Flakë, gaz lotsjellës dhe përplasje, zgjat tre orë protesta e opozitës para Kuvendit
Ora 16:40 – Protestues të opozitës fillojnë të mblidhen përreth parlamentit, incidentet e para
Teksa protestuesit e opozitës po mblidheshin përreth Parlamentit duke rrethuar të gjitha hyrjet. Deputetët e mazhorancës po futen brenda nga hyrja në anën e pedonales por edhe pranë kësaj hyrje kishte protestues. Disa nga deputetët e PS arritën të kalonin pa u përplasur me turmën ndërsa drejt disa deputetëve të tjerë u hodhën kapsolla. Një “incident” ndodhi edhe me ministrin Klosi i cili u shty nga turma teksa po i afrohej hyrjes, efektivët e policisë ndërhynë për ta nxjerrë nga situata.
Ora 16:55 - Simpatizantët e PD-së shishe me ngjyrues për në protestë
Pak para nisjes së protestës së opozitës, policia ka vendosur masa të forta sigurie përpara parlamentit. Ndërkohë që përpara selisë së PD-së janë parë edhe disa shishe me ngjyrues, të cilat mund të përdoren gjatë protestës.
Përpara parlamentit janë vendosur forca të shumta policie me veshje sigurie, për të shmangur çdo lloj dëmtimi në rast sulmi nga protestuesit e opozitës. Ndërkohë që në forca sigurie janë vendosur edhe mbi ambientet e Kuvendit dhe ndërtesat përreth.
Ora 17:01 - Protestuesit e opozitës hedhin kapsolla dhe flakadanë drejt policisë
Protestuesit e opozitës kanë nisur të hedhin kapsolla dhe tymuese në drejtim të godinës së Parlamentit dhe forcave policore të vendosura për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Ora 17:04 - Basha hap protestën e opozitës: Policia të arrestojë hajdutët e këtij vendi
Simpatizantët e PD-së janë bashkuar me liderët e saj, përpara selisë blu prej nga ku janë nisur drejt Parlamentit, ku po mbahet tubimi i opozitës. Kryedemokrati Basha ka nisur protestën me akuza drejt qeverisë Rama.
"Zëri juaj do të rikthehet në ligj. Kjo është një betejë që do të çlirojë vendin nga klika mafioze dhe nga makthi i përjetshëm. Ky është një bashkim që do të çlirojë udhëtimin europian të Shqipërisë. Vëllezër dhe motra me uniformë ju duhet të arrestoni hajdutët dhe nxirrini me pranga nga Kuvendi. Asnjë fasadë nuk pi më ujë. Edi Rama është shkaktari i varfërisë", tha Basha.
Ora 17:13 - Protestuesit sulmojnë edhe deputetin Paulin Stërkaj para Parlamentit
Protestuesit e opozitës kanë sulmuar edhe deputetin Paulin Stërkaj, teksa ky i fundit futej për në Kuvend për t'ju bashkuar seancës plenare. Protestuesit e kanë shtyrë dhe sulmuar deputetin, për të penguar futjen e tij në Kuvend. Me ndërhyrjen e forcave të policisë, deputeti ka shpëtuar nga turma.
Ora 17:18 - Kryemadhi: Parlamentin do ta rrethojmë çdo ditë që do ketë seancë
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se parlamenti do të rrethohet nga opozita çdo ditë që shumica ta mbledhë për seancë.
"Sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit. Këta treguan se nuk janë përfaqësues të popullit, por të Abdylajve, Habilajve dhe kriminelëve. Nuk ekziston respekti për votuesit e tyre socialistë, por për Vangjushin dhe të gjithë kriminelët e tjerë që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër. Nuk mbetet gjë tjetër për të thënë vetëm 'Rama ik, Rama ik'. Fenomeni i Ramës, nuk duhet ta shikojnë më sytë e shqiptarëve, pasi largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria, që shkatërroi ekonominë shqiptare për të pasuruar 5 njerëz. Ai parlament i cili është thjeshtë krenaria e Ramës, do të jetë turpi i shqiptarëve. Prezenca jonë do të jetë cdo ditë kur ajo seli e parlamentit, më parë ka qenë foltorja e fjalës së lirë, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do i bëjë asaj. Do ta rrethojmë cdo ditë sa herë do të bëjnë seancë", deklaroi Kryemadhi.
Ora 17:23 - Banorët e Astirit i vënë flakën gomës
Protesta e opozitës ka nisur me incidente. Banorët e Astrit i kanë venë flakën një gome e cila po digjet në mes të turmës. Në drejtim të saj ata kanë hedhur edhe kapsolla duke e tensionuar akoma më shumë situatën. Protestuesit vazhdojnë të hedhin tymuese në drejtim të policisë e cila nuk ka bërë asnjë lëvizje, por vetëm shmanget nga sulmet e protestuesve.
Report Tv sjell pamjet me dron të protestës së opozitës para parlamentit, ku janë shënuar edhe disa incidente. PD dhe LSI-ja vijojnë që të protestojnë para parlamentit, teksa brenda po zhvillohet seanca plenare. Drejtuesit e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, pasi vendosën që të digjnin mandatet kërkojnë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike për të organizuar zgjedhjet e parakohshme, por kryeministri e ka hedhur poshtë kategorikisht.
Ora 17:47 - Protestuesit qëllojnë me shishe forcat e policies
Protestuesit e opozitës kanë sulmuar edhe forcat e policisë që kanë rrethuar Parlamentit. I kanë qëlluar efektivët e policisë me shishe të mbushura me ujë dhe ngjyrues. Policia i ka bërë thirrje protestuesve që mos të kryejnë akte dhune, të ruajnë qetësinë dhe të mos protestojnë me dhunë.
Në një megafon dëgjohet thirrja e policisë për protestë paqësore.
Ora 18:27 - Protestuesit i sulen policisë, çajnë kordonin e pare të sigurisë para Kuvendit. Policia hedh gaz lotsjellës
Kanë nisur të përshkallëzojnë përplasjen e tyre me forcat e policisë në kordonin e parë të sigurisë para Parlamentit. Protestuesit janë sulur në turmë duke shtyrë uniformat e policisë. Ndërkohë hidhen kapsollë dhe shashka. Një tentativë kjo për të çarë kordonin e policisë dhe për të kaluar në ambientet e brendshme të Parlamentit. Ka mbërritur në krye të protestuesve edhe lideri i opozitës Lulzim Basha. Është afruar më tej edhe ish-kryeministri Sali Berisha, por deri më tani nuk ka asnjë thirrje të tyre ndaj protestuesve për tu tërhequr.
Në mesin e turmës është edhe ish-deputeti i opozitës Flamur Noka. Protestuesit kanë arritur të çajnë kordonin e parë të sigurisë dhe për të shmangur trazirat forcat e të tjera të policisë së rendit me skafandra kanë hedhur gaz lotsjellës.
Ora 18:47 - Basha dhe Kryemadhi: Nuk ikim! S'keni çfarë na bëni, mbajeni mend...horra!
Pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës kur protestuesit çanë kordonin e parë të uniformave blu para Kuvendit, lideri demokrat Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, mbajtën një fjalë para simpatizantëve, ku thanë se nuk do të largohen derisa deputetët e mazhorancës të dalin nga Parlamenti.
Ora 18:55 - Makina e ujit para Parlamentit gati për të shpërndarë turmën nëse situata përshkallëzohet
Pas shpërndarjes së turmës me gaz lotsjellës makina e hedhjes së ujit është afruar pranë zonës së protestës për të shpërndarë turmën e protestuesve që janë afruar sërish në zonën e protestës bashkë me liderët opozitarë nëse situata përshkallëzohet.
Ndërkohë Garda e Republikës bën thirrje për ruajtje të rëndit dhe sigurisë.
Ora 19:00 - Momenti kur Monika Kryemadhi vrapon pas hedhjes së gazit lotsjellës
Në një video të filmuar nga Report Tv, shihet kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, teksa largohet nga turma e protestuesve, pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës. Ky vendim i policisë erdhi pasi protestuesit çanë kordonin e parë të policisë para Kuvendit, ku brenda mbajnë seancë plenare vetëm deputetët e mazhorancës.
Kryemadhi shihet në këtë video teksa largohet me shpejtësi, ndërsa i krijohen vështirësi nga gazi lotsjellës. I vjen në ndihmë ish-deputeti Ervin Salianji, me të cilin largohen së bashku drejt një lokali, për t'ju shmangur gazit lotsjellës.
Ora 19:05 - Protestuesit këmbëkryq përpara parlamentit: Rama ik
Protestuesit e opozitës janë rikthyer sërish përpara parlamentit, pas shpërndarjes së turmës më gaz lotjellës. Ata janë ulur këmbëkryq dhe bëjnë thirrje "Rama ik".
Ora 19:22 - Sulmohet makina e zyrtarit të policisë nga protestuesit e opozitës
Nga terreni gazetarët e Report Tv, raportojnë se gjatë momentit që turma është shpërndarë pas hedhjes së gazit lotsjellës në tentativë për të carë kordonin e policisë, kanë thyer xhamat e makinës së komandantit të Trafikut të Policisë Rrugore të Tiranës, Taulant Gjoka. Protestuesit janë larguar në drejtim të rrugës së Elbasanit për t'i shpëtuar gazit lotsjellës, aty ku kanë sulmuar makinën e zyrtarit të policisë, duke i thyer xhamat. Makina ka qenë e parkuar.
Ora 19:22 - Sulmohet makina e zyrtarit të policisë nga protestuesit e opozitës
Nga terreni gazetarët e Report Tv, raportojnë se gjatë momentit që turma është shpërndarë pas hedhjes së gazit lotsjellës në tentativë për të carë kordonin e policisë, kanë thyer xhamat e makinës së komandantit të Trafikut të Policisë Rrugore të Tiranës, Taulant Gjoka. Protestuesit janë larguar në drejtim të rrugës së Elbasanit për t'i shpëtuar gazit lotsjellës, aty ku kanë sulmuar makinën e zyrtarit të policisë, duke i thyer xhamat. Makina ka qenë e parkuar.
Ora 19:23 - Basha -Ramës: I shpalle luftë qytetarëve, koston do ta mbash 100 %
Lideri demokrat Lulzim Basha edhe pse kanë kaluar më shumë se dy orë nga protesta e opozitës, dhe përplasjet e vazhdueshme mes forcave të policisë, nuk u ka bërë thirrje simpatizantëve të tërhiqen. Ai ka dënuar hedhjen e gazit lotsjellës, pasi turma tentoi të çajë kordonin e policisë. U shpreh se kryeministri Edi Rama do të mbajë përgjegjësi për hedhjen e gazit lotsjellës.
Ora 19:57 - "Ikën si minjtë", Basha përmbyll pas tre orësh protestën e opozitës: “Beteja vazhdon”
Pasi Kuvendi i Shqipërisë mbylli seancën plenare me miratimin nga votat e mazhornacës të dy strukturave të rëndësishme të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, lideri demokrat Lulzim Basha njoftoi edhe mbylljen e protestës që opozita mbajti për tre orë jashtë Parlamentit.
Ora 20:30 - Çfarë la pas protesta para parlamentit/ Grupi hetimor mbledh provat
Rreth 30 minuta nga mbyllja e protestës grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat dhe nisur hetimet. Report TV sjell pamjet kur duken ekspertët e kriminalistikës duke mbledhur provat para parlamentit.