Nis viti i ri shkollor, 480 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës. Risitë 2018-2019

Shqiptarja.com dhe Report TV iu urojnë të gjithë nxënësve një vit të mbarë shkollor.

Ora 08:00 - 32 mijë nxënës shkojnë në klasën e parë

Viti i ri shkollor për sistemin parauniversitar ka nisur mëngjesin e sotëm në të gjithë vendin. Rreth 450 mijë nxënës janë rikthyer në shkollë ndërsa rreth 32 mijë të tjerë shkojnë në klasën e pare. Mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme. Të shoqëruar nga prindërit fëmijët e klasave fillore me lule në duar kanë përshëndetur mësuesit e tyre dhe janë takuar me shokët e shoqet e klasës. Mes urimeve të shumta dhe një dite plotë me diell, e sotmja ka nisur mbarë edhe për rreth 32 mijë fëmijë që për herë të parë ulen në bankat e shkollës. Ndoshta disa pak të “trembur” për këtë eksperiencë të re por të mbahnitshme që po nisin.

Ora 08:30 - Raportimi i Report TV për nisjen e vitit të ri shkollor: Nismat e reja këtë vit

Eliminohet mësimi me dy turne në disa nga shkollat e Tiranës ndërsa kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kanë inaguruar shkollën Kosova në kryeqytet. Ky vit i ri shkollor në arsimin parauniversitar nis edhe me dy risi: Ndalimin e celularëve dhe librat falas. Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi në muajin gusht të këtij viti të ndalonte përdorimin e celularëve në të gjitha shkollat, ndërkohë që këtij urdhëri i ka paraprirë vendimi i qeverisë shqiptare për të shpërndarë librat falas. Këto janë dy sfidat e para me të cilat do të përballen mësuesit dhe stafet e drejtorive arsimore nëpër rrethe.

Ora 09:30 - Rama-Veliaj përurojnë shkollën 'Kosova': Administrata e shkuar donte ta bënte pallat

Ky vit i ri shkollor nis në Tiranë me inagurimin e shkollës së rindërtuar “Kosova”, kryeministri Rama, kreu i Bashkisë Veliaj dhe ministrja Nikolla ishin të pranishëm në këtë shkollë në ditën e parë për të uruar nxënësit dhe stafin pedagogjik. Në fjalën përshëndetëse Rama deklaroi se mori fund kalvari i një lufte afro 15-vjeçare, me ata që e dogjën dhe që donin ta kthenin këndin historik të shkollës Kosova në pallat. Rama vijoi duke dhënë lajmin e mirë se është gati dhe nisja e punës për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet sëbashku me Bashkinë.

"Brenda pak javësh sëbashku me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë projektin e 17 shkollave. Janë 17 shkolla që tanimë janë në fazën finale të fillimit të zbatimit të kontratave, të projektuara nga arkitektë të mëdhenj të huaj që dhe që do jenë në vazhdën e kësaj pamje dhe kësaj cilësie të re për shkollat ku shkojnë fëmijët tanë", u shpreh kryeministri Rama.

Kryebashkiaku tha se shkolla Kosova përfaqëson edhe një histori që e përmbledh gjithë tranzicionin e saj në pak metra katrorë, që nga djegia dhe tentativat për të bërë pallat e deri tek rindërtimi i saj me kushte moderne.

 

"Kjo shkollë pa edhe rrumpallën e viteve ’90 edhe ndërtime pa leje rreth saj, madje edhe në oborr kemi pasur disa ndërtime pa leje që ju e dini fare mirë me sa mund janë prishur. Ja ku jemi sot dhe unë besoj që pavarësisht se çfarë dëgjojmë në fund veprat mbeten dhe ajo që vendosëm me kryeministrin që dua ta falënderoj me gjithë zemër sot, si një nga meraqet e para kur ne fituam Bashkinë e Tiranës për të filluar punën, shkolla “Kosova”.Është domosdoshmëri që Tiranës t’i japim jo vetëm një shkollë të re, por edhe një simbol të ri se çfarë do të thotë të bësh punë publike", tha Veliaj.

Ora 09:50 - Nisja e vitit të ri shkollor, kreu i Kuvendi Ruçi: Një vit të mbarë ju mësuesë dhe kolegë 

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndodhet në Fier aty ku ka uruar mësuesit dhe nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor. “Jam i lumtur që ndodhem këtu. Ju uroj një vit të mbarë shkollor dhe pa probleme”,-ka thënë Ruçi. 

Në qarkun e Fierit nisin mësimin rreth 44 mijë nxënës të shkollave, ndërkohë që 4 mijë mësuesë janë angazhuar për mësimin e nxënësve në këtë qark.

Ndërkohë 16 deputetë të PD janë shpërndarë në qytetet kryesore të vendit ku kanë denoncuar përkeqësimin e sistemit arsimor në vend. Nga Dajçi i Shkodës deputetja e PD-së, Izmira Ulqinaku tha se shkolla në këtë njësi është mbyllur dhe se investimet e qeverisë për arsimin janë zero.

 

"Shkolla në njësinë Dajç është e mbyllur. Nuk është shkolla e vetme, ka dhjetra të tjera në të gjithë vendin. Çmimet e librave janë rritur dhe investimet e zero. Kemi shifra alarmante për fëmijët që kanë braktisur bankat e shkollës. Rama të mos tallet me librat gjoja falas", u shpreh Ulqinaku

 

Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë e Arsimit në rrethe kanë thënë se mbyllja e shkollave nuk ka ardhur për shkak të uljes së numrit të nxënësve, por për të eliminuar klasat kolektive, ku nxënës të moshave të ndryshme bëjnë mësim me një mësues.

Drama e familjes në Tepelenë në ditën e parë të vitit të ri shkollor...

Dita e parë e shkollës nuk nisi ashtu siç pritej për një familje në Tepelenë.  Situata është dramatike në banesën ku jeton 11-vjeçarja e abuzuar për gati dy vite nga mësuesi i saj 63-vjeçar në fshatin e largët të Luftinjes.

 

Abuzimet u zbuluan 3 muaj më parë, por kambanat e alarmit ranë sërish sot, pasi familja me 6 anëtarë, ku jeton edhe e mitura u zgjua nën frikë e terror. Persona të paidentifikuar kanë bërë terror me armë afër banesës së tyre pas mesnate. Prindërit e të miturës dyshojnë se autorët kanë lidhje me mësuesin e vajzës, i cili mund ta ketë ndërmarrë këtë akt në shenjë hakmarrje.

 

Por ndërsa ngjarjen në fjalë po e heton policia, prindërit e vajzës kanë një apel të fortë për shtetin. Ata kërkojnë drejtësi, duan një të ardhme më të mirë për vajzën dhe shkollim. Sipas prindërve vajza është e zhytur në vetmi dhe është pa ndihmën e psikologut. Nëna tregon se ajo nuk ka shkuar dot as në shkollë ditën e sotme. 

(17/09/2018)