Durrës, vritet i forti i Vlorës, mik i Shullazit, shoku me të cilin udhëtonte ndërron jetë në spital

Ora 23:00 (6 nëntor) – Mbetet i vdekur pas një atentati me armë 39-vjeçari nga Vlora, Edison Harizaj. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes në Durrës. Edison Harizaj i njohur si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazit. Në atentatin ndaj tij mbeti i plagosur edhe shoku Genci Caci.  Autorët qëlluan me breshëri mjetin tip Audi me targa AA857  ku mendohet se Edison Arizaj ishte pasagjer, ndërsa makina drejtohej nga Genci Caci.

Ora 23:30 (6 Nëntor) - Nga rrethanat e krimit dyshohet se kemi të bëjmë më larje hesapesh mes bandave rivale, ndërsa nga policia po hetohet pista e hakmarrjes. Kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar forcat e policisë për ngjarjen e rëndë. I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit, më pas në Tiranë në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi ka disa plagë në trup ndërsa trupi i pajetë u dërgua drejt morgut. 

Skema si ndodhi ngjarja
Edison Harizaj (në foto) ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë në lagjen nr.13 në Durrës. Ndaj makinës ti Audi  ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi.  Sipas burimeve nga grupi hetimor autorët kanë qenë në kundravajtje dhe kanë përdorur dy makina për të kryer atentatin. Njëra nga makinat i ka prerë rrugën ‘Audi’-t, në këtë moment Harizaj ka frenuar dhe devijuar, ndërsa nga makina tjetër është qëlluar me breshëri automatiku. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar mbi 15 gëzhoja kallashnikovi të zbrazura nga autorët që pas ngjarjes ishin larguar në sens të kundërt të autostradës.

Ora 07:00 (7 Nëntor) - Dyshimet e para
Viktima e këtij atentati Edison Harizaj dyshohet se është ekzekutuar për hakmarrje, pasi ka qenë i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Albano Xhaferrit dhe Elvis Troqes në Vlorë, për të cilat ishte marrë në pyetje, por kishte mohuar akuzat. Gjithashtu burime te Report Tv bëjnë me dije se Edison Harizaj është hetuar edhe për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, por nuk u gjetën prova. Harizaj dyshohej se u vinte gjoba në Vlorë biznesmenëve, merrej me trafik droge dhe vendosje eksplozivi. Edison Harizaj njihej si ndër personat më të rrezikshëm ne Vlorë dhe si i forti i këtij qyteti. 

Njoftimi i policisë për atentatin në Durrës
Më datë 06.11.2018 , rreth orës 22:50 ,në lagjen nr. 13, Durrës brenda një mjeti tip “Audi” është gjetur pa shenja jete shtetasi E.H. 39 vjeç, banues në Vlorë dhe i plagosur shtetasi G.C. 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ora 08:24 (7 Nëntor) - Gjendet makina e djegur që përdorën autorët në atentat

Në Shën Vlash të Durrësit është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet se është e autorëve të atentatit mbrëmë në lagjen nr. 13 në qytetin bregdetar të Durrësit në unazën e plazhit. Makina dyshohet se u përdor nga autorët për të kryer vrasjen më pas e kanë djegur në Shën Vlash duke u larguar me një tjetër makinë për të humbur gjurmët. 

Policia vijon hetimet që mbrëmjen e djeshme për të identifikuar dhe arrestuar autorët, por vendi ku u krye vrasja nuk ka as kamera sigurie dhe autorët përfituan edhe nga errësira.

Ora 08:54 - Njolla gjaku dhe xhama të thyer/ Report Tv në vendin ku ndodhi atentati në Durrës

Gazetari i Report TV Driçim Çaka ka raportuar live mëngjesin e sotëm nga vendi i ngjarjes, ku u ekzekutua mbrëmë në Durrës Edison Harizaj dhe u plagos shoku i tij.  E ndërsa makina e bërë shosh nga plumbat është hequr nga grupi hetimor, në vendin e ngjarjes duken njollat e gjakut dhe xhamat e thyer të mjetit nga breshëria e kallashnikovit.Vraja mafioze ka qenë e planifikuar mirë, pasi pas ekzekutimit autorët janë larguar në drejtim të Shën Vlashit duke djegur makinën te varrezat.

Ora 18:30 (7 Nëntor) - Ndërron jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë i plagosuri Genci Caci. Ai mbeti i plagosur dje në mbrëmje pas atentatit që iu bë në Durrës ku mbeti i vdekur në vend Edison Harizaj. Caci nuk mundi t'i mbijetonte dot plagëve që kishte marrë nga plumbat. 

(07/11/2018)