Opozita 4 orë marshime rreth Kryeministrisë dhe sulmon Kuvendin, policia përdor gazlotsjellës

Ora 09:30 - S'ka më skelë! Rrethim metalik tek kryeministria. 1600 efektivë në terren 

Ndryshe nga herët e tjera kur ka pasur protesta, sot në hyrje të Kryeministrisë nuk do të ketë skelë mbrojtëse. Megjithatë, në instalacionin mbi hyrjen e godinës është vendosur një mbrojtëse. Ndërkohë që është vendosur edhe një gardh metalik rreth selisë së qeverisë për të shmangur depërtimin e protestuesve.

Edhe efektivët e policisë janë bërë gati që herët në mëngjes për protestën e opozitës. Janë mbledhur para kryeministrisë së bashkua me mjetet mbrojtëse të tyre. Rreth 1600 forca policie janë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, ndërkohë që shihet teksa kanë me vete edhe maskat kundra-gaz.

Ora 10:03 - 'S'ka Shqipëri, ka tre tepsi'/ Protestuesi: Të hënën vetëshpallem President

Personazhi tashmë i njohur, Dilaver Nela 55-vjeç nga Laçi ka surprizuar sërish në tubimin e sotëm të opozitës. E ndërsa pak ditë më parë në rrugët e Tiranës ai kishte një kazan dhe lugë dhe pankarta në dorë, në protestën e sotme ai kishte tre tepsi mbi kokë, të cilat sipas tij simbolizojnë tre partitë kryesore në vend, PS-në, PD-në dhe LSI-në dhe dy pankarta, në njërën prej tyre shkruan 'S'ka Shqipëri, ka tre tepsi' dhe në tjetrën 'Shoqëria civile'.

Në një prononcim për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta ai thotë se ditën e hënë do të hedhë kandidaturën si president i vetëshpallur. 

Ora 11:02 - Nuk mund të mungonte! Babai i 'Stresit' në protestën e PD-së

Ashtu si edhe në protestat e shkuara të opozitës, nuk mund të mungonte në tubimin e 16 marsit para kryeministrisë. Ish-truproja i ish-kryeministrit Sali Berisha, Sali Lushaj, në protestën tek kryeministria. Lushaj është njëherazi babai i këngëtarit të muzikës Hip-hop, Arkimed Lushaj, njohur me emrin skenik "Stresi". Ky i fundit ndodhet në qeli për armëmbatje pa leje. 

Ora 11:05 - Çelet protesta e opozitës, ja sa mbështetës ndodhen tek kryeministria

Protestuesit e opozitës janë mbledhur para kryeministrisë për të nisur tubimin e paralajmëruar për në orën 11:00. Nga fotot e realizuara nga fotoreporteri dhe gazetari i Shqiptarja.com Antonio Çakshiri, shihet se sa është pjesëmarrja qytetarë në këtë protestë të radhës kundër kryeministrit Edi Rama. 

 Ora 11:09 - Hidhet tymuesja e parë ndaj policisë

Protestuesit e opozitës kanë hedhur një tymuese para forcave të policisë tek Kryeministria. Është shuar menjëherë nga një i ri i forumit rinor të PD-së i cili ishte në rresht para kordonit të policisë, me një shirit të bardhë identifikues në krah. 

Oranizatorët e opozitës janë shprehur se nuk do të ketë dhunë para Kryeministrisë.

Ora 11:22 - Kryemadhi: Rama po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, ka menduar edhe emrin e kryeministrit të ri 

Lideri demokrat Lulzim Basha ka dalë nga selia blu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe me dhjetra mbështetës dhe ish-deputetë për t'ju bashkuar protestës tek Kryeministria. 

Nga ana tjetër, nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, marshoi nga selia e LSI me mbështetësit e saj, për tu bashkuar në bulevard me protestuesit. Në këtë rrugëtim në një prononcim për mediat, Kryemadhi tha se vetë kryeministri Edi Rama është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe madje po mendon sipas saj, edhe se cili do të jetë kryeministri i qeverisë së re. 

Ora 11:26 - Pamjet nga lart të protestës së opozitës para kryeministrisë

Në këto pamje nga lart të protestës shihet pjesëmarrja në protestën e opozitës para kryeministrisë, teksa janë mbledhur të gjithë tubuesit, dhe me mbërritjen e liderëve Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së ju bashkuan mbështetësve dhe simpatizantëve të tyre para godinës së kryeministrisë. 

Është konsideruar prej tyre protesta më e madhe për të rrëzuar qeverinë. Por se sa është pjesmarrja, Report Tv e sjell përmes këtyre pamjeve nga lart të protetës.

Ora 11:45 - Opozita rrethon kryeministrinë, marshim protestues nën udhëheqjen e Flamur Nokës 

Marshim protestues rreth kryeministrisë. Në një lëvizje të papritur nga para kryeministrisë, protestuesit kanë nisur një marshim nga sheshi përpara kryeministrisë, në rrugën "Ismail Qemal", që ndan Hotel Rogener me kryeministrisë, për në drejtim të anëve të tjera të kryeministrisë, për ta rrethuar atë.

Turma u nis në këtë marshim protestues rreth kryeministrisë pas thirrjes së ish-deputetit të PD-së, Flamur Noka, që çeli fjalimet në protestë dhe mori pas vetes turmën rreth kryeministrisë. Turma ka kaluar pranë rrethimit metalik rreth kryeministrisë, por pa tentuar në asnjë moment të ketë përplasje me kordonët e policisë.

Ora 11:55 - Rudina Hajdari u përjashtua se s'dogji mandatin, vëllai krah Bashës në protestë 

Familja e Azem Hajdarit është e ndarë përsa i përket aksionit që opozita po zhvillon kundër qeverisë Rama. Rudina Hajdari nuk pranoi që të digjte mandatin duke qëndruar në Kuvend, ndërsa PD-ja e përjashtoi nga strukturat.

Ndërkohë që vëllai i saj, Kiri vijon që të marrë pjesë në tubimet e opozitës në krah të Lulzim Bashës, teksa edhe sot ka pasur shtrëngim të duarve me liderin e PD-së dhe takim miqësor teksa nisën marshimin nga selia në drejtim të Kryeministrisë që çeli protestën e kësaj të shtune kundër qeverisë Rama. 

Ora 12:06 - Noka: Do të mbajmë të rrethuar Kryeministrinë 

Pas lëvizjes së parë rreth Kryeministrisë, Flamur Noka u ka kërkuar protestuesve që të vijojnë sërish në një lëvizje në formë marshimi rreth godinës së Kryeministrisë. "Ne kemi rrethuar Edi Ramën, do të jetë i rrethuar nga sot e tutje nga revolta e popullit. Rama ik, se nuk ka zgjidhje tjetër. Ik sa nuk është vonë, ikja jote është shpëtim për ty, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne jemi të vendosur në kauzën tonë dhe do ta vijojmë protestën tonë marshim. A jeni dakord? A e mbajmë të rrethuar strehën e krimit dhe korrupsionit? (Turma përgjigjet po). Na ndiqni" ishin thirrjet e Flamur Nokës.

Ora 12:08 - Pamjet me dron, pjesëmarrja në protestë dhe momenti i rrethimit të parë të kryeministrisë

Këto janë pamjet me dron që tregojnë pjesëmarrjen në protestën e opozitës para kryeministrisë. Gjithashtu, pamjet nga Report Tv te realizuara me dron, shfaqin edhe momentin kur protestuesit nisën një marshim proteste, një ecje rreth e qark kryeministrisë që u udhëhoq nga ish-deputeti Flamur Noka.

Ora 12:27 - Berisha: Rama ia mbathi në tunelet e Skraparit nga cunami popullor 

Ish-kryeministri Sali Berisha nga protesta para selisë së qeverisë thotë se tubimi është një cunam popullor, ndërsa Rama ia mbathi duke u fshehur në Skrapar. “Edi Rama ia ka mbathur sërish ditën e sotme. Edi Rama ka shkuar të tunelet e Skraparit. Ky është një cunam popullor dhe Rama nuk mund t’i fshihet" deklaroi Sali Berisha.
 

Ora 12:59 - Lëvizje e papritur e protestuesve të opozitës... Basha i çon tek Parlamenti

Pas tre marshimeve rreth Kryeministrisë ende nuk dihet se cfarë do të ndodhë me skenarin e tubimit të opozitës, pasi protestuesit kanë përshkuar bulevardin duke u futur te pedonalja ku ndodhet edhe Ministria e Brendshme për të dalë te parlamenti. Gjatë lëvizjes janë hedhur disa kapsolla, por nuk është shënuar asnjë incident. Një lëvizje e papritur e protestuesve të cilët të udhëhequr nga Basha u drejtuan tek Kuvendi.

Ora 13:20 - Çahet kordoni i policisë tek Parlamenti, policia hedh gazlotsjellës

Kur gjithcka dukej e qetë dhe pas tre marshimeve rreth kryeminsitrisë, lideri demokrat Basha, Monika Kryemadhi dhe aleatët e djathtë e udhëhoqën turmën duke e çuar para Parlamentit, pas një pritje të gjatë për të mësuar se cfarë vendimi do të merrej për vijimin e protestës, kanë nisur përplasjet e para. Një efektiv i forcave të policisë, të repartit Shqiponja ka mbetur i plagosur. 

Protestuesit kanë carë kordonin e policisë tek Parlamenti dhe janë shpërndarë menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Disa protestues kanë qëlluar me gurë drejt efektivëve të policisë, edhe pasi u shpërndanë.

Ora 13:40 - Policia hedh sërish gaz lotsjellës pasi protestuesit tentojnë të futen brenda Parlamentit

Pas tensionimit të situatës dhe çarjes së kordonit të policisë, efektivët kanë hedhur për herë të dytë gaz lotsjellës duke larguar protestuesit nga hyrja e parlamentit. Në përforcim drejt parlamentit kanë shkuar edhe forca të tjera të FNSH-së. Ndërkohë që përveç efektivit të policisë është plagosur edhe njëri nga protestuesit. Nga të dhënat e para raportohet se i ka shpërthyer një kapsollë në duar duke i shkaktuar dëmtime ne fytyre.

Ora 13:49 - Bllokuan policinë në pedonale, turma shpërndahet me ujë

Një grup protestuesish bllokuan policinë në pedonale, ndërsa efektivët janë përgjigjur duke hedhur ujë me autobotet duke shpërndarë turmën.

Ora 14:00 - "Shfaqet" Basha pas dhunës dhe justifikon hedhjen e gurëve ndaj policisë!

Lideri i opozitës Lulzim Basha pasi protestuesit sulmuan policinë me mjete të forta, gurë dhe shkopinj, dhe çanë kordonin e sigurisë para Parlamentit, u shfaq në një prononcim të shkurtër për mediat, në të parin fjalim që nga momenti i nisjes së protestës tek kryeministria. Basha tha se dhuna e protestuesve ndaj policisë është e justifikuar pasi ndaj tyre u hodh gaz lotjsellës.

Ora 14:20 - Pas dhunës te Parlamenti, Basha udhëheq turmën drejt selisë për mbylljen 

Pas dhunës para parlamentit, protestuesit e opozitës vijuan marshimin duke u rikthyer në bulevard, ndërsa nën udhëheqjen e Bashës turma u drejtua për në selinë e PD-së. Nisur nga kronologjia e protestave të shkuara lëvizja drejt selisë do të thotë se do të kemi një mbyllje të protestës.

 

Ora 14:36 - Basha mbyll tubimin, mesazh ndërkombëtarëve: Nuk ka stabilitet pa demokraci, protestat vijojnë 

Pas katër orëve marshime rreth Kryeministrisë dhe dhunës te parlamenti, kryetrari i Partisë Demokratike udhëhoqi turmën drejt selisë blu për të mbyllur tubimin. Gjatë fjalës para protestuesve, Lulzim Basha kishte një mesazh në anglisht për ndërkombëtarët. Ai tha se nuk do të ketë stabilitet në Shqipëri pa demokraci dhe se ndërkombëtarët duhet të dëgjojnë shqiptarët dhe jo Ramën. Por si do të vijojë më tej aksioni opozitar? Basha nuk dha detaje gjatë fjalimit, ndërsa u kërkoi simpatizantëve që të vijojnë betejën në cdo qytet në mënyrë të përditshme për të larguar Ramën.

Fotot Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (16/03/2019)