Opozita protestë me flakë e kapsolla para Kuvendit, mbyllet pas 3 orësh

Ora 08:30 - Nëse ka dhunë, turma do shpërndahet fillimisht me ujë, pastaj gazi lotsjellës (Masat e policisë)

1600 forca të policisë janë në terren për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e protestës së opozitës, rreth 200 prej tyre të organizuar vetëm për të garantuar sigurinë e deputetëve, marrë shkas nga protesta e shkuar kur u sulmuan deputetë dhe ministra teksa hynin në kuvend.

Parlamenti është rrethuar me gardh me hekura, ndërkohë që forca të shumta janë vendosur në kordonë sigurie përreth Kuvendit. Janë bllokuar edhe të gjitha hyrjet tek pedonalja që të çojnë tek parlamenti. Mësohet se fillimisht nëse do të ketë dhunë, mbështetësve të opozitës do tu hidhet ujë, ndërkohë nëse dhuna do të përshkallëzohet, atëherë do të shkohet drejt gazit lotsjellës.

Ora 09:10 - Deputetët mbërrijnë në Parlament një orë para nisjes së seancës

Deputetët e mazhorancës kanë mbërritur në parlament rreth një orë para nisjes së seancës plenare për të shmangur përplasjen me protestuesit të cilët nuk janë mbledhur ende. Deputetët po futen në godinën e parlamentit nga hyrja përballë me pedonalen, ngjitur me qendrën tregtare. 

Ora 09:25 - Rama mbërrin në Parlament, kalon me eskortë përmes pedonales 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Parlament rreth orës 09:25. Eskorta e kreut të qeverisë është nisur nga kryeministria e ka lëvizur përmes bulevardit e shoqëruar edhe nga një furgon i FNSH krah automjeteve të Gardës. Eskorta është futur në pedonale nga hyrja e Ministrisë së Brendshme. Të gjitha hyrjet e pedonales janë bllokuar, në mënyrë që pedonalja të jetë e lirë për kalimin e deputetëve drejt Parlamentit.

Ora 09:30 – “Astiri në sulm!”, 'Jelekverdhët' e djegies së gomave gati për protestë 

Nuk kanë munguar edhe në këtë protestë të radhës së opozitës, banorët e zonës së Astirit që prej më shumë se tre muajsh, kanë ardhur të organizuar në grup për t'ju bashkuar protestës së opozitës. Kjo e fundit i ka mbështetur gjatë të gjithë ditëve  të protestës së tyre, kundër projektit të Unazës së Madhe.

Ishin banorët e Astirit, ata që në protestën e shkuar të opozitës para Parlamentit, i vunë flakën gomave të makinave gjatë incidenteve të shumta të krijuara në tubimin e 26 shkurtit ku u përdor më pas gazlotsjellës nga policia.

Ora 09:30 – Pedonalja e rrethuar nga policia, PD: Qyetarëve po iu kërkohen kartat e identitetit 

Partia Demokratike deklaron se qytetarëve që duan të kalojnë brenda perimetrit të sigurisë po iu kërkohet karta e identitetit për arsye sigurie dhe për ndalimin e personave me precedentë penalë që do duan të ushtrojnë akte dhune gjatë protestës që opozita do të mbajë përpara parlamentit.

Forcat e policisë mbajnë të rrethuar zonën e njohur si pedonalja mës Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme.

Ora 09:58 - Incidentet e para, protesuesit hedhin shashka dhe tymuese në drejtim të policisë

Ndërkohë që janë mbledhur protestuesit e parë përpara parlamentit, disa simpatizantë të PD-së kanë nisur të hedhin shashka në zonën përrreth perimetrit të sigurisë. Nga ana tjeter një pjesë e protesuesve që ndodhen përpara kordonit të policisë kanë hedhur tymuese në drejtim të efetivëve të vendosur për ruajtjen e sigurisë.

Ora 10:14 - Sali Lushaj dhe Erzen Breçani 'besnikë' të protestës së opozitës 

Në mesin e protestuesve të opozitës janë edhe Sali Lushaj, ish-truprojë e ish-kryeministrit Sali Berishës, njëherësh babai i reperit "Stresi'.

Po ashtu si edhe në protestat e tjera të opozitës, nuk ka munguar Erzen Breçani, ish-zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës.

Ora 10:30 - Basha dhe Kryemadhi i bashkohen protestës, nisin fjalimet politike të ish-deputetëve 

Ka mbërritur në protestë lideri demokrat Lulzim Basha. I është bashkuar mbështetësve të PD-së të mbledhur para kuvendit, teksa në sallë zhvillohet seancë plenare. Ish-deputetët e PD-së, kanë nisur të mbajnë fjalime. Me tej ne proteste eshte bashkuar edhe kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi.

Ora 10:40 - Protestuesi “amerikan” i opozitës 

Një protestues përpara parlamentit është shfaqur me një flamur amerikan në tubimin e opozitës. Kujtojmë se në të gjitha protestat e opozitës nuk ka pasur flamuj partiak por vetëm flamuri kombëtar i Shqipërisë.

Ora 10:55 – Protestuesit me maska 'artizanale' për t'u mbrojtur nga gazi lotsjellës nëse përdoret

Protestuesit e opozitës kanë marrë masa për t'u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Një pjesë e tyre kanë blerë maska mbrojtëse ndërkohë që disa të tjerë kanë prerë disa bidona duke i përdorur për t'u mbrojtur nga gazi nëse do përdoret.

 Ora 11:05 - U prek gjatë fjalimit, kandidatja për deputete ndihet keq

Një nga kandidatet për deputete, e cila ka refuzuar të marrë mandatin është ndjerë keq pas fjalimit ku tregoi arsyet pse nuk e kishte pranuar mandatin. Gjatë fjalimit kandidates i është marrë zëri ndërkohë që më pas mësohet se ajo është ndjerë keq dhe ka marrë ndihmë nga protestuesit dhe ish-deputetët e opozitës. Në fjalën e saj ajo shpjegoi se nuk e ka pranuar mandatin sepse ai mandat nuk përfaqëson popullin.

Ora 11:05 – Pamjet me dron nga protesta

Këto janë pamjet me dron në protestën e opozitës para parlamentit të Shqipërisë. Qytetarë, mbështetës dhe simpatizantë të PD-së, LSI-së, dhe forcave politike aleate, kanë rrethuar kuvendin, nën masa të rrepta policie.

Pamjet janë siguruar nga Report Tv dhe tregojnë shpërndarjen e protestuesve rreth Kuvendit.

Ora 11:27 - Një protestues dërgohet me ambulancë për në spital 

Edhe pse nuk ka pasur përplasje, një protestues është ndjerë keq gjatë tubimit të opozitës që po mbahet përpara parlamentit. Ai është shoqëruar me ambulancë për të marrë ndihmën mjekësore.

Ora 11:30 - Motra nuk dogji mandatin, djali i Azem Hajdarit në protestën e opozitës 

Kiri Hajdari, djali i ish-deputetit Azem Hajdari, i është bashkuar protestës së opozitës jo parlamentare para Kuvendit të Shqipërisë.

Është gjendur në mes të mbështetësve të opozitës, ndërsa motra e tij, Rudina Hajdari, deri më tani ka dalë kundër vendimit të opozitës, dhe nuk e ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes.

Gjatë fjalës së tij në protestë, Kiri Hajdari u shpreh: "Unë jam djali i Azem Hajdarit. Amaneti i Azemi Hajdarit qëndron tek ju dhe të gjithë demokratët . Liri Demokraci! Rama ik, Rama ik!"

Ora 11:36 - Berisha mes turmës së protestuesve, larg fjalimeve 

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në mesin e protestuesve, në tubimin e opozitës para Parlamentit të Shqipërisë. Ashtu si edhe në protestat e tjera, Berisha ka qëndruar larg fjalimeve. Ndërsa në një podium para Kuvendit, mbajtën fjalë kandidatë që nuk pranuan mandatin e deputetit duke thënë se parlamenti është legjitim.

Ora 12:06 - Tensione në protestë/ Tymuese, kapsolla, e pankarta drejt policisë...I vihet flaka gomave 

Megjithëse nuk ka pasur konfrontime dhe dhunë, protestuesit në tubimin e opozitës kanë hedhur shashka e tymuese në oborrin e parlamentit. Disa të tjerë kanë hedhur edhe pankartat kundër qeverisë, në drejtim të kordonit të policisë, para Parlamentit.  “Rama ik!” kanë qenë thirrjet e tyre. 

 Protestuesit në tubimin e opozitës, i kanë vënë flakën dy gomave, duke krijuar një situatë tensionuese para Parlamentit. Një situatë e krijuar ndërsa ish-deputetët e opozitës mbajnë fjalime në një podium ngritur para Kuvendit, teksa brenda sallës mbahet seancë plenare.

Ora 12:20 - Kryemadhi nga protesta: Do jemi këtu sa herë të mblidhen shushunjat 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka bërë akuza ndaj qeverisë Rama për gjendjen ekonomike të vendit. Ajo bëri thirrje se opozita do të mblidhet përpara parlamentit sa herë që të ketë senacë plenare.

 

Ora 12:25 - Basha: Koha e Ramës mbaroi, 'Tik tak, populli po buçet'

Kryetari i PD-së Lulzim Basha mori fjalën nga protesta para Kuvendit duke deklaruar se koha e Ramës ka mbaruar dhe duhet të largohet. 'Tik tak, tik tak, tik tak. Kjo është ora e bekuar e shpresës dhe besimit te vetja jonë që shqiptarët kanë ëndërruar. Për vite me radhë thundra e krimit, korrupsionit, perversitetit dhe mashtrimit me fytyrën dhe gojën e Ramës shkeli mbi dinjitetin e cdo shqiptari. Ora kur një njeri i vetëm me ndihmën e krimit po shtronte një popull të tërë, kjo orë ka mbaruar këtu ku buçet verdikti i popullit sovran 'Rama ik'.

Ora 12:30 – Protestuesit nga selia e PD godasin derën ndarëse me Kuvendin, policia i largon me ujë

Ora 12:35 – Protesta zhvendoset tek KQZ

Ora 12:46 - Protestuesit mbërrijnë tek KQZ, lejohen të futen brenda vetëm ish-deputetët 

Lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi , dhe liderët kryesorë të partive aleate, shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi janë lejuar të futen brenda ambienteve të KQZ-së, ku kanë takuar kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri.

Të gjithë protestuesit që ndoqën opozitën në marshimin nga parlamenti ku u mbajt përreth tre orë protesta, nuk u lejuan të kalojnë kordonin e policisë.

Brenda KQZ-së, opozita dorëzoi dorëheqjet e kandidatëve në listat pasuese të PD dhe LSI-së.

Ora 12:48 - Demokratët drejt selisë për mbylljen e protestës, Basha: Në 16 mars para Kryeministrisë 
 

Kandidatët për deputetë në listat e PD-së pas firmosjes në KQZ ku nuk pranojnë që të marrin mandatin janë nisur drejt selisë së PD-së bashkë me protestuesit e tjerë ku Basha do të bëjë mbylljen e protestës.

 

 

Rrugës për në selinë e PD-së Basha tha se "Në datë 16 është tubimi i popullit para Kryeministrisë. Sa i takon axhendës opozitare sot përfundoi këtu protesta.  Jeni dëshmitar të disa provokatorëve në radhët e policisë. Edi Rama e ka frikë popullin dhe ka të drejtë, që e ka frikë, pasi duhet ti japë zgjidhje politike krizës" tha Basha.

Ora 13:20 – Basha pajton tenor për të kënduar himnin që përmbyll protestën tek selia

Ashtu si protestat e mëparshme edhe protesta e sotme është përmbyllur me himnin kombëtar. Por nëse në protestat e mëparshme himnin e kishte kënduar vetë kryedemokrati, sot PD ka pajtuar një tenor. Tenori ka kënduar njëzëri me protestuesit himnin që mbylli protestën.

Kujtojmë se më herët, Lulzim Basha ka kënduar duke stonuar himnin e flamurit dhe "Ejani mblidhuni këtu".

 

Fotot Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (05.03.2019)