Gjykata e lë në burg, Klement Balili i buzëqeshur tek Krimet e Rënda: Jam i pafajshëm

Ora 13:30 – Klement Balili niset drejt Gjykatës nga Drejtoria e Policisë

Dy ditë pasi u vetëdorëzua tek Drejtori i Përgjithëm i Policisë Ardi Veliu, Klement Balili do të përballet me Gjykatën. Ai u nis nga Drejtoria e Policisë në kryeqytet drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë. 

Ora 13:45 – Klement Balili mbërrin në Gjykatë, policia e fut nga hyrja e pasme

Automjeti i policisë ku ndodhej Klement Balili u fut në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga hyrja e pasme. Në ambientet e jashtme të gjykatës masat e dukshme të sigurisë janë të pakta dhe duket se nuk janë dashur masa të tjera shtesë pasi përveç mediave të pranishme përreth Krimeve të Rënda nuk kishte prezencë të madhe të të afërm të Balilit. 

Ora 14:00 - Nis seanca për verifikimin e masës së sigurisë

Nën drejtimin e gjyqtares Miliana Muça ka nisur seanca për verifikimin e masës së sigurisë të Klement Balilit. Fillimisht në seancë janë lejuar për pak momente mediat, në këto momente Balili shfaqet i qeshur pas xhamit të sigurisë në sallë ndërsa mbrohet nga avokati Theodhori Sollaku. Prokurori i çështjes Ened Nakuçi kërkoi që media mos të jetë prezentë në vijim për shkak të sekretit hetimor. Ndaj Balilit janë ngritur 4 akuza.

 

1.Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim.
2. Pjesëmarrje në Grup të Strukturuar Kriminal.
3. Refuzim për deklarimin e pasurisë pranë ILDKPI gjatë kohës kur ishte funksionar.
4. Pastrim parash.

Ora 14:05 –Klement Balili flet para gjyqtares Miliana Muça: “Nuk kam asgjë për të thënë, jam i pafajshëm”, ishin këto të vetmet fjalë të thëna prej tij. 

Si rrallë herë më parë, interesimi i mediave në këtë seancë ka qënë i madh kjo edhe për shkak se bëhet fjalë për Klement Balilin. Personi më i njohur dhe përfolur në 3 vitet e fundit që ai ishte në arrati. I akuzuar si "Eskobar i Ballkanit" Balili ishte në kërkim ndërkombëtar dhe i shpëtoi kapjes nga policia në disa aksione të kryera.

Ora 14:10 – Pas kërkesës nga prokurori që media të mos ishte e pranishme në vijim të seancës për shkak të sekretit hetimor, gjyqtarja Miliana Muça i kërkon gazetarëve të largohen nga salla.

Ora 14:35 – Gjykata lë në burg pa afat Klement Balilin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka bërë verifikimin e masës së sigurisë për Klement Balilin dhe ka vendosur që ta lërë në burg pa afat. Vendimi i dhënë pas rreth 40 minutash seancë. 

Ora 14:40 – Avokati Theodhori Sollaku: Nuk ka asnjë provë për Balilin

Theodhori Sollaku kundërshtoi vendimin duke mohuar akuzat ndaj Klement Balilit duke lënë të kuptohet se do të apelojnë vendimin.

 

“Nuk ka asnjë provë, direkte, indirekte apo indicie që Klement Balili është përfshirë në trafikimin e 670 kg lëndë narkotike e kapur në ishullin Zakintos”, tha Sollaku për mediat. Ndërsa Klement Balili u transferua në një qeli paraburgimi, ku do të qëndrojë i vetëm për arsye sigurie.

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (17/01/2019)