Opozita 3 orë protestë! Tension me policinë tek Kuvendi dhe sulm me bojë Ministrisë së Brendshme
Ora 09:31 - Forcat e policisë rrethojnë parlamentin ndërsa protestuesit fillojnë të mblidhen para hyrjes kryesore.
Protestuesit e opozitës po mblidhen para parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masat duke vendosur gatishmëri një numër të lartë efektivësh për të shmangur incidentet.
Ora 09:45 - 'Astiri' përplaset me policinë tek Ministria e Brendshme, pengesë për ministrin holandes
Kanë shkaktuar sërish tension banorët e zonës së Astirit udhëhequr nga ish-deputeti Klevis Balliu me forcat e policisë pranë ministrisë së Punëve të Brendshme. Banorët që kundërshtojnë projektin e Unazës së Re, dhe që i janë bashkuar protestës së opozitës, kanë tentuar të çajnë gardhin metalik në pjesën e ministrisë që lidhet me pedonalen. Një hapësirë e rrethuar me forca policie për të garantuar kalimin e deputetëve përmes pedonales drejt Parlamentit, për tju bashkuar seancës plenare.
Forcave të rendit i janë bashkuar edhe efektivët e Shqiponjave, të cilët i kanë larguar protestuesit nga gardhi rrethues. Në ministrinë e Brendshme sot mbërrin një delegacion holandez për një takim që do të mbajnë me ministrin Sandër Lleshaj. Ai do të takojë ministrin e Sigurisë dhe Drejtesisë së Holandës.
Ora 10:05 - Gratë protestuese tentojnë të cënojnë sigurinë e delegacionit holandez tek Ministria e Brendshme
Protestues të ndryshëm kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë tek ministria e Brendshme. Disa gra janë ndaluar nga punonjëset e policisë gra, për t'i larguar menjëherë nga rrethimi i sigurisë pasi në Ministrinë e Brendshme mbërrin një delegacion holandez.
Të mbështetur nga ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e cila tentativën e policisë për të garantuar sigurinë e delegacionit e quan dhunë të policisë ndaj grave dhe vajzave.
Ora 10:11 - Delegacioni holandez mbërrin në Ministrinë e Brendshme, asnjë interes për protestën pas shpinës së tyre
Ka mundur të futet në Ministrinë e Brendshme pa asnjë incident, ministri i Drejtësisë së Holandës, ndërsa jashtë godinës së ministrisë së udhëhequr nga Sandër Lleshaj, protestues të shumtë të opozitës thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.
Delegacioni holandez mbërriti në Ministri i shoqëruar nga eskortat e sigurisë së Policisë. Makina e ministrit dhe delegacionit arriti deri para portës hyrëse të ministrisë pa asnjë incident, ndërsa në shkallët e ministrisë doli t'i presë drejtuesi i institucionit Sandër Lleshaj. Ajo që ra në sy ishte fakti se as ministri Ferdinand Grapperhaus dhe asnjë pjesëtar i delegacionit holandez nuk ktheu kokën për të parë protestuesit që pas shpinës së tyre thërrisnin në kor: Poshtë Edi Rama! E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.
Ora 10:16 - Rama mbërrin në Parlament, eskorta kalon mes protestuesve
Kryeministri Edi Rama ka kaluar me makinë përmes pedonales pranë Ministrisë së Brendshme ku ishin mbledhur protestues, për të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë për seancën plenare.
Në momentin që ka kaluar eskorta e kreut të qeverisë, simpatizantët e opozitës kanë nisur thirrjet kundër qeverisë, por nuk u shënua asnjë incident.
Ora 10:18 - Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi i bashkohen protestës, tentohet të çahet kordoni tek Parlamenti
Ndërsa protestuesit janë mbledhur para Parlamentit dhe Ministrisë së Brendshme që herët në mëngjes, rreth orës 10:18 lideri demokrat Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i janë bashkuar protestës. Basha mbërriti pranë parlamentit në një kohë kur turma e protestuesve kishin nisur përplasjet me forcat e policisë në tentativë për të çarë kordonin e sigurisë tek hyrja e Kuvendit.
Ora 11:02 - Salianji 'i pret hovin' protestës së sotme: Ramën e rrëzojmë më 13 prill. Prokurorët janë tredhur nga hallatet!
Gjatë fjalës që mbajti para protestuesve tek Parlamenti, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha se Prokurorët janë tredhur nga hallatet, pasi nuk thërrasin asnjëherë zyrtarët e PS dhe se Rama do të largohet në protestën që do të mbahet më 13 prill para kryeministrisë.
“Ne duam qeveri shërbëtore të qytetarëve dhe jo shërbëtore të oligarkëve, ndaj themi Rama Ik. Ju dhe cilido e sheh se si qeveria është e kapur në krim e korrupsion, duke tentuar t'i bëjnë presion qytetarëve, por sit ata janë më të fortë se kurrë dhe bërtasin Rama ik.
Prokurorët janë tredhur nga hallatet, dhe nuk thërrasin asnjëherë zyrtarët, a e keni parë të shkojë aty, Gjinkunit, Dako, Afrim Qendro, Qazim Sejdini.
Ne nuk përdorim dhune, nëse ne do te donim, e kapërcenim atë gardh për 2 minuta, nuk ka gardh qe na ndal. Në datë 13 prill Rama do largohet”- tha Salianji.
Ora 11:18 - Sërish tentativë për të çarë kordonin e policisë tek parlamenti, i 'kryeson' Klevis Balliu
Ndërsa para Kuvendit mbante fjalë kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, protestuesit kanë tentuar sërish të çajnë kordonin e policisë para Kuvendit. Ndërkohë nga ana e tubuesve hidhen shashka edhe tymuese. Në ballë të tyre është edhe ish-deputeti Klevis Balliu. Duhet theksuar se në të gjitha tentativat për të çarë kordonin e sigurisë me efektivë, nuk ka asnjë thirrje nga drejtuesit politikë për tërheqje. Edhe pse në deklarata politike ata thonë se qëndrojnë larg dhunës! Në mesin e turmës që shkakton tensione, është edhe lideri demokrat Lulzim Basha dhe ish-deputetë të tjerë demokratë, të cilët nuk kanë bërë asnjë tentativë për të tërhequr turmën nga dhuna. Edhe kjo tentativë u shua sërish nga forcat e policisë të cilët janë vendosur në disa kordoni para hyrjes së Kuvendit.
Ora 11:23 - Kryemadhi - Ramës: Shqiptarët ngrihen dhe të thyejnë turinjtë kur i do qejfi
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi mbajti një fjalë para Kuvendit në protestën kundër qeverisë. Pati një mesazh për kryeministrin Edi Rama lidhur me faktin se a ngrihen në protestë shqiptarët.
"Shqiptarët ngrihen ngrihen fort dhe të thyejnë turinjtë kur i do qejfi. Rama është kryeministri më dështak, dhe që i ka bërë më keq gjithë shqiptarëve në këto vite. Sot ne jemi një pjesë por mendoni që janë qindra dhe mijëra të tjerë në gjithë Shqipërinë që na përkrahin dhe që janë kundër politikave diskriminuese të Edi Ramës", tha Kryemadhi.
Ora 11:37 - Disa deklarata pse Basha kërkon rrëzimin e Ramës për tu ngjitur vet në karrigen e pushtetit
Përmes protestave të vazhdueshme kundër qeverisë, opozita kërkon një qeveri tranzitore që ta cojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Por teksa këto zgjedhje (nëse do të ndodhin) nënkuptojnë përballjen në një garë elektorale, lideri i opozitës tashmë jo parlamentare, Lulzim Basha ka bërë të qartë se ajo që kërkon nuk është përballja me kryeministrin Edi Rama (në zgjedhjet e mundshme të parakohshme), por vënia e tij para drejtësisë, burgosja, ose largimi nga vendi përmes azilit politik në ndonjë shtet tjetër. Nga protesta para Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha doli me mesazhe të qarta politike ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë, duke folur si kryeministri i ardhshëm. Premtimet e tij ishin për zgjidhje të shumë problematikae që sdo ta garantojë vetëm opozita - siç ai theksoi.
Ora 11:43 - Pamjet me dron nga protesta e opozitës para parlamentit
Ora 11:50 - Tensioni dhe përplasja para Kuvendit, një protestues ndihet keq
Një protestues opozitar është ndjerë keq gjatë protestës para parlamentit që u shoqërua me tension dhe përplasje mes simpatizantëve të opozitës dhe policisë. Në ndihmë të tij kanë shkuar disa protestues të tjerë menjëherë.
Ora 11:51 - Protestuesit i sulen policisë gjatë fjalimit të Bashës
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mban fjalë para Kuvendit, protestuesit kanë bërë tentativën e radhës për të çarë kordonin e policisë në hyrje të Parlamentit. Ndërsa Basha mban fjalim, ish-deputetë të opozitës, Flamur Noka, Edi Paloka, e të tjerë, udhëheqin simpatizantët për të vijuar përplasjet, shtyrjet trup më trup me efektivët e policisë. Nga përplasjet e vazhdueshme ka pasur disa protestues të lënduar, ndërkohë edhe disa efektivë të policisë janë parë teksa tërhiqen nga kordoni për shkak të goditjeve të marra gjatë skenave të tensionit.
Ora 11:55 - Momenti kur Flamur Noka nxit turmën të sulmojë kordonin e policisë
Kamerat e Report Tv kanë fiksuar momentin edhe një moment ku ish-deputeti Flamur Noka u bën me shenjë protestuesve që të afrohen dhe të sulmojnë kordonin e policisë, të vendosur përpara parlamentit
Ora 12:07 - Nuk ndalen tentativat për të çarë kordonin e policisë tek Parlamenti
Edhe pasi ka përfunduar fjalimi i kryedemokratit Lulzim Basha, mbështetësit e opozitës kanë vijuar tentativën e radhës për të çarë kordonin e policisë.
Të udhëhequr nga ish-deputetë të PD-së, Luçiano Boci, Klevis Balliu, Flamur Noka, Edi Paloka, dhe përfaqësues të tjerë politikë, protestuesit kanë tentuar disa herë me radhë që përmes forcës së trupit të shtyjnë kordonin e policisë tek hyrja e Kuvendit. Para Parlamentit janë një sërë forcash të Policisë, nga ato të rendit e deri tek ato Specialet.
Ashtu si edhe tentativat e tjera për të krijuar tension, policia ja ka dalë të qetësojë turmën.
Ora 12:16 - Nis marshimi nga Parlamenti tek Ministria e Brendshme, turma e protestuesve mes makinave në trafik
Pas fjalimeve politike para Kuvendit, dhe tentativave të vazhdueshme për të çarë kordonin e policisë në hyrje të Kuvendit, ish-deputeti Flamur Noka i ka bërë thirrje mbështetësve që ta ndjekin në një marshim proteste në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Të udhëhequr nga lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish deputetë, mbështetësit e opozitës kanë nisur marshimin për të shkuar deri tek hyrja e Ministrisë së Brendshme.
Ora 12:23 Marshimi tek Ministria e Brendshme: Lironi djemtë tanë!
Të vendosur përballë njëri-tjetrit, lideri demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha qëndruan në heshtje tek Ministria e Brendshme, aty ku ndalën marshimin e turmës së protestuesve: Lironi djemtë tanë, ishte thirrja në kor e protestuesve të ndalur përballë godinës së Ministrisë së Brendshme.
Disa ulje të kokës për të parë telefonat celularë, dhe më tej sërish heshtje. Protestuesit bënë një mardhim nga Kuvendi, ku nisën përplasjet me policinë që në nisje të tubimit, për tu ndalur më tej para Ministrisë së Brendshme.
Ora 12:43 - Basha-Berisha 20 minuta heshtje përballë njëri-tjetrit...protestuesit hedhin bojë tek godina!
Pas heshtjes përreth 20 minuta para Ministrisë së Punëve të brendshme, protestuesit e opzotiës kanë hedhur bojë të zezë ndaj godinës së drejtuar nga Sandër Lleshaj.
Ora 13:05 - Vijnë me shpresë për të larguar Ramën e largohen me buzën tharë, Basha i bën premtim qytetarëve protestues
Lideri demokrat Lulzim Basha ka përmbyllur pas tre orësh protestën e opozitës, me një fjalim në selinë blu.
"Orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht. Kush nuk e ka dëgjuar le ta dëgjojë: Kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë mirë dhe qartë zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo betejë ka nisur për çdo shqiptarë, për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit dhe korrupsionit, për t'i kthyer qeverisjen çdo shqiptari, dhe nuk do të ndalet derisa ta bëjë realitet. Kjo është beteja për të cilën çohemi çdo mëngjes, dhe do të vazhdojë betejën deri në çlirimin e Shqipërisë nga grushti i shtetit që ka shkatërruar parlamentin", tha Basha