2-vjetori i Shenjtërimit të Nënë Terezës
Ora 08:15 - Presidenti Meta: Të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare
Dita e sotme shënon 2 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku në Shtator 2016.
Presidenti i vendit Meta reagoi përmes një mesazhi të shpërndarë nga Institucioni i Presidencës.
Meta shprehet se “Dita e sotme është një ditë feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë”.
Meta vijon duke thënë se: “E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit”
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. – përfundon Meta.
Ora 08:20 - Kryeministri Rama: "Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën"
"Në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj është fjala që më ndihmon shpesh në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime". - Me këtë fjali nis postimi i Kryeministri Rama në mesazhin përkujtues për Nënë Terezën.
Postimi në Facebook i Ramës vijon me shprehjen: "Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën".
Postimi i Ramës në Facebook i shoqëruar me një video të një familjeje në nevojë të cilën kryeministri e ka ndihmuar
Ora 12:00 - Kreu i Kishës Katolike apel kundër krimit: Politika ndryshon strukturat, kurse besimi zemrat
Kreu i Kishës Katolike, Imzot George Frendo, në një intervistë për Report TV ka apeluar për më shumë shpresë, paqe dhe dashuri.
Imzot George Frendo, ka kujtuar rolin dhe veprën e Nënë Terezës në jetën e çdo shqiptari dhe gjithë botës. Imzot George Frendo, u ndal dhe tek çështja e kriminalitetit në qytetin e Shkodrës. Ai iu bëri thirrje qytetarëve dhe politikës, që të kuptojnë rolin e besimit, që sipas tij, ka fuqinë të ndryshojë zemrat.
“Është ditë jo vetëm për katolikët, por për të gjithë shqiptarët. Vlera e saj nuk vetëm për shqiptarët, por për të gjithë botën.”-thotë Imzot George Frendo.
Ora 13:00 - Kur Nënë Tereza vizitonte Shtëpinë e Bardhë, Ambasada e SHBA kujton takimin e shenjtores shqiptare me presidentin Reagan
Ambasada Amerikane në Tiranë ka postuar në faqen në Facebook një foto të Nënë Terezës me presidentin e 40-të të SHBA Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë. Bamirësja shqiptare ka vizituar Zyrën Ovale në vitin 1986 ku është pritur në takim nga Reagan. Në foto duket Nënë Tereza duke qeshur me presidentin e asaj kohe.
Ora 17:00 – Erion Veliaj: Qendra sociale tek Bregu i Lumit do quhet “Gonxhe Bojaxhi”
Në përvjetorin e dytë të Shënjtërimit të Nënë Terezës edhe kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka bërë një postim në Twitter.
Veliaj shkruan se: “Qendra sociale tek Bregu i Lumit do quhet “Gonxhe Bojaxhi”.
"Bashkia e përkujtoi Nënë Terezën me punë në komunitet, zgjodhëm mensat sociale të qytetit për të shërbyer drekën e për të kaluar kohë me fëmijët”. – përfundon postimi i Veliaj
4 Shtator 2016 - Papa Françesku shenjtëron Nënë Terezën
Papa Françesku shpalli Shenjtore Nënë Terezën nga Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan.
Mbi 100 mijë njerëz ndodheshin në sheshin e Vatikanit kur Papa lexoi formulën e shenjtërimit, duke e shpallur kështu Nënë Terezën Shenjtore.
Me shenjtërimin, Nënë Terezës iu njohën dy mrekulli, ajo është lutur për një burrë brazilian me tumor në tru, lutjet e saj plot dashuri e shëruan atë, ka raportuar një nga gazetat lokale.
Bamirësja shqiptare “u lumturua” në Tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj në 5 shtator 1997. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës.
(05/09/2018)
(05/09/2018)