IKMT nis aksionin për ndërtimet pa leje në Jalë, prishen 9 biznese

Ora 07:00 – IKMT: Janë ndërtuar në token e ushtrisë, do prishen 9 objekte pa leje

Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit nisi mëngjesin e sotëm aksionin për prishjen e 9 bizneseve të ndërtuara pa leje pranë bregdetit në Jalë.

Ndërtesat që po shemben nga IKMT përdoreshin si hotele dhe dyqane. Sipas IKMT këto biznese ishin njoftuar prej 15 korrikut për prishjen dhe iu është bërë thirrje të largoheshin. Gjithashtu sipas IKMT pronarëve iu është bërë e ditur se ato bizneset nuk mund të legalizohen sepse janë ndërtuar në tokën e ushtrisë dhe ishin përjashtuar nga procesi i legalizimit.

Ora 07:20 - Pronarët e bizneseve kundërshtojnë prishjen, përballen me policinë

Pronarët e bizneseve të planifikuara se do të prishen kanë kundërshtuar aksionin e IKMT. Ata thonë se nuk janë njoftuar për shembjen e ndërtesave ndërsa janë përplasur me policinë dhe kanë thënë se po tentohet që të nxirren me dhunë. Sipas tyre shteti po u merr bukën e gojës duke iu shkatëruar ndërtesat me gjithë mallin.  

Ora 11:00 - Pronarët e bizneseve: Na latë rrugëve, kemi bërë si gjithë shqiptarët

“Vepruam si gjithë shqiptarët, nuk kemi bërë krim”, kjo është ajo çfarë thotë një prej pronareve biznesi i të cilës po shembet nga IKMT në Jalë.

Pronarët e tjerë kanë thënë se kanë rreth 30 vite në këtë tokë. “Kemi bukën e fëmijëve, na latë rrugëve, more! Edi Rama, je kriminel me pagesë”- bërtet një nga pronaret.

“Duan të na asgjësojnë krejtësisht. Po na prishin objektet bashkë me mallrat që kemi brenda ndërsa ne s’kemi marrë njoftim për shembejn. Kam bërë një gabim në jetën time: I dhashë 300 vota Edi Ramës që më ka mashtruar”, vijoi një nga pronarët e tjerë 

Ora 11:30 - Aksioni i IKMT-së për ndërtimet pa leje, dy deputetë të PD nisen në Jalë

Pak orë pasi Inspektoriati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi një aksion për prishjen e 9 objekteve në Jalë, kryesisht biznese dhe lokale, dy deputetë të PD-së janë nisur për atje.

Nada Meçorapaj dhe Agron Shehaj kanë shkuar në mbështetje të pronarëve të bizneseve në Jalë. Të enjten, Partia Demokratike ka organizuar të mbledhë edhe grupin parlamentar në këtë qytet.

Ora 12:00 - Policia shoqëron 7 pronarë në Jalë, mes tyre një adoleshente 

Efektivët e Policisë së Shtetit kanë shoqëruar 7 nga pronarët e objekteve të shembura në Jalë, që kanë shërbyer si biznese. Mes të shoqëruarve është edhe një vajzë adoleshente 14-vjeçe.

Të 7-të personat kundërshtuan ndërhyrjen e IKMT-së dhe janë konfrontuar me policinë duke u  shoqëruar në komisariat siç mund të shihet edhe në pamjet e Report TV.

Ora 15:00 - Debate mes deputetit të PD dhe inspektorit të IKMT në Jalë: "Hajdut! Jeni familje hajdutësh"

Debate mes deputetit të PD, Agron Shehaj dhe kreut të inspektorit të IKMT së Vlorës, Fatmir Meta. Deputeti demokrat i Qarkut të Vlorës mbërriti në Jalë pas nisjes së aksionit të IKMT për shembjen e 9 bizneseve, lokale dhe hotele. Shehaj i shoqëruar nga Nada Meçorapaj mbërritën në mbështetje të qytetarëve kundër shembjes së bizneseve të tyre.

 

"Ju keni marrë shpirtin njerëzve. E bëni për paratë. Vini si hajdutë këtu. Jeni hajdutë dhe shembni shtëpi", dëgjohet t'i drejtohet Shehaj inspektorit të IKMT.  

 

"Hajdut je ti, hajdut brez pas brezi. Nuk më tregon ti hajdutin. Vini për politikë këtu ju. Politikën bëjeni andej se ju e keni katandisur këtë vend kështu", i kthehet kryeinspektori IKMT Vlorë, deputetit Shehaj. 

Ora 19:00 - Basha: Në krye të IKMT bashkëpunëtori i vrasjes së Hajdarit, Rama do përgjigjet me kokën e tij

12 orë pas nisjes së aksionit nga policia në Jalë, kreu i PD Basha ka dalë në një deklaratë për mediat. Basha tha se: “Prania policore në Jalë ka qëllim grabitjen e trojeve. Ndërhyrja ka qenë e dhunshme dhe e paligjshme”. Sipas tij: “Toka do i kalojë në pronësi ministrisë së Mbrojtjes për tu shndërruar në pasuri të miqve të Ramës”.

Basha vijoi duke thënë se: “Kryeinspektori Fatmir Meta kërcënoi deputetin Shehaj, ndërkohë që ishte në detyrën e tij.  Fatmiri i Nasibesë është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Me makinë e tij udhëtoi në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarit. Bashkëpunëtori në vrasjen e Hajdarit i shërben bandës së Ramës dhe Xhafajt. PD do të depozitojë sot padinë për banditin”, përfundoi Basha.

(18/09/2018)