Protesta e 8-të e studentëve para Ministrisë së Arsimit, Rama: Dakord në parim me 8 pikat, ejani për dialog

Ora 08:47 -  Gjimnazistët e Tiranës bojkotojnë mësimin, i bashkohen protestës së studentëve

Gjimnazistët e Tiranës i janë bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët e gjimnazeve ‘Sami Frashëri’, Qemal Stafa, dhe disa shkollave të tjera të mesme në vend kanë bojkotuar mëngjesin e sotëm mësimin duke iu bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët kanë bllokuar edhe rrethrrotullimin tek Zogu i Zi dhe po marshojnë drejt MASR për t’ju bashkuar studentëve.

Ora 09:02 - Studentë nga Durrësi dhe Elbasani nisen në Tiranë.

Studentë nga qyteti i Durrësit dhe Elbasanit janë nisur drejt Tiranës për t’ju bashkuar protestës së studentëve. Gjimnazistët e Elbasanit ndërkohë kanë bojkotuar mësimin për të qenë në mbështetje të studentëve.

Ora 09:13 - Studentët bllokojnë rrugën e Elbasanit, masa të shtuara sigurie

Ka nisur grumbullimi i studentëve në disa nga pikat kryesore në Tiranë. Studentët e Shkencave Sociale dhe Fakultetit Ekonomik kanë marshuar në Rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin në një nga arteriet kryesore të lëvizjes në kryeqytet.

Me pankartën: Kërkesat tona të panegociueshme, studentët kanë bllokuar rrugën dhe po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit. Shqiptarja.com ka mësuar se në Tiranë janë vendosur masa të shtuara sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e protestës.

Ora 09:45  - Studentët e Universitetit Bujqësor nisin marshimin drejt protestës te Ministria e Arsimit

Këto janë pamjet kur studentët e Universitetit Bujqësor nisen nga Kamza për te protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Ora 10:30 - Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, thirrje: E duam Shqipërinë si gjithë Europa 

Shqiptarja.com sjell pamje nga protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Sic shihet pjesëmarrja e studentëve në protestë vijon të jetë e lartë si në ditët e tjera, ndërsa sot theksojmë se protestës i janë bashkuar edhe gjimnazistët. Studentët vazhdojnë të thonë se gjithë Shqipëria është me ta: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Gjithë Shqipëria është me ne".

Ora 10:53 - Indinjata e ‘Body-gardit’ të Kryemadhit në protestën e studentëve: Jemi të ngopur me politikë, s’ka dialog dhe negociata

Sekretari i Burimeve Njerëzore për LRI, Gaetano Doçi i njohur për mediat si ‘Bodyguard-i’ Monikës  është bërë aktiv sërish sot në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit. I ulur në tokë në shenjë proteste, i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri mbi arsyet e protestës dhe vijimin e aksionit të studentëve, Doçi tha se shqiptarët janë të lodhur nga kjo klasë politike, që sipas tij, në 28 vite nuk kanë realizuar asgjë për arsimin.

Ora 11:17- Kryeministri Rama: Ejani në kuvend për dialog dhe për t'i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në kohën kur para Ministrisë së Arsimit po zhvillohet protesta e studentëve. Rama thotë se është i gatshëm të nisë procesin e dialogimit me studentët qoftë edhe në sallën e Parlamentit, por nuk harron t'ju dërgojë studentëve një tjetër mesazh që të kenë kujdes nga ndërhyrjet politike.

Ora 11:43 – Kreu i PD Basha: Të shfuqizohet ligji, të dyfishohet buxheti për arsimin e lartë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë. Basha thotë se ndryshimi duhet të nisë me shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë si edhe me dyfishimin e buxhetit për arsimin.

Ora 12:11 – Protesta, shfaqet sërish Sali Lushaj, këtë herë si student

Në protestën ‘jopolitike’ të studentëve nuk mungon edhe Sali Lushaj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Si në çdo protestë që bëhet në Tiranë, nuk mund të mungojë personazhi më ‘karizmatik’ i manifestimeve politike.  Bëhet fjalë për Sali Lushën, ish-truprojën e Sali Berishës, kur ishte president.  Lushaj është fotografuar në mes të turmës së studentëve që prej 8 ditësh kanë si parullë kryesore ‘Jo politikë’.

Ora 12:38 - I bie të fikët një protestueseje, transportohet me ambulancë

Një nga studentet e pranishme në protestën para ministrisë së Arsimit ka humbur ndjenjat. Studentja është transportuar me autoambulancë në spital, dhe mësohet se i është dhënë ndihma e parë dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ora 12:59 Qytetarët iu shpërndajnë bukë, studentët: Do përshkallëzojmë aksionin, protestë edhe gjatë natës

Qytetarë të ndryshëm janë solidarizuar me protestën e studentëve si dhe iu kanë ofruar atyre bukë, byrek dhe sanduiç. Protesta ka hyrë sot në ditën e 8-të ndërkohë që studentët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, atëherë protestat e tyre do të përshkallëzohen edhe gjatë natës.

Ora 15:48 -Skenarët e paqartë të vijimit të protestës, forca policie edhe te Kryeministria 

Studentët ende nuk kanë vendosur se si do të vijojë protesta e tyre pas afatit që kanë vënë për qeverinë, pas orës 16.00. Ata janë të përçarë, sepse një pjesë kërkon ta zhvendosë protestën te Kryeministria, një pjesë tjetër te Kuvendi, ndërsa të tjerë janë të mendimit që protesta të vijojë aty ku nisi, te Ministria e Arsimit, duke ndenjur edhe natën. Ndërkohë, Policia e Shtetit duket se është mobilizuar për çdo skenar, duke përqendruar një pjesë të forcave të saj afër selisë së qeverisë, sikurse duket edhe në video.

Kërkesat e fundit/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë
1. 
Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Ora 16:33 -Skadon ultimatumi për qeverinë, studentët përçahen, një pjesë i drejtohet 'Zogut të Zi' 

Një pjesë e studentëve, pasi nuk morën një reagim nga kryeministri Edi Rama në afatin e përcaktuar nga vet ato, kanë vendosur të zhvendosen nga Rruga e Durrësit, ku gjendet Ministria e Arsimit, drejt rrugës së "Zogut të Zi". Ndërsa pjesa tjetër e tyre, shihet që kanë vendosur të qëndrojnë përballë Ministrisë së Arsimit.  

Ora 18:35 - Studentët e përçarë, një pjesë prej tyre të vendosur tek Kryeministria 
Teksa protesta e studentëve është përcarë në Ministrinë e Arsimit dhe tek “Zogu të Zi”, një pjesë e tyre ka vendosur që të protestojë edhe përpara Kryeministrisë. Ata janë shprehur se do të protestojnë përgjatë gjithë natës, teksa do të qëndrojnë të heshtur duke lexuar libra.
 

(11/12/2018)