Ekzekutohet me tre plumba ish-oficeri i policisë në Tiranë, autorët në arrati!

Harta tregon banesën e viktimës dhe vendin e vrasjes
Vila e viktimës Arben Bilali në rrugën "Haxhi Isuf Banka" ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes. Krimi ndodhi në rrugicën "Daniel Ndreka" vetëm 20 metra nga hyrja e banesës së 50-vjeçarit. Siç mund të shikoni edhe në foto (duke klikuar për të parë më të madhe) banesa ishte e rrethuar me kangjella dhe kamera sigurie.  Në vijim rrjedha kronologjike e ngjarjes orë pas ore. 

Ora 14:30 – Qëllohet me armë zjarri nga persona të paidentifikuar ish-efektivi i policisë Arben Bilali. 50-vjeçari u qëllua në një rrugicë në zonën e Selitës pranë shkollës 9-vjeçare “At Zef Pllumi”. Viktima ishte në këmbë pranë mjetit Hyundai kur u qëllua. 

Ora 14:35 - Autorët largohen nga vendngjarja me një mjet tip 'Benz' të zi pas krimit. Në këtë orë është telefonuar edhe Policia e Shtetit nga banorë të zonës ku ndodhi ngjarja ndërsa ish-efektivi i policisë ende me shenja jeta, pasi u qëllua disa herë, u dërgua nga disa persona tek Spitali i Traumës.

Ora 14:50 - Arben Bilali nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra ndërsa ka ndërruar jetë menjëherë pasi ka mbërritur në urgjencën e spitalit. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes në zonën e Selitës dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e vrasjes, gjithashu në zona të ndryshme të kryeqytetit janë ngritur pika postblloku policor. 

Vrasja ndodhi në rrugicën shumë pranë banesës 3-katëshe të viktimës. Banesa në foto në të cilën tashmë janë hapur dyert e mortit. Ajo që vihet re në banesë është dhe prania e kamerave të sigurisë. 

Ora 15:00 – Pista kryesore e hetimit, hakmarrja.  

Drejt 50-vjeçarit Bilali u qëllua 7 herë nga tre persona të maskuar siç raportohet paraprakisht, por vetëm 3 plumba, një prej të cilëve në kokë dhe dy të tjerë në trup i shkaktuan vdekjen. Pista kryesore e hetimit është hakmarrja. Familja Bilali ka qenë në konflikt me atë Xhabafti. Arben Bilali në vitin 2010 i ka shpëtuar një atentati ndërsa po në atë vit, disa muaj më pas, (gusht 2010) në një atentat i kanë ekzekutuar vëllanë e vogël, Leonard Bilali, ish-mundës i Dinamos. Ndërsa në vitin 1997 në një përplasje me armë zjarri është vrarë vëllai tjetër, Bujar Bilali. 

 


Viktima Arben Bilali.

Ora 15:10 – Detaje për viktimën.

Arben Bilali ishte banor i zonës së Selitës dhe ngjarja ka ndodhur pak metra larg banesës së tij teksa ai ishte duke ecur në këmbë. 50-vjeçari ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.

 

Mësohet gjithashtu edhe bashkëshortja e viktimës është punonjëse në Policinë e Shtetit. Ajo punon si shefe e sektorit të statistikave në polici.

Ora 15:30 - Kamera e biznesit filmoi momentin e vrasjes

Një kamera sigurie e një biznesi shumë pranë vendngjarjes ka filmuar momentin e vrasjes së ish-oficerit të policisë Arben Bilali. Siç duket edhe nga fotot e siguruara nga Report Tv pozicioni i kameras së sigurisë është në vijën e drejtë me vendin ku ka ndodhur vrasja dhe rruga nga u larguan autorët. Policia ka sekuestruar  të gjitha pamjet filmike.

Ora 15:40 – Dëshmitë e qytetarëve.

Disa qytetarë janë bërë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur rreth orës 14:30. Sipas dëshmive të tyre kanë qenë tre persona të maskuar të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar me shpejtësi me një automjet tip "Mercedes Benz S" me targa të huaja në drejtim të "Unazës së Re".

Ora 18:15 - Ndalohet nga policia një person i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e ish-oficerit të policisë Arben Bilali. Report TV mëson se i ndaluari është rreth 30 vjeç. Ai dyshohet se ka gisht në atentatin e sotëm në zonën e Selitës në kryeqytet. Personi është shoqëruar në komisariat në këto momente dhe po merret në pyetje. 

Kronologji e vrasjeve të mëparshme
Historiku i përgjakjeve vijon që nga viti 1997 kur është ekzekutuar një vëlla i Arben Bilalit, Bujar Bilali.  Familja Bilali ka pasur konflikte me familjen Xhabafti në Tiranë prej vitit 1997.


Report TV ka mësuar gjithashtu se Arben Bilalit i është bërë një atentat edhe në maj të vitit 2010 nga i cili ai ka mbetur i plagosur po në zonën e Selitës.

 

Ndërsa disa muaj më pas, në gusht të vitit 2010 atij i kanë ekzekutuar vëllanë, Leonard Bilali ish-mundës i Dinamos, 33-vjeç i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia. Ai u qëllua teksa ishte i ulur në një nga tavolinat e një bar-kafeje pranë stacionit të fundi të autobusit të Tiranës së Re, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Ditën e sotme, pranë së njëjtës rrugë u ekzekutua edhe ish-oficeri Arben Bilali. 

Fotot nga vendngjarja Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (30/01/2019)