shkak të motit të keq, shoqëruar me erë të fortë, gjatë orës 2 të natës janë shkaktuar dëme në disa pjesë të rrjetit ajror elektrik në disa zona të Fushë - Krujës. Sipas OSHEE prej orës 6 të mëngjesit brigadat e punës ndodhen në terren duke riparuar linjat. Probleme janë shfaqur edhe në Malësinë e Krujës prej reshjeve të dëborës. Por deri më tani qyteti i Krujës furnizohet normalisht me energji elektrike. Problem janë Nikla, Thumana, Bubqi dhe një pjesë e qytetit Fushë -Krujë.
Ora 08:00 - Durrësi dhe Kruja zbardhen nga dëbora.
Mëngjesin e sotëm e gjithë ultësira e rrethit të Krujës është gdhirë nën reshjet e dëborës. Reshjet kanë filluar mëngjesin e sotëm dhe intensiteti i tyre është mjaft i madh. Reshje të lehta dëbore kanë rënë edhe në Durrës.
Ora 09:00 - Era e fortë përmbys kamionin në mes të rrugës.
Një kamion në aksin rrugor Lezhë-Laç, është përmbysur pranë Milotit në mes të rrugës si pasojë e erës së fortë. Policia Rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por raportohet se fatmirësisht nuk ka mbetur asnjë person i lënduar.
Ora 09:20 - Dëborë në Kukës, nuk ka bllokim rrugësh, por nisin problemet me energjinë
Edhe në Kukës u rikthyen temperaturat e ulët. Në zonat malore ka ngrica, ndërsa në zonat e ulëta reshje të vogla bore. Të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Rrugët rurale janë të hapura përveç fshatrave në zonat malore të Njësisë Administrative Lekbibaj bashkia Tropojë dhe Arrën të cilat janë të bllokuara. Ndërkohë si pasojë e problemeve në rrjetet elektrike, nuk kanë energji elektrike Njësia administrative Bicaj,Ujmisht, Bushtricë, GrykëÇajë, Kalisë, Shishtavec, Topojan, Zapod, Bashkia Kukës. Njësia Administratie Golaj, Fajza, Bashkia Has. Njësia Administrative Lekbibaj, Bytyç , Bashkia Tropojë. Nga erërat e forta janë dëmtuar linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm. "Grupet e punës po nisen për riparimin e defekteve", njofton OSHEE
Ora 09:32 – Furtuna në Lezhë “fluturon” tjegullat nga çatia
Era e fortë në qytetin e Lezhës ka bëre që të fluturojnë tjegullat nga çatitë. Banorët janë zgjuar duke parë se tjegullat e çatisë ishin shkëputur, si pasoje e furtunës që ka fryrë gjatë natë.
Shumë qytete të tjera u zgjuan të zbardhura nga dëbora, por deri më tani nuk ka probleme me qarkullimin në rrugë, por vetëm disa zona problematike sa i përket energjisë elektrike.
Probleme te furnizimit me energji elektrike për shkak të motit raportohen edhe në rajonin e Lezhës. Në rrugën Balldre-Torovicë një shtyllë elektrike është rrëzuar si pasojë e erërave duke rënë në mes të rrugës.
Ora 11:00 - Era e fortë përmbys në rrugë trajlerin në Lezhë
Një trajler është përmbysur në rrugën Lëzhë-Milot, si pasojë e erërave të forta. Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka pasur persona të lënduar ndërsa për pasojë është bllokuar aksi rrugor.
Ora 11:05 - Bie pema në aksin Tiranë- Elbasan pranë Ibës
Një pemë ka rënë në mes të rrugës për në Elbasan pranë zonës së Ibës si pasojë e erërave të forta. Qytetarë nga vendi i ngjarjes kanë raportuar ngjarjen për Shqiptarja.com duke theksuar se kanë shpëtuar për mrekulli pasi ishin duke kaluar me makinë kur u rrëzua pema. ARRSH thotë se është nisur një grup për të mundësuar hapjen e rrugës.
Ora 13:00 - Erërat e forta përmbysin kamionin në aksin Pukë-Shkodër
Për shkak të erërave të forta ë përmbysur një kamion në aksin Pukë-Shkodër në zonën e njohur si Qafë-Qelë. Mësohet se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.
Ora 13:49 - Llogaraja mbulohet nga dëbora, automjetet qarkullojnë me zinxhirë
Reshjet e denduar të dëborës kanë vështirësuar qarkullimin në zonën e Llogarasë. ARRSH njofton se automjetet në këtë zonë mund të qarkullojnë vetëm me zinxhirë. Ndërkohë tre borëpastruese po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
Ora 15:13 - Në Vaun e Dejës dëmtohet ura që lidh dy fshatrat, shkatërrohen serat dhe çatitë e shtëpive
Pasoja e motit të keq janë shtrirë edhe në zonën e Vaut të Dejës. Një urë lidhëse mes dy fshatrave Vig dhe Mnelë është dëmtuar gjatë erërave të forta duke bërë të pamundur lidhjen mes tyre. Disa çati banesash dhe magazinash u shkatërruan plotësisht. Ndërkohë që disa zona zona kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike.
Ora 16:32 - Era e fortë, përmbyset një tjetër kamion tek Ura e Milotit
Një tjetër kamion është rrëzuar si pasojë e motit të keq dhe me erë të fortë në zonën e njohur si ura e Milotit. Mësohet se aksidenti është shënuar në superstradën Lezhë-Laç. Bëhet e ditur se fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka patur persona të lënduar.