Opozita dorëzon mandatet pas protestës para Kuvendit, Basha: Protesta në gjithë Shqipërinë

Ora 09:35 - Basha mbërrin në selinë e PD-së, gati të nisë protesta
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, duke mbajtur një fjalë para protestuesve të mbledhur. Basha e quajti një regjim ushtarak rrethimin e parlamentit me gjemba, ndërsa tha se protesta do të vijojë dhe efekti i parë i saj është rrethimi i parlamentit, për të treguar sipas tij, se Parlamenti ka rënë.

"Largimi i Ramës nuk do të jetë ngjarje e një dite"-tha Basha, por do të ndodhë së shpejti sipas tij dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ora 09:52 - Plani i beftë i opozitës, mblidhen protestues edhe para kryeministrisë 

Ndërsa protesta e opozitës është lajmëruar prej ditësh të mbahet para parlamentit, Report TV mëson se janë mbledhur protestues edhe para godinës së Kryeministrisë.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi anuloi seancën plenare që do të mbahej sot, nga frika e skenareve të mundshme dhe sinjaleve që u përhapën se do të tentohet që protestuesit të futen brenda sallës së Kuvendit. Por ndërsa Kuvendi është bosh, pa deputetët e mazhorancës dhe ministrat, protestues të tjerë janë mbledhur para kryeministrisë.

Atje mësohet se është një grup i organizuar nga ish-deputeti i PD-së, Ndriçim Babasi.

Ora 10:17 - Protesta e opozitës, banorët e Astirit bashkohen me përfaqësuesit e PD 

Protestuesve të opozitës që janë grumbulluar tashmë përballë parlamentit, i janë bashkuar edhe banorët e Astirit. Ata i janë bashkuar thirrjes së tyre që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Ndryshe nga protesta e së shtunës e cila nisi me një tubim, gjatë ditës së sotme, protestuesit po flasin me radhë lidhur me problematikat për të cilat fajësojnë qeverinë.

Policia 'bllokadë' para parlamentit, në kordonin rrethues edhe të rinjtë e PD-së

Kordonë të shumtë të policisë janë vendosur para godinës së parlamentit. janë disa radhë njëri pas tjetrit, forcat e rendit, ato të Shqiponjave, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Para kordonit të policisë janë vendosur disa të rinj të Forumit Rinor Demokratik me një shirit të bardhë në krah për të qenë edhe ata një mburojë për të shmangur çdo përplasje të mundshme mes protestuesve dhe policisë, marrë shkas nga protesta e shkuar të shtunën para kryeministrisë.

Ora 10:26 - Edi Rama takon Ruçin, kryesia e Kuvendit rrethohet me tela me gjemba

Kryeministri Edi Rama është takuar me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, në kryesinë e Kuvendit. Policia ka marrë masat për mbrojtjen e këtij institucioni. Ai është rrethuar me tela me gjemba për parandalimin e incidenteve dhe sulmeve të protestuesve të opozitës.

Ora 10:32 – Pamjet nga lart nga protesta e opozitës 

Report TV ka siguruar pamjet nga lart nga protesta e opozitës e cila po mbahet përballë parlamentit. Lulzim Basha ka deklaruar se kjo protestë do jetë akoma më e fuqishme se ajo e 16 shkurtit.

 

Ora 10:44 - Simpatizantët e PD ngjiten mbi pemë 

Në minutat e para pas nisjes së protestës para Kuvendit, dy protestues janë ngjitur në një pemë përballë godinës së parlamentit nga ku kanë bërë thirrje kundër qeverisë. Ata kanë qëndruar në pemë për disa minuta. Njëri prej tyre ka nisur të lëkundet mbi pemë gjë që ka sjellë edhe shqetësim në radhët e qytetarëve të tjerë.  Por ai është bindur të zbresë poshtë dhe situata është qetësuar.

Ora 10:51 - Opozita ndryshon skenar për protestën tek Parlamenti

Ndryshe nga protesta e së shtunës para kryeministrisë, këtë radhë, opozita e ka organizuar protestën tek parlamenti, duke mbajtur fjalime të deputetëve, dhe nga radhët e qytetarëve.

Fjalë mbajtën Ervin Salianji, Gent Strazimir, Valentina Duka dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi. Thanë se tashmë mandatet e tyre u takojnë qytetarëve. "Jemi ngritur për të rrëzuar diktaurën mavi", tha Idrizi, duke kërkuar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Mbajtën fjalë edhe deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Grida Duma deklaroi se sakrifica e tyre nuk është asgjë para heroizmit tuaj. Ajo deklaroi se Edi Rama tashmë ka ikur ndërsa opozita do qëndrojë deri në fund.

Të shtunën, më 16 shkurt para Kryeministrisë u vendos të mos mbahej asnjë fjalim politik nga liderët e opozitës

Ora 11:17 - Dogji mandatin?! Flamur Noka para protestuesve: Unë jam deputet, më kanë zgjedhur qytetarët 

Kur ka kaluar vetëm një ditë nga firmosja e dorëheqjes së postit të deputetit, Flamur Noka ka dekaruar sot përpara protestuesve përballë parlamentit se është deputet i zgjedhur nga qytetarët e Kukësit.

"Jam deputet i Partisë Demokratike. Më kanë zgjedhur qytetarët e Kukësit. Ne nuk do bëjmë kurrë pakt me korrupsionin. Rama ik se ti përzure shqiptarët nga Shqipëria. Shqiptarët treguan se shumica të përbuzin. E ke mbushur parlamentin dhe qeverinë me kriminelë. Rroftë liria, rroftë Partia Demokratike, rroftë fitorja", deklaroi Noka.

Ndërkohë në deklaratat e mëparshme të Partisë Demokratike lidhur me protestën e sotme, ishte thënë se ata nuk do protestojnë më si deputetë por si qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, pasi sipas tyre nuk janë më deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ora 11:37 - Kryemadhi: Mandatet tona janë të popullit, Rama fshihet si miu në vrimat e drogës 

Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën e saj gjatë protestës e cila ishte paralajmëruar të mbahej pa fjalime. Ajo deklaroi se vendimi për djegien e mandateve nuk ka kthim pas dhe se djegia e mandateve shënon fundin e tranzicionit që po kalon Shqipëria. Kryemadhi akuzoi kryemistrin Rama se ka ardhur në pushtet me paratë e drogës.

Ora 11:40 - Basha SHBA-ve: Duam demokraci si tuajën, nuk jemi popull i dhunës

Në fjalën e tij në protestën para parlamentit, kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha i është derjtuar edhe ndërkombëtarëve, dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dhënë argumente të vendimeve të opozitës për djegie të mandateve. Basha tha se ajo që kërkon opozita, është që edhe shqiptarët të kenë vlera dhe parime të njëjta me ato të popujve evropianë.

Basha thotë se nuk do të pranojë zgjedhje të vjedhura, siç ai i quajti, ndërkohë që tha se nuk do të ketë dhunë në protestë.

Ora 11:48 - Simpatizantët e PD hedhin tymuese përpara parlamentit 

Protestuesit e mbledhur përpara parlamentit, ku përfaqësues të opozitës po mbajnë me radhë fjalën e tyre, kanë hedhur tymuese në mes të turmës. Tymueset janë hedhur në drejtim të kordonit të policisë.

Ora 11:54 - Protesta e opozitës, ndërpritet sinjali i celularëve në të gjithë bulevardin 

Gjatë kohës kur mbahej protesta  e opozitës, të pranishmit në perimetrin ku zhvillohej ajo, kanë hasur probleme me sinjalin e telefonisë celulare.

Sipas PD, AKEP ka urdhëruar nderprerjen e paligjshme te sinjalit te gjithe operatoreve te telefonise celulare ne te gjithe bulevardin, perfshire zonen e protestes dhe perreth Partise Demokratike.

Ndërkohë në deklaratën e AKEP kjo është kërkuar nga Policia e Shtetit si pjesë e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e protestës gjatë ditës së sotme. Fikja e sinjalit do të zgjasë deri në orën 16:00 dhe do shtrihet në sheshet kryesore ku është menduar të mbahet protesta.

Ora 12:07 - Protestuesit ndjekin eskortën që del nga Kryeministria: "Na iku legeni"

Pas thirrjes së kryedemokratit Basha për zhvendosjen e protesstueve përpara kryesisë së Kuvendit ku do të bëhet dorëzimi i mandateve, simpatizantët e PD janë drejtuar drejt bulevardit Dëëshrët e Kombit.

Në momentin e mbërritjes së tyre aty, kanë parë një eskortë në dalje të kryeministrisë nga pas, duke e menduar si eskortën e kryeministrit Rama e cila është larguar nga zona. Ata janë dëgjuar të thonë "Na iku legeni".

Bashkë me protestuesit, përpara kryeministrisë është zhvendosur edhe kordoni i policisë i cili ishte vendosur më herët përpara parlamentit.

Ora 12:17 - Basha e Kryemadhi futen në kryesi, dorëzojnë dorëheqjen e deputetëve 

Lideri demokrat Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së janë futur në kryesinë e Kuvendit për të dorëzuar dosjet me dorëheqjet e deputetëve të opozitës. Protestues të shumtë janë jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit, të cilët ndoqën liderët politikë nga Parlamenti, ku nisi protesta me fjalime, drejt kryesisë së Kuvendit.

Ora 12:30 - Dorëzohen në Kuvend dorëheqjet e deputetëve

Pasi ka dorëzuar në kryesinë e Kuvendit dosjen me dorëheqjen e deputetëve të opozitës. Ka dalë nga kryesia duke përshëndetur me dy gishta protestuesit që e ndoqën në rrugën nga Parlamenti ku u mbajt fillimisht protesta me rreth dy orë fjalime.

Bashkë me të doli edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Por zgjodhën të mos mbajnë më fjalime. "Rama ik" është thirrja që është dëgjuar vazhdimisht nga protestuesit.  

Në një marshim paqësor ata janë nsur më tje drejt selisë së Partisë demokratike.

Ora 12:35 - Pamjet nga kryeministria, marshimi i protestuesve drejt kryesisë së Kuvendit 

Këto janë pamjet nga sipër kryeministrisë, që tregojnë protestuesit që marshuan nga parlamenti, drejt Kryesisë së Kuvendit për dorëzimin e dorëheqjeve të deputetëve nga ana e opozitës së bashkuar.

Ora 12:46 - Basha mbyll protestën me dorëzimin e mandateve: Nga sot qytetar i thjeshtë

"Mirësevini në shtëpinë e lirisë". Më këto fjalë i është drejtuar lideri i opozitës Lulzim Basha, protestuesve të mbledhur në selinë e Partisë Demokratike, pas përmbylljes së protestës me fjalime para parlamentit, dhe dorëzimit të dorëheqjeve në bllok nga mandati i deputetit në kryesinë e Kuvendit.

"Opozita sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kryqin parlamentit të krimit. Nga sot jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj. Derisa të largojmë kryehajdutin, dhe qeverinë kriminale", tha Basha.

Ora 13:00 - Basha këndon himnin kombëtar, përlotje dhe stonime të zërit

Kreu i PD Basha e ka mbyllur protestën e opozitës këtë të enjte, duke kënduar himnin kombëtar shqiptar dhe duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare.

Është përlotur teksa ka përfunduar së kënduari vargjet e himnit, shoqëruar nga protestuesit e shumtë që ndoqën fjalimin përmbyllës të tubimit, nga selia e Partisë Demokratike.

Nuk mund të kalonte pa disa stonime të zërit...Edhe më herët gjatë fjalimeve në protesta të opozitës, lideri demokrat Lulzim Basha ka pësuar luhatje të zërit, duke u bërë shpesh pjesë e videove gazmore në rrjetet sociale.

Ora 14:06 - Kryemadhi pas takimit me Bashën: Deputetët e opozitës sot janë të lirë nga zinxhirët politikë 

Kryetrarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim foli pas takimit me Lulzim Bashën. Ajo deklaroi se sot deputetët e opozitës janë të lirë nga zinxhirët politik të cilët janë të lidhur me krimin.

"Besoj se mesazhi është shumë i qartë. Sot na dhanë më shumë energji dhe pozitivitet për ta çuar deri në fund misionin  dhe ndarjen përfundimtare me atë Parlament për të cilin për 27 vjet shqiptarët kanë shpresuar se jemi në demokraci, por që na ktheu mbrapsht. Sot opozita dhe deputetët e opozitës janë të lirë nga kapja e çdo zinxhiri politik, i cili është i lidhur me krimin më shumë se kurrë.

Ajo çfarë ndjejnë deputetët, edhe unë vetë personalisht, është që më shumë seç kushton liria nuk kushton asgjë tjetër. Dhe liria është një nga gjërat më të mira, sepse në fund të fundit morali dhe përfaqësimi që kemi ne atë nuk është që të përfaqësojmë grupet e interesit, oligarkët apo kapjen e individëve të caktuar. Qoftë kjo nga drejtësia, apo qoftë nga krimi i organizuar apo allishverishet e caktuara", deklaroi Kryemadhi.

(21/02/2019)