Dita e 14-të, studentët protestë para Kryeministrisë, bllokojnë 3 orë ‘Zogun e Zi’. Rama: Çfarë borxhi ju kanë qytetarët?

Ora 08:57 - Studentët i vendosin shiritin, bllokojnë fakultetin e Drejtësisë

Studentët e fakultetit të Drejtësisë përpos bojkotit i kanë vendosur shiritin duke bllokuar hyrjen e godinës së institucionit duke mos lejuar as administratën. Edhe sot në ditën e 14-të ata do të mblidhen përpara fakultetit më pas do të marshojnë në orën 11:00 drejt Kryeministrisë.

Ora 09:47 - Studentët i vendosin drynin fakultetit të Ekonomikut 

Studentët e Fakultetit të Ekonomikut në Tiranë, pasi janë mbledhur mëngjesin e sotëm për të vendosur itinerarin e lëvizjes drejt Kryeministrisë i kanë vendosur drynin hyrjes së institucionit duke bllokuar edhe administratën pas bojkotit që i kanë bërë mësimit.

Ora 09:48 - I vendoset shiriti në shenjë proteste edhe Politeknikut

Përpos fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomikut, në shenjtë proteste studentët i kanë vendosur shiritin edhe Politeknikut.

Ora 10:42 Protesta e studentëve në ditën e 14, shtohet numri i forcave policore

Ditën e sotme shihet se ka një numër të shtuar të policisë. Sipas të dhënave paraprake, pritet që të ketë numër më të lartë protestuesish përpara Kryeministrisë dhe pikërisht për këtë arsye është rritur dhe numri i forcave policore.

Ora 10:53 – Militantë të opozitës në protestën e studentëve hedhin tymuese drejt godinës së Kryeministrisë.

Ashtu sikur ishte paralajmëruar, protestës së studentëve i janë bashkuar edhe militantët e opozitës. Në nisje të protestës, Gentjan Gjonaj, i njohur si një ndër militantët më aktivë të PD, ka hedhur gjatë tubimit një tymuese para Kryeministrisë.

 Ora 10:55 - Studentët bllokojnë '9 katëshet' në shenjë proteste

Një pjesë e studentëve, të cilët kanë nisur fillimisht marshimin nga universitetet përkatëse, kanë bllokuar në shenjë proteste kryqëzimin tek zona e ‘9 katësheve’. Pas qëndrimit të tyre në këtë zonë për disa minuta, ata do t'i drejtohen Kryeministrisë, aty ku është zhvilluar gjatë ditëve të fundit edhe protesta e tyre për plotësimin e tetë kërkesave nga ana e qeverisë.

Ora 11:14 - Rama: Basha dhe Kryemadhi e gjymtuan protestën, studentë ejani në dialog 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë protestës ditën e sotme para Kryeministrisë. Shefi i qeverisë akuzon Kryemadhin dhe Bashën për politizim të protestës, ndërsa shton se sot para Kryeministrisë nuk ka studentë.

 

“Sharrat e Doktorreshës dhe britmat në gjumë të Artistit, e gjymtuan si s'ka më keq protestën tuaj! Por unë dhe ju që s'jeni më aty, jo vetëm që s'do t'i lemë pa adresuar ato 8 pika, po do të bëjmë shumë më shumë se aq SE BASHKU. Ditët po na ikin shpejt e festat po vijnë, prandaj mos rrini po dukuni dhe t'ia nisim punës me Dialog Bashkëpunim Këmbëngulje për Universitetin” thotë Rama.

Ora 11:46 - Pamjet me dron nga protesta përpara Kryeministrisë

Pamjet e filmuara nga droni tregojnë pjesëmarrjen në protestën e studentëve në ditën e 14-të. Protestuesit janë përqendruar në bulevard, në segmentin mes kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit. Në protestë sot janë edhe përfaqësues të partive politike të opozitës si dhe qytetarë.

Ora 12:44 - Rama: Zyrtarisht protesta e studentëve u mor peng nga PD dhe LSI
Kryeministri Rama ka reaguar sërish për protestën para Kryeministrisë. Ai shprehet se sot u zyrtarizua pengmarrja e protestës nga PD dhe LSI.

“Forumet e Doktorresh Monës e Lul Artistit që bëjnë si studentë jashtë politikës dhe militantë të PD dhe LSI që bëjnë si familjarë studentësh, zyrtarizuan sot pengmarrjen e protestës” deklaron Rama.

Ora 12:46 - Rama fton sërish studentët për dialog: Do shihemi para festave? 

E ndërsa në dy reagimet e para sot në rrjetet sociale kryeministri Rama akuzoi PD dhe LSI për politizim të protestës, në postimin e tretë në Instagram ai fton studentët sërish për dialog për tetë pikat, për të cilat parimisht ka dhënë OK. ‘Do shihemi para festave?” Është pyetja e Ramës për studentët.

Ora 13:01 - Militanti i maskuar hedh tymuese, studentët e largojnë nga protesta

Përveç Gentian Gjonajt një tjetër person hodhi tymuese gjatë protestës së sotme. Ai ishte i maskuar që të mos identifikohej duke lënë të kuptohet se është militant partie, por menjëherë sapo hodhi tymuesen studentët e larguan me thirrje në kor ‘ik, ik, ik”.

Ora 13:02 - Basha: E mbështesim me të gjitha mënyrat protestën e studentëve

Kryetari i PD, Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar paraditen e sotme ka deklaruar se forca që drejton mbështet me të gjitha format dhe mënyrat protestën e studentëve.

 Ora 13:36 - Taulant Muka kërkon të marrë fjalën, një grup studentësh i kundërvihen: Ik, ik, ik...

Në protestën e studentëve që po zhvillohet përpara Kryeministrisë, ish-zëvendës ministri i arsimit Taulant Muka ka kërkuar të marrë fjalën. Por, ky veprim i tij nuk është pritur mirë nga një grup studentësh, të cilët sikurse shihet nga videoja kanë arritur t’ia marrin nga duart mikrofonin.

Ata i kanë kërkuar të largohet prej aty pasi sipas tyre nuk mund të jetë pjesë e protestës një njeri që kërkon të marrë merita nga kauza e tyre. Muka dëgjohet vetëm teksa thotë “rinia shqiptare…”, pasi ai ndërpritet nga brohoritje njëzëri të disa të rinjve: ik, ik.ik…

Ora 13:35 - Tension në protestë, studentët kordon para policisë për të shmangur incidentet

Në një moment situata është tensionuar, ndërsa arsyet janë ende të paqarta. Por tensioni ka zgjatur pak sekonda, pasi studentët kanë ndërhyrë duke formuar një kordon para policisë për të shmangur përplasjen e efektivët.

Ora 13:35 - Disa studentë tentuan të rrethojnë Kryeministrinë, ndërhyn policia

Sqarohet arsyeja e tensionimit të situatës te Kryeministria. Një student bëri apel që të krijohet një kordon duke rrethuar Kryeministrinë. Në momentin që studentët tentuan të formojnë kordonin rreth Kryeministrisë nuk u lejuan nga policia duke sjellë reagimin kundër tyre. Por një grup studentët kanë ndërhyrë duke formuar një kordon për të shmangur përplasjen me policinë.

Ora 14:40 - Pakësohen protestuesit përpara Kryeministrisë, studentët ndahen në tre grupe

Pas skadimit të orës 14.30, që ishte afati i fundit i protestës, studentët u ndanë në grupe. Një pjesë e tyre shkoi te ‘Zogu i Zi’, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa pak mbetën te vendi ky nisi dita e 14 e protestës, përballë Kryeministrisë.

Ora 14:45 - Studentët bllokojnë ‘Zogun e Zi’

Studentët janë ndarë në tre grupe, njëri nga të cilët ka bllokuar qarkullimin rrethrrotullimin te ‘Zogu i Zi’.

Ora 14:50 - Bllokimi i fakulteteve dhe rrugëve, Rama-studentëve: Çfarë borxhi ju kanë qytetarët?

Kryeministri Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale duke shkruar se “A mund t'ju pyes juve që ju mësojnë Doktorresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”.

Ora 17:01 - Studentët lirojnë pas tre orësh rrethrrotullimin te 'Zogu i Zi', rinis qarkullimi i automjeteve

Studentët mbyllin protestën te "Zogu i Zi" duke zhbllokuar qarkullimin e automjeteve pas rreth tre orësh. Një grup studentësh e bllokuan rrugën  që prej orës 14:00, duke sjellë kaos në trafik. Përshkallëzimi i protestës së studentëve solli bllokimin e qindra automjeteve, duke i penguar të hyjnë në Tiranë. Radhë të gjata kilometrike u krijuan në të katër akset e rrethrrotullimit.

Ora 17:12 - Dekani i Ekonomikut Dhori Kule takon studentë, i kërkohet dorëheqja: Abuzime në fakultet

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule, është duke zhvilluar një takim me studentët e këtij fakulteti. Takimi vjen paralelisht me protestën që po zhvillohet ditën e sotme nga studentët. Kule i ka mbledhur studentët në dekanatin e këtij fakultetit.  Report Tv ka mësuar se studentët kërkojnë dorëheqjen e Kules, për shkak të keqmenaxhimin dhe abuzimin në këtë fakultet.

 

“Keqmenaxhim dhe abuzime në fakultet. Kule të japë dorëheqjen”,-mësohet se janë shprehur studentët. Takimi që po zhvillohet sot ishte parashikuar të zhvillohej që në 15 dhjetor, por në takimin e organizuar nga studentët, Kule nuk mori pjesë.

 

(17/12/2018)