Krimi në familje në Tiranë, dhëndri vret vjehrrin, vjehrrën dhe më pas veten

Ora 06:56 – Efektivët e policisë së rendit gjejnë trupat e pajetë të dy personave në një banesë në rrugën “Kristaq Mone” në Unazën e Re, të cilët ishin vrarë me armë zjarri, përkatësisht burrë e grua Bujar Mata dhe Valentina Mata 63 dhe 52 vjeç. Poshtë ballkonit të banesës së tyre u gjet edhe dhëndri i familjes, 52-vjeçari Majlind Lila i cili ishte i plagosur rëndë por me shenja jete. Ai u dërgua në spital por nuk arriti të mbijetonte.

Ora 07:30 – Mësohet se dhëndri 52-vjeçar ka ekzekutuar me armë zjarri vjehrrin dhe vjehrrën, pas krimit ai kishte lënë armën brenda në banesë pasi i ishte bllokuar dhe pasi kishte goditur veten me thikë ishte hedhur mbi disa kangjella nga ballkoni i katit të dytë për t'u vetëvrarë.

Ora 08:00 - Mësohet se dhëndri Majlind Lila me origjinë nga Burreli kishte dy ditë që ishte kthyer nga Suedia. Ai ka bashkëjetuar me vajzën e çiftit Mata, Nevilën me të cilën kishte një vajzë të vogël.

Ora 08:20 - Kronologjia si ndodhi krimi

Autoambulancat e morgut mbërrijnë në vendngjarje për të marrë trupat e dy viktimave. Bujar Mata dhe Valentina Mata u ekzekutuan nga dhëndri i tyre i cili kishte konflikte me Nevilën, pasi ajo nuk kishte pranuar që të kthehej në Shqipëri me të dhe për këtë arsye ai i ka vrarë prindërit. Policia gjeti tre gëzhoja në banesë, 63-vjeçari Mata u gjet i vrarë në dhomën e ndenjes, ndërsa bashkëshortja e tij u gjet në korridorin e shtëpisë në përpjekje për t’ju larguar vrasësit. Dhëndrit i është bllokuar arma pasi qëlloi mbi vjehrrën çka bëri që ai ta linte brenda banesës, ndërsa pasi kishte goditur veten me thikë ishte hedhur mbi disa kangjella nga ballkoni i katit të dytë për t'u vetëvrarë.

Fotot e viktimave

Shqiptarja.com siguron fotot e çiftit Mata, Bujar dhe Valentina Mata 63 dhe 52 vjeç të cilët mbetën të vdekur pasi u qëlluan me armë nga dhëndri i tyre. 

Ora 08:30 - Raportimi i parë live nga vendi i ngjarjes

Gazetari i Report TV Driçim Çaka në lidhje direkte nga vendi i ngjarjes ka bërë të ditur të dhënat e para për krimin e rëndë.

Ora 08:50 – Policia vijon kryerjen e hetimeve, trupat e çiftit Mata ende në banesë, ndërsa i autorit në spitalin e Traumës

Trupat e çiftit të ndjerë Mata ndodhen ende në banesën e tyre në zonën e Astirit. Ndërsa makina e morgut të Tiranës ndodhet jashtë. Grupi hetimor po vijon kryerjen e të gjithë veprimet të duhura hetimore për të zbardhur skemën e vrasjes. Ndërkohë trupi i autorit të dyshuar Majlind Lilës ndodhet në spitalin e Traumës, ku u transportua pasi u gjet ende me shenja jete pranë ballkonit të banesës së ish-vjehrrit dhe vjehrrës së tij.

Ora 10:00 – Mësohet se dhëndri Majlind Lila konsumonte shpesh pije alkoolike. Dyshohet se edhe në momentin e kryerjes së krimit së të rend ai mund të ketë qënë nën efektin e pijes. Pas përfundimit të ekspertizës nga ekspertët në vendngjarje, u larguan me autoambulancat e morgut edhe trupat e dy viktimave.

Ora 11:03 - Fqinjët e çiftit Mata: Ishin shumë familje e mirë, jemi të tronditur

Fqinjtë e çiftit Mata janë shprehur për kamerat e Report Tv se ishin të tronditur nga lajmi dhe se nuk mund ta besonin pasi të dy ishin njerëz shumë të mirë.

 

“Shumë familje e mirë. Jemi shumë të tronditur. Sipas thashethemeve këta kanë pasur konflikte por nuk e mendonim që do arrinte deri këtu. I njohim prej 25 vitesh,” – tha fqinji.

 

Ndërsa fqinja tjetër mes lotësh u shpreh se prej 18 vitesh që jetonte në lagje nuk kishe dëgjuar kurrë një konflikt prej tyre. 

 

“Njerëz me të mirë nuk kam parë. Kemi qarë, jemi trishtuar shumë. Famlije shumë e rregullt. Nuk na shkonte mendja që do të ndodhte kjo gjë. Jemi shumë të trishtuar. Eshtë bërë hataja”, - tha fqinja përmes lotëve. 

KRONIKA

Rruga ku ndodhet banesa ku ndodhi krimi

Fotot nga vendngjarja Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (14/01/2019)