Opozita rikthehet në Kuvend e shpëton mandatet, por me incidente gjatë seancës

Ora 10:13 - Reforma Zgjedhore në Kuvend, Balla: Adreson kërkesat e PD, ta votojmë 

Mazhoranca kërkon që në rendin e ditës për votim të futet edhe drafti për Reformën Zgjedhore. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit ftoi opozitën që të votojë draftin, pasi u jep zgjidhje edhe kërkesave të PD dhe LSI-së.

“Drafti adreson kërkesat e paraqitura nga PD, që kur ishte në çadër. Përmes këtyre ndryshimeve hapet rruga për testimin e teknologjisë në zgjedhje. Në këtë orë është vështirë që Basha ta kapë, pasi vjen gjithmonë me vonesë, pasi gjumi është problem. Janë një për një të gjitha ata që keni kërkuar. Shumë faleminderit dhe mirëserdhët”, tha Balla.

Ora 10:14 - Ftesa e Ballës për Reformën Zgjedhore, Basha: Jeni tufë horrash e banditësh

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shënuar rikthimin në Kuvend në seancën e sotme me tone të ashpra dhe një fjalor të rëndë në drejtim të Mazhorancës. Pas ftesës së Ballës për të votuar Reformën Zgjedhore, Basha ‘shpërtheu’ duke iu drejtuar deputetëve të PS dhe kryeministrit Rama: “Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallain si gomari. Çfarë? E dini fare mirë, ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar nga komisioni këtu? Çfarë po bëni ju? Show po bëni? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër! Do bëni ju reformë zgjedhore, ju nuk doni vettingun politik. Del këtu shoku i trafikantit që do bëjë pallate të Unaza e re, na flet për reformë zgjedhore! Tufë hajdutësh, banditësh, gjysma juaj duhet të jetë në burg. Prandaj lëri këto gomarllëqe, fillo me pikën e parë të rendit të ditës siç ke rënë dakord".

Ora 10:18 - Basha ndalon përballë Ballës, Braçe: Ik mos na bëj si trim këtu

Pas akuzave nga foltorja e Kuvendit, Basha në momentin që është larguar për t’u ulur është ndalur përballë Taulant Ballës duke lëshuar akuza në drejtim të tij, ndërsa në këtë moment ka ndërhyrë Erion Braçe duke i thënë kreut të PD ‘Ik mos na bëj si trim këtu’

Ora 10:45 - Deputeti i PD Endri Hasa qëllon Ramën me vezë, përjashtohet 10 ditë, ndërpritet seanca .

Teksa kryeministri Edi Rama po fliste në foltore për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës, deputeti i PD Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe një top boje, ndërsa i tha “E ke nga studentët”. Në këtë moment ndërhyri Garda e Republikës, Rama kërkoi që deputeti të nxirret jashtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e përjashtoi nga seanca dhe Byroja e Kuvendit 10 ditë nga punimet. Por demokrati nuk pranoi që të dilte nga salla duke bërë që Ruçi të ndërpriste seancën plenare. 

Ora 11:00 - Deputetët e PD hedhin projektligjet drejt Ramës në foltore

Me rinisjen për herë të dytë të seancës, Endri Hasa jo vetëm që nuk ka dalë nga seanca, por deputetët e tjerë të PD, janë afruar pranë foltores duke hedhur projektligjet në drejtim të kryeministrit.

Ora 11:13 – Goditja me vezë, reagon Rama: Opozita e paska vrarë kohën koteceve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale me një postim pas ngjarjes sot në Kuvend ku u qëllua me vezë nga deputeti i PD, Endri Hasa.

 “Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”.

Ora 11:20 - ‘Na denigroi’/ PD kërkon përjashtimin e Ramës nga Kuvendi

PD kërkon përjashtimin nga seanca plenare të Kryeministrit Edi Rama. Kërkesa është firmosur nga disa deputetë, të cilët pohojnë se “gjatë seancës Rama përdori fjalor fyes dhe denigrues ndaj grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të veçantë të PD”.

Ora 11:44 – Goditja e Ramës me vezë, Berisha: Ishte kartolinë nga studentët, vinin nga Surreli

Sali Berisha ka reaguar pas incidentit në Kuvend duke thënë se ishte kartolinë për kryeministrin, ndërsa shtoi se ‘vezët vinin nga Surreli’, zonë ku banon Rama. “Ishte kartolina nga studentët për Vitin e Ri që deputeti Hasa i dërgoi kryekumbarës, kreut të krimit të krimit organizuar dhe të korrupsionit, Edvin Kristaq Rama. E vërteta është që ato vezë vinin direkt nga Surreli” tha ai.

Ora 11:50 - PS: Të përjashtohen Noka, Paloka dhe Strazimiri

Partia Socialiste ka bërë një tjetër kërkesë drejtuar Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e deputetëve të PD, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri me argumentin se kanë përdorur fjalor fyes. Ndërkohë që kërkesa e PD për përjashtimin e Ramës është shtyrë për tú shqyrtuar brenda 48 orëve.

Ora 11:55 “Liro sallën se kështu vendosi partia”. Lapsusi i Ruçit që shkaktoi të qeshura në Kuvend

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë një lapsus që ka shkaktuar të qeshura nga deputetët e opozitës në sallën plenare. Teksa po i kërkonte deputetit të PD, Endri Hasa që të dilte nga salla, pasi u përjashtua me 10 ditë se qëlloi kryeministrin me vezë, Ruçi ngatërroi Byronë e Partisë me atë të Kuvendit. ‘Liro sallën në zbatim të vendimit të Byrosë së partisë...!  të Byrosë së Kuvendit”.

Ora 12:09 - Endri Hasa nuk del nga Kuvendi, seanca shtyhet për pasdite në 18:00

Duke qenë se deputeti i PD, Endri Hasa nuk pranoi që të dilte nga salla e Kuvendit pas përjashtimit me 10 ditë, kryetari i Kuvendit pasi e ndërpreu disa herë e shtyhu seancën për në orën 18:00 të pasdites së sotme.

“I kërkoj të lirojë sallën, është e katërta herë, procedura është e qartë. Në kushtet që nuk zbatohet vendimi i marrë, ndërpres seancën për ta vijuar në orët 18:00 pasdite” tha Ruçi

Ora 12:48 - Opozita nuk largohet, ngujohet në Kuvend deri në orën 18:00

Pas vendimit të kryetarit të Kuvendit për shtyrë seancën në orën 18:00, pasi deputeti Endri Hasa nuk pranoi që të largohej pas përjashtimit me 10 ditë, grupi i PD vendosi që të mos largohet nga salla duke u ngujuar deri pasdite. Një veprim i tillë vjen, pasi nëse do të largohen, deputeti Hasa nuk do të lejohet që të futet pasdite me rifillimin e seancës.

Ora 13:13 - Basha dhe Berisha largohen për t’u rikthyer në orën 18:00

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD në Kuvend ku u vendos që deputetët nuk do të largohen, kryetari i PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë të vetmit që janë larguar për t’u rikthyer më pas në orën 18:00 kur të rifillojë seanca.

Ora 13:29 - Incidenti në Kuvend, Braçe: Luli i dha vezën deputetit të PD dhe e lëshoi në ‘atentat’; ai po dridhej...

Deputeti i PS, Erjon Braçe ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku kryeministri Rama u qëllua me vezë nga deputeti i PD, Endri Hasa. “Te kesh perpara nje burre dy metra, për më tepër që nuk lëviz, të jesh një metër larg tij dhe ta qëllosh. Do të thotë që e ke bërë në brekë. Por është me e turpshme se kaq; Vezën e këtij e bëri një pulë si vet Luli, hyri në Kuvend pa ju nënshtruar kontrollit te zakonshëm, u ul në vend, thirri ketë trimin, i dha vezët dhe e lëshoi në “atentat”; ai po dridhej! A e kuptoni se çfarë kryetari opozite ka ky vend apo jo?

Ora 13:30 - PS kërkon përjashtimin e Lulzim Bashës nga Kuvendi

Partia Socialiste ka kërkuar nga Byroja e Kuvendit përjashtimin e kreut të PD, Lulzim Basha me 10 ditë nga Kuvendi për gjuhën e përdorur në parlament. Ende nuk dihet nëse PS i referohet fjalës së Bashës në fillim të seancës ku iu drejtua socialistëve me fjalët “të poshtër, horra, banditë, dele”, apo më pas kur foli nga karrigia gjatë incidentit me kryeministrin Rama.

Ora 14:01 - Balla publikon videon: Ja momenti kur Basha i dha vezët Hasës për të goditur Ramën

Partia Socialiste akuzon kryetarin e opozitës Lulzim Basha se ishte ai që futi në Kuvend vezët me të cilat deputeti Endri Hasa qëlloi kryeministrin Rama. Kryetari i grupit të PS ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video nga momenti kur deputeti i PD, Endri Hasa është afruar pranë vendit ku qëndron Lulzim Basha në Kuvend dhe diskuton në lidhje me disa dokumente në nisje të seancës së sotme.

Në një moment, Hasa ulet pranë tij dhe sikur pretendon Balla, ka marrë vezët nga xhupi i kreut të PD, i cili e kishte vendosur në karrige.

Ora 14:55 - Katër orë i ngujuar në Kuvend, deputeti i PD që qëlloi Ramën del bashkë me grupin

Pas katër orësh ngujim në Kuvend, deputeti Endri Hasa së bashku me grupin kanë dalë nga salla e Kuvendit. Fillimisht u deklarua se do të qëndrojnë deri kur të fillonte seanca pasdite, pasi Hasa nuk do të lejohej nga Garda që të hynte nëse do të dilte, pasi është përjashtuar me 10 ditë. Por rreth orës 14:30 vendimi ka ndryshuar dhe Endri Hasa së bashke me grupin e deputetëve kanë dalë. Në orën 17:30, 30 minuta para mbledhjes së Kuvendit, grupi i PD do të ketë një mbledhje.

Ora 18:06 - Rinis seanca e Kuvendit, e pranishme edhe opozita, mungon Rama

Ka rinisur seanca e Kuvendit pas ndërprerjes në mesditë për shkak të incidentit të shkaktuar nga deputeti i PD, Endri Hasa i cili u përjashtua për 10 ditë nga Byroja e Kuvendit. Të pranishëm në seancë janë edhe deputetët e opozitës. Ndërsa kryeministri Rama nuk ndodhet në sallën e Kuvendit pasi është në takim me studentët e arkitekturës.

 

Ora 18:14 - Basha del në foltoren e Kuvendit por refuzon të flasë: Të lejohen mediat në sallë 

Ka nisur me debate seanca plenare këtë pasdite. Kryetari i PD, Lulzim Basha, mori fjalën në foltore, por e ndërpreu brenda pak sekondash. Shkak ka qenë pretendimi i Bashës se mediat nuk janë lejuar të jenë të pranishme në Kuvend, edhe pse fjala e Bashës po transmetohej live në të paktën katër televizione informative. Edhe ish-kryeministrit Sali Berisha ka refuzuar të flasë pasi ka kërkuar që në këtë seancë të rëndësishme duhet të jetë patjetër edhe kreu i ekzekutivit për të mbrojtur buxhetin 2019.

(20/12/2018)