Nishani merr drejtimin e Këshillit Kombëtar të PD, konfirmohen Paloka e Spaho nënkryetar

Ora 11:00 - Partia Demokratike ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për zgjedhjen e lidershipit të ri. Do të zgjidhen edhe Sekretari i përgjithshëm dhe 4 sekretarë. Gjithashtu, nga kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar demokrat pritet të caktohet edhe data e nisjes së protestave, pas paralajmërimit që opozita e bashkuar dhe kryetari i PD, Lulzim Basha bënë ditë më parë.

Ora 11:22 - Basha: Mision kombëtar, të ndryshojmë politikën. Rama po shkatërron të ardhmen 
 

Kryetari i PD, Lulzim Basha në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, tha se Partia Demokratike ka si detyrë historike të kthejë besimin e shqiptarëve se Shqipëria mund të kthehet në një vend normal. 

 

“Mungesa e shrpresës për të ardhmen është shkaku kryesor që shqiptarët po largohen nga vendi. Fëmijët janë shkaku që Shqipëria po shkretohet. Mungesa e shkollimit cilësor, mungesa e shëndetësisë së sigurt dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të punuar, për një jetë të përmbushur po i shtyn prindërit të nxisin fëmijët të largohen nga vendi”, tha Basha.

Ora 11:35 - Basha: Nuk ofroj mrekulli, politikanët hajdutë duhen çuar para drejtësisë
Në vijim të fjalës së tij Basha tha se shqiptarët duan normalitet, të jetojnë të qetë dhe të sigurt. Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama thotë se Zvicra është e mërzitshme sepse atje ka qetësi, ndërkohë që Shqipëria udhëhiqet nga banditë.

Ora 11:43 - Basha: Sfida kryesore, ajo e besimit. Qytetarët s’besojnë tek politikanët, kemi edhe ne gabimet tona 
Fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kryetari i PD Basha e ka shfrytëzuar që të flasë edhe për gabimet e opozitës. Basha tha se sfida kryesore që është sot tek shqiptarët është ajo e besimit, dhe se sipas tij, për këtë ka faj edhe opozita.


“Ne ndeshemi sot me nivelin më të ulët të besimit tek politika që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Sikurse ndeshemi me mosbesimin që ka ardhur si rezultat edhe i gabimeve tona. Ka vetëm një mënyrë për ta kapërcyer këtë krizë besimi. Ne duhet të tregojmë integritet dhe kurajë. Integritet dhe kurajë për të ofruar jo premtime dhe shpresa boshe, por një realitet thellësisht demokratik dhe të lirë duke filluar nga partia jonë. PD është një parti e hapur dhe i mirëpret të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e jona, por kurrë Partia Demokratike nuk do të jetë strehë për kriminelë e trafikantë, përfundoi Basha.

Ora 12:07 - Ish-presidenti Bujar Nishani zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, Paloka e Spaho konfirmohen nënkryetar 

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani është zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të PD. Ai u propozua dje nga Basha dhe u zgjodh në mbledhjen e ditës së sotme. Edi Paloka dhe Edmond Spaho, janë konfirmuar si nënkryetar të PD. Në këtë mbledhje janë zgjedhur edhe Kryetari i Komisionit të Integritetit dhe Etikës, Halim Kosova, Kryetar i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana, Kryetar i Komisionit të Apelimit, Arben Ristani dhe Kryetar i Bordit Financiar Alfred Rushaj.

Ora 12:24 - Asnjë post në Këshillin e PD-së, Salianji: Nuk ka rëndësi me apo pa intrigë, unë luaj me zemër 

Jashtë selisë së PD-së, deputeti Ervin Salianji i pyetur se përse emri i tij nuk ishte kandidat në asnjë post drejtues u shpreh se nuk janë funksionet ato që japin kontributin.

 

"Nuk kanë rëndësi funksionet për të kontribuar. Por duhet thënë që shërbejnë për të rritur më shumë kontributin. Nuk u zhgënjeva edhe pse nuk e pashë emrin në asnjë post drejtues. Kjo nuk ndikon unë do vazhdoj të punoj fuqishëm, por tani nuk ka rëndësi kjo vëmendja duhet të përqendrohet te protesta,"- tha Salianji. 

Ora 12:54 - Paloka: Do organizohen protesta për rrëzimin e Ramës, duhet qeveri kalimtare për zgjedhje të lira e të ndershme 

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar tha se në mbledhje u vendos që të organizohen protesta me qëllim largimin e Ramës. 

 

“Të merren me organizimin e protestave me qëllim të vetëm, rrëzimin e Ramës. Këshilli morivendim politik që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë duhet një qeveri kalimtare për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo është rruga që do të ndjekë PD. Këto vendime do të merren më vonë. E rëndësishme është vendimi politik.“ -tha Paloka.

Ora 16:35 - PD shpall rezultatin për Sekretariatin
Kryetari i komisionit zgjedhor në PD, Jemin Gjana shpalli rezultatet e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar demokrat për Sekretariatin. Nga 350 anëtarë të Këshillit Kombëtar, kanë votuar 328 anëtarë votuan. 
 

Sekretar i Përgjithshëm - Gazmend Bardhi - 277 vota
Sekretar për Çështjet Ligjore - Çlirim Gjata - 284 vota
Sekretar për Çështjet Oranizative - Sait Dollapi - 258 vota
Sekretar për Çështjet Zgjedhore -  Ivi Kaso - 221 vota
Sekretar për Burimet Njerëzore - Ervin Minarolli - 278 

Ora 21:30 - Publikohen rezultatet e votimit të Këshillit Kombëtar të PD për zgjedhjen e 15 anëtarëve të rinj të Kryesisë së PD. Nga 355 anëtarë të Këshillit Kombëtar, për zgjedhjen e Kryes Kanë votuar 328. Emrat e fituesve i bëri të ditur kreu i komisionit zgjedhor në PD, Jemin Gjana.



Kryesia e re e PD:Dhurata Çupi, Endri Hasa, Enkelejd Alibeaj, Eno Bozdo, Fatbardh Kadilli, Flamur Noka, Florjon Mima, Grida Duma, Izmira Ulqinaku, Jamarbër Malltezi, Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku, Oerd Bylykbashi, Orjola Pampuri, Tomorr Alizoti.

 

Edhe pse kanë marrë numrin e duhur të votave për të qenë anëtar kryesie, Ervin Salianji, Aldo Bumçi, Roland Bejko, Gerti Bogdani dhe Luçiano Boçi spostohen nga lista për shkak të kuotës gjinore e cila parashikon 30% e anëtareve gra. Kështu, bëhen anëtare të Kryesisë së PD Grida Duma, Dhurata Çupi, Orjola Pampuri dhe Izmira Ulqinaku. Jemin Gjana tha se ky ndryshim në listën e anëtarëve të rinj të Kryesisë së PD, është bërë sipas statutit. 

(19/01/2019)