Në hetim gjyqtarët që shpëtuan Dajtin! Mijëra euro dhe armatime në banesën e njërit prej tyre

Ora 07:00 – Me urdhër të gjykatës, forcat speciale të policisë zhvilluan kontrolle blic në banesat e 3 gjyqtarëve  që morën vendimin në Apel në favor të Dritan Dajtit duke e shpëtuar nga burgimi i përjetshëm pasi i pranuan kërkesën për gjykim të shkuartuar. Kontrollet e forcave policore dhe FNSH në banesën në Tiranë të Skënder Daminit, gjykatës në Gjykatën e Apelit në Vlorë, Petrit Aliajn gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, dhe Aleks Nikolla gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur sot gjithashtu procedimin penal për korrupsion për këta tre gjyqtarë. Procedimi për veprën penale korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë të drejtësisë,  dhe shpërdorim të detyrës.

Ora 07:30 - Operacioni po ndodh në këto momente në 4 qytete të ndryshme ku jetojnë gjyqtarët, në 5 banesa që disponohen prej tyre. Kontrollet në banesën e gjyqtarit Damini në Tiranë, por mësohet se ai ka edhe apartament në qytetin e Vlorës. Petrit Aliaj gjithashtu ka dy shtëpi, një në Sarandë në lagjen numër dy, dhe një në Tiranë. Aleks Nikolli ka një banesë në Lezhë, ndaj kontrollet janë duke u zhvilluar në 4 qytete.

Ora 08:00 - Në njërën prej banesave, nga kontrolli i kryer janë gjetur 17 mijë euro.

Në banesën e gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Skënder Damin u gjetën; një karikator me fishekë si dhe 17 mijë euro të vendosura në sirtar në vendin e rrobave të brendshme. Eurot u gjetën gjatë kontrolleve nga FNSH.

Ora 11:00 - Shoqërohet në polici gjyqtari Skënder Damini pasi iu gjetën eurot dhe fishekët në banesë
Gjyqtari i Apelit në Vlorë, Skënder Damini ka qenë në banesën e tij në Tiranë kur policia në një aksion blic kreu kontrolle në apartamentin e tij në zonën e Liqenit në kryeqytet. Ka thirrur një avokat, me të cilit ka dalë nga shtëpia për t'ju drejtuar Policisë së Tiranës. Në banesën e Skënder Daminit në Tiranë, policia gjeti një vlerë monetare rreth 17 mijë euro si dhe disa municione luftarake që dyshohet se pa lejen e autoriteteve.

 

Gjyqtari do të japë versionin e tij në Policinë e Tiranës, ndërsa avokati Ferdinand Ndoja në një prononcim të shkurtër për gazetarët e vendosur jashtë shtëpisë, tha se nuk ka asnjë masë sigurie ndaj gjyqtarit. Aty ai do të merret në pyetje, pasi Prokuroria për Krime të Rënda nisi procedimin penal ndaj tij për korrupsion.

 

Ora 12:00 - Policia: Deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera
Policia e Shtetit jep njoftimin e parë zyrtar për kontrollet blic të zhvilluara në banesat e gjyqtarëve që shpëtuan nga burgimi i përjetshëm Dritan Dajtin.

 

"Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese. Në përfundim të operacionit, Policia e Shtetit do të ketë një komunikim të veçantë me median dhe publikun", thotë Policia në një njoftim zyrtar.

Ora 13:30 - Rama reagon për shoqërimin e gjyqtarit që zbuti dënimin e Dritan Dajtit 
Kryeministri Edi Rama reagoi për kontrollet blic të policisë në banesat e gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin, ku njëri prej tyre u shoqërua në polici pas zbulimit në apartamentin e tij të municioneve luftarake dhe të një sasie të konsiderueshme eurosh. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e quan këtë thyerje të mitit të të paprekshmëve në radhët e gjyqtarëve. Kjo kohë sipas Ramës po mbaron, dhe se me reformën në drejtësi do të vijë një fazë e re në sistemin gjyqësor.

Ora 13:55 – Lihet i lirë gjyqtari Damini, policia i sekuestron telefonin dhe eurot

Pas marrjes në pyetje për disa orë në Policinë e Tiranës, është lënë i lirë gjyqtari Skënder Damini.

Gjyqtari Damini u mor në pyetje në prani të avokatit të tij Ferdinand Ndoja. Në polici ju sekuestruan telefoni celular, si dhe municionet dhe paratë të cilat u gjetën në sirtarin e një komoje ku ishin vendosur rroba të brendshme vajzash.

(15/02/2019)