Klement Balili në prangat e policisë!
Ora 08:45 – Klement Balili përshëndetet me familjarët dhe niset për t’u dorëzuar në polici.
I shumëkërkuari Klement Balili nga vila e tij në fshatin Stjar pranë Delvinës përshëndetet me familjarët e tij për t’u dorëzuar më pas tek Policia e Shtetit. Report TV ka siguruar ekskluzivisht momentet kur Balili përshëndet të afërmit dhe niset me një mjet Benz ML me targa AA 247 TC të të afërmeve të tij për t’u dorëzuar.
Ora 09:00 – Klement Balili dorëzohet tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu
Në orën 09:00 të mëngjesit i shumërkuari Klement Balili dorëzohet tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Dorëzimi ndodhi në zonën e njohur si ish-pularia pranë fshatit Vane, vetëm 3 km larg nga banesa e Balilit në fshatin Stjar të Delvinës. Report Tv ka siguruar në video edhe këto momente të dorëzimit të Klement Balilit.
Ora 09:10 – Balili në mjetin e Ardi Veliut nisen drejt Tiranës
Pas dorëzimit Klement Balili hipën në automjetin tip "Range Rover" të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duke u nisur nga Delvina drejt kryeqytetit. Mjeti Range Rover i Ardi Veliut shoqërohet nga Delvina drejt Tiranës edhe nga një makinë tip "BMW" ku ndodhen edhe 3 efektivë të policisë.
Harta tregon ku ndodhej Klement Balili dhe pikën e dorëzimit tek Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Ai u nis nga fshati Stjar i Delvinës ku dhe banon drejt zonës së ish-pularisë pranë fshatit Vane ku dhe u dorëzua.
Kliko për ta parë të madhe
Harta tregon ku ndodhej Klement Balili dhe pikën e dorëzimit tek Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Ai u nis nga fshati Stjar i Delvinës ku dhe banon drejt zonës së ish-pularisë pranë fshatit Vane ku dhe u dorëzua.
Kliko për ta parë të madhe
Ora 10:30 - Ish-kryeministri Berisha shkruan në Facebook se i shumëkërkuari Kelment Balili është vetëdorëzuar në polici.
Përmes një postimi në rrjetin social, Berisha shkruan se u informua nga “Qytetari dixhital” se Balili u dorëzua tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe se ishte nisur drejt Tiranës me Rigels Balilin.
Ora 12:00 - Ministri Lleshaj: Balili u gjurmua nga partnerët dhe shërbimi sekret
Lajmi i dorëzimit të Kelment Balilit bëhet zyrtarisht i ditur për mediat nga Ministri i Brendhsëm Sandër Lleshaj. Ai njoftoi zyrtarisht se Klement Balili është vendosur në prangat e Policisë së Shtetit. Ministri nuk dha shumë detaje por sqaroi se është bërë në bashkëpunimin me partnerët dhe shërbimn isekret.
Ora 12:05 – Kryeministri Rama: Hap i madh në luftën kundër krimit të organizuar
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi i shumëkërkuari Klement Balili ka përfunduar në prangat e policisë. Rama shkruan në rrjetet sociale se ky është një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar duke mos harruar që të urojë për arritjen ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Policinë e Shtetit dhe SHISH. Sipas tij kapja e Klement Balilit është një nga operacionet më të sofistikuara policore, i cili ka vijuar për muaj të tërë dhe vetëdorëzimi i Balilit është përfundimi i tij me sukses.
Ora 12:20 – Presidenti Meta: Falenderoj partnerët për presionin e gjithanshëm
Për dorëzimin e Balilit ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, ai u shpreh se përshëndet ndalimin e Klement Balilit, sipas tij një person me probleme mjaft serioze me ligjin. “Falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot”, - tha kreu i shtetit.
Ora 12:34 - Theodhori Sollaku avokat i ‘Escobarit të Ballkanit’, 4 akuzat ndaj tij
Report Tv mëson se avokati i Balilit është Theodhori Sollaku. Gazetari Elton Qyno thekson se Balili akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, grup të strukturuar, mosdeklarim të pasurisë, pasi Balili ka qenë drejtor i Transporteve dhe kishte detyrim të deklaronte pasurinë dhe pastrim parash, janë katër akuzat që ka konsumuar. Ne dy ditët në vijim pritet që të dalë para gjykatës për njohjen me akuzat. Pak ditë më parë mbërriti në Shqipëri edhe letërporosia nga Greqia për Balilin, ndërsa në fund të janarit dosja pritet që të shkojë në gjykatë.
Ora 12:47 - Drejtori i Policisë sjell Balilin në ambientet e Komisariatit Nr. 6
Klement Balili ka mbërritur nga Delvina në Tiranë me eskortën e Ardi Veliut. I shoqëruar nga vetë drejtori i policisë së Shtetit me makinën e tij. Aktualisht ai ndodhet në qelitë e paraburgimit në komisariatin nr. 6 në Tiranë në Kombinat, ku do i komunikohen akuzat.
Ora 13:09 - Burime për Report Tv: Balili kërkon që të mos ekstradohet në Greqi
Report Tv zbulon të tjera detaje të tjera. Sipas burimeve, Kelment Balili ka kërkuar që të mos ekstradohet në Greqi, por të përballet me drejtësinë në Shqipëri. Klement Balili kërkoi gjithashtu një proces të drejtë e ligjor dhe kushte të mira në qeli.
Ora 13:23 - Balili dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Nga Komisariati nr. 6 në Tiranë, Klement Balili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit
Ora 14:16 - Avokati i Balilit: Ja pse u dorëzua tani dhe prova që e akuzon prokuroria
Theodhori Sollaku, avokati i Klement Balili pas takimit në drejtorinë e Policisë së Tiranës me klientin e tij u shpreh për mediat se:
"Duhet të jetë i ndërgjegjshëm që nga momenti i daljes së urdhrit të arrestit trysnia ka qenë e madhe për ta arrestuar edhe pse nuk ka pasur asnjë provë. Tani që erdhi letër porosia e plotësuar me aktet dhe hetimet janë drejt përfundimit, Balili vendosi që të dorëzohej. Balili nuk i është shmangur në asnjë moment drejtësisë, pasi në dy vite drejtësia nuk ka kryer asnjë veprim procedural. Ditët e fundit është negociuar mes familjarëve dhe policisë dhe sot është dorëzuar”. Deklaroi avokati Sollaku.
Ora 14:40 - Gazetari Artan Hoxha tregon në studion e lajmeve si u dorëzua Balili. Nesër intervista ekskluzive
Ai ka treguar detajet e operacionit të dorëzimit të Balilit në Polici nga Delvina në Tiranë. Në intervistën e tij në studio, Hoxha u shpreh se arrestimi i tij është një ngjarje e madhe pasi ai ishte më i kërkuari dhe se përmendjen në cdo deklaratë të Ambasadës Amerikane. Artan Hoxha ka treguar se si edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu ka negociuar me Balilin duke bërë të mundur kështu edhe vetëdorëzimin.
“Merita ekskluzive për negociatat i takojnë Ardi Veliut. Askush nuk ka pasur dijeni për operacionin e Veliut. Në kohën e Xhafajt është tentuar disa herë për të arritur disa marrëveshje duke kontaktuar familjarë dhe njerëz të afërm të tij. Kushti i vetëm i tij ka qënë që të vinte dosja nga Greqia. Dosja ka ardhur në 10, në 12 është negociuar me Ardi Veliun”, tha Hoxha.
Ai gjithashtu ka treguar se Balili për 2 vite është fshehur në Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
Një intervistë ekskluzive e Klement Balilit për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha para dorëzimit do të transmetohet ditën e nesërme në orën 20:30 në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV.
Ora 16:46 - Ambasadori i BE Soreca: Moment i rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka komentuar vetëdorëzimin e Klement Balilit. Sipas tij "Ndalimi i tij paraqet një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës është prioritet kryesor për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian", shkruan Soreca në Twitter.
Ora 17:00 - Ambasada e SHBA në Tiranë: Përgëzojmë Policinë e Shtetit. Kush e ka radhën!
Për vetëdorëzimin e Balilit ka reaguar Ambasda e SHBA në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ambasada e SHBA shkruan: “Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjensitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Kush e ka radhën”