Fushë-Krujë, tritol në oborrin e shtëpisë së Xhisiela Malokut, 25-vjeçarja: Kërcënim nga opozita

Ora 23:30 (7 tetor) – Shpërthim me tritol në banesën e Xhisiela Malokut

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në mbrëmje në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, në oborrin e përbashkët të shtëpisë së Besim dhe Ramazan Muçës, ky i fundit është gjyshi nga ana e mamasë së Xhisiela Malokut, në shtëpinë e të cilit ajo jeton bashkë me nënën dhe motrën.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale, ndërsa familjarët kanë mbetur të tmerruar dhe kanë njoftuar policinë. Efektivët dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku edhe kanë filluar punën për kapjen dhe identifikimin e autorëve. Ndërsa deri më tani në komisariat janë shoqëruar 9 persona.

 

Ora 10:00 (8 tetor) - Kryeministri Rama fajëson opozitën për tritolin në banesën e Xhisielës

Kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama nga mbledhja e grupit parlamentar në kryesinë e Kuvendit, ka akuzuar opozitën në lidhje me tritolin që iu vu mbrëmjen e djeshme, Xhisiela Malokut.

Në fjalën e tij, Rama është shprehur se nuk i intereson mazhorancës që të krijojë mendimin se Xhisiela është nën trysi të rënduar psikologjike por opozitës.

“Mbrëmë natën i vunë tritol në shtëpi, kush është i interesuar për të krijuar idenë se vajza është në një trysi psikologjike. Kush është i interesuar, ne?S’ka mendje, as peshqit e liqenit artificial, se besojnë këtë. S’ka mendje normale që e beson këtë.”- tha Rama

Ora 10:10 - Ironia e ish-ministrit Manjani: "Prokuroria e Krimeve të Lehta do të akuzojë opozitën"
Me anë të një statusi në Facebook, ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI-së, Ylli Manjani, i cili është shprehur me ironi se tritoli u vu nga opozita.

"Edhe tritolin në banesën e gjyshit të Xhisielës e vuri Opozita, apo jo?! Prokuroria e Krimeve të Lehta do të akuzojë opozitën…"

Ora 11:30 – Xhisiela Maloku: U kërcënova nga opozita pasi i nxora blof në lojën e tyre.

Pas tritolit që iu vendos dje në mbrëmje në banesën e saj, ka reaguar për mediat vetë Xhisiela Maloku. Në një prononcim për kamerat, pa zbritur nga makina e saj,  Xhisiela Maloku u shpreh se sulmi ka ardhur nga radhët e opozitës pasi ajo i nxori blof në lojën e tyre politike. Sipas saj, tashmë ajo do ta pranojë urdhrin e mbrojtjes pasi ndjehet e kërcënuar nga opozita.

 

"Është mëse e qartë që është bërë nga PD dhe opozita. Të vërtetën e di unë dhe vetëm unë. Unë dola thashë të vërtetën, ata dolën blof në lojën e tyre politike. Deri dje nuk isha e rrezikuar tani jam e rrezikuar nga opozita. Tani do ta pranoj mbrojtjen. Por s'do largohem nga Shqipëria".

 

Më tej, Xhisiela është shprehur se asnjëherë nuk është ndjerë e kërcënuar nga Rexhepi apo dhe nga familja e tij, madje në momentin e shpërthimit të eksplozivit personi i parë që ajo ka telefonuar është kushëriri i ish-të dashurit të saj.

Ora 12:00 - Xhisiela Maloku mesazh personal Sali Berishës: Më lër rehat, mua dhe familjen time

Pak minuta pasi bëri përgjegjëse Partinë Demokratike për tritolin që iu hodh në oborrin e shtëpisë, Xhisiela Maloku ka edhe një mesazh personal për Sali Berishën të cilin e ka dërguar në Report TV.  Ajo i kërkon ish-kryeministrit ta lërë rehat atë dhe familjen e saj. Në gjithë këtë histori, Xhisiela thotë se askush nga PD nuk iu gjend pranë. Vajza shton ndër të tjera se për çdo gjë që i ndodh asaj e familjes së saj do mbajë përgjegjësi PD.

 

"Kam dhe diçka në lidhje me Sali Berishën, personalisht. Kërkoj që ai e partia e tij të më lërë rehat mua dhe familjen time sepse ato kanë hallin e tyre jo hallin tim. Unë dyshoj tek Partia Demokratike për motivet e tyre politike, gjë e cila është e qartë nga mbarë opinioni publik deri ditën e sotme. Këto të Partisë Demokratike përse nuk erdhën askush të më pyesin, qoftë dhe me një telefonatë si jam, në çfarë gjendje jam, çfarë po ndodh. Përgjigjen ju a jap unë sepse dhe ata si unë e dinë të vërtetën. Çfarë do më ndodhë mua dhe familjes time në vazhdim, Partia Demokratike do mbajë pëgjegjësi të plotë". thotë vajza.

Ora 13:20 - Reagimi nga PD, Edi Paloka për akuzat e Xhisielës: Fantazi, mendova se do deklaronte se e kishte vënë vetë

Pas eksplozivit në oborrin e banesës së Xhisiela Malokut në Fushë Krujë dhe akuzave të saj në drejtim të opozitës, reagimi i parë nga Partia Demokratike ka qenë ai i deputetit të PD, Edi Paloka.

“Këta kalojnë dhe fantazinë... Që mund ta nxirrnin atë vajzën të deklaronte se e kishte vënë vetë tritolin e mendova , po që të deklaronte pas Ramballes , se ja kishte vene opozita nuk arrita ta imagjinoja”. – shprehet Paloka

(08/10/2018)