Paloka i hedh bojë me shiringë Ramës në Kuvend, Garda: Ishte solucion kimik! Nis hetimi

Ora 10:10 – Basha: Jemi në një mort të rënies së shtetit, Rama: Ndjesë për fëmiun!

Gjatë fjalës së tij kryetari demokrat Lulzim Basha fillimisht shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave në të aksidentit tragjik në Maqedoni nuk harroi të përsërisë thirrjen e tij për të gjithë qytetarët shqiptarë që sipas tij, duhet të bashkohen për t'i rrëzuar qeverinë e Rilindjes më 16 shkurt. Basha tha se qytetarët shqiptarë nuk mund të festojnë, pasi sipas tij qeveria ka ardhur nga krimi dhe se sot sipas tij jemi në një mort të rënies së shtetit në Shqipëri.

 

Menjëherë pas fjalës së Bashës ka reaguar kryeministri Rama i cili i është drejtuar kryeparlamentarit të Maqedonisë Talat Xhaferi i cili ishte në seancë.

"Ju kërkoj ndjesë për këtë shkelje të kodit të mikpritjes por ju siguroj se fëmiu që sapo foli nuk i mendon ato që thotë por nuk di se çfarë thotë, edhe një herë ju kërkoj ndjesë", tha Rama.

Ora 10:40 – Edi Paloka i hedh bojë me shiringë në fytyrë kryeministrit Rama  

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka spërkati me bojë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte ulur në karrigen e tij në Kuvend pas deklaratës që kryeministri bëri për kreun e PD Basha.

Paloka u çua nga vendi me shpejtësi teksa në foltore ishte Fatmir Mediu dhe u drejtua drejt kryeministrit Rama duke e spërkatur me bojë të zezë  nëpërmjet një shiringe të mbushur me të.  Efektivët e Gardës kanë ndërhyrë menjëherë por pa pamundur të ndalonin Palokën ndërsa boja e hedhur prej tij preku Ramën në fytyrë dhe këmishë. Menjëherë pas këtij veprimi kryeparlamentari Ruçi përjashtoi Edi Palokën nga seanca.

Ora 10:50 - Byroja përjashton me 10 ditë Palokën, ndërpritet seanca 5 minuta

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu me 5 minuta seancën pasi Paloka qëlloi me bojë kryeministrin Edi Rama në Kuvend, dhe nuk pranoi të linte sallën pasi u përjashtua. Në këto kushte, Ruçi mblodhi Byronë e Kuvendit, e cila mori vendim për përjashtimin me 10 ditë të nënkryetarit të Kuvendit, Edi Paloka.

Ora 11:30 - Paloka hedh shiringën, Berisha i 'fsheh dorën': Ishte stilograf! 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar atë që duket qartësisht përmes fotove edhe videove. Shiringën e mbushur me bojë në duart e Edi Palokës, teksa e zbraz në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Nga fotot dallohet kryeministri i bërë me bojë në fytyrë, si dhe momenti kur Edi Paloka shtrëngon shiringën duke lëshuar bojën. Një veprim që i kushtoi atij përjashtimin nga salla e Kuvendit, edhe pse nuk e zbatoi duke detyruar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi të mbledhë Byronë e Kuvendit.

 

Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Berisha justifikoi veprimin e Palokës duke thënë se kryeministri Edi Rama përdori fjalë ofenduese ndaj liderit të opozitës Basha, dhe ndaj gjesti sipas Berishës, ishte mëse i merituar. Por ish-kryeministri mohoi që Paloka të ketë qëlluar me shiringë. duke thënë se ishte një stilograf!

Ora 11:38 - Kryemadhi: Kryeministri rrugaç bulizon! Ka deficencë mendore 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, e quajti të drejtë veprimin e Edi Palokës ndaj Edi Ramës, duke dhënë argumentet e saj se kreu i qeverisë bulizon këdo.

 

 

"Sigurisht që Kryeministri nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarët çdo ditë e më shumë. Vjen një moment ku të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke  i konsideruar  me organet gjenitale. Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament”, tha Kryemadhi.

Ora 11:53 - PD: Ja pse Paloka gjuajti me bojë Ramën 
 

Partia Demokratike ka sqaruar arsyet pse Edi Paloka gjuajti me bojë Kryeministrin Edi Rama.

Sipas PD-së, qëndrimi i deputetit demokrat erdhi për shkak të talljes së vazhdueshme që Rama i bëri në seancat e kaluara.

 

“Edi Paloka e gjuajti me boje Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajta me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”, thuhet në reagimin e PD-së.

Ora 11:55 - Spiropali: Populli mos t'i bashkohet zjarrit të opozitës në protestën e së shtunës

Pas mbylljes së seancës së sotme plenare, ka reaguar edhe Ministrja e Marëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila e quajti të pavend gjestin e opozitës dhe tha se ky ishte një shembull i cili i mësoi popullit se nuk duhet të ndjekë zjarrin e opozitës në protestën e së shtunës.

 Ora 12:00 - Balla: Do kërkojmë përjashtimin e Palokës nga nënkryetari i Kuvendit 

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se socialistët do të kërkojnë shkarkimin e Edi Palokës nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

 

"Gjithcka u bë në një seancë solemne si është momenti i votimit të marrëveshjes për anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe në prezencën e një miku të vyer jo se është kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut por se është personalitet i rëndësishëm i shqiptarësisë.

Berisha ia ka marrë dorën që cadrën ta bëjë pistoletë dhe shiringën ta bëjë stilograf. Të bëhen hetimet  për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Më lejoni tu them se grupi i PS nuk duron më që nënkryetari të jetë Paloka dhe në seancën e ardhshme do depozitojmë kërkesën për shkarkimin”-  tha Balla.

Ora 12:04 - Ja shiringa me të cilën Paloka i hodhi bojë Ramës, Garda: Ishte solucion kimik, nisin hetimet 
 

Garda e Republikës thotë se ka nisur hetimet ndaj Edi Palokës, pasi pretendimet janë që boja brenda shiringës që nënkryetari i Kuvendit zbrazi ndaj kryeministrit Rama, të jetë një solucion kimik.

Në njoftim thuhet se ka nisur gjithashtu edhe procedimi penal kundër Edi Palokës.

Ora 12:50 - Qëlloi me bojë kryeministrin, Paloka: Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit 

Nënkryetari Partisë Demokratike është shprehur se kjo nuk ishte hakmarrja e tij por shqiptarëve që vidhen çdo ditë nga qeveria. Ai tha se Rama nuk ka parë gjë akoma dhe ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit.

 

"Ai parlament është i qelbur kokë e këmbë, nuk ka asnjë vlerë. Ja thashë edhe Gramoz Ruçit kur tha se është përjashtuar Paloka. Ai parlament është përjashtuar nga populli, është parlament me vota të vjedhura. U tha se u hakmorr Paloka, por ajo ishte hakmarrje e shqiptarëve që përditen fyen dhe vidhen nga një qeveri dhe një kryeministër arrogant dhe i pacipë. Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit. Ai realisht nuk parë asgjë akoma", tha Paloka.

Ora 14:37 - Rama: Jam rritur me bojëra...  Më shqetëson vetëm mendja e shpirti katran i tyre

Kryeministri Edi Rama thotë se ka marrë mesazhe solidariteti nga shumë njerëz, ku thotë se nuk e shqetëson fakti që është qëlluar me bojë, pasi me to është rritur. Këtu i referohet pasionit të tij për pikturën, si artist, por shton se e shqetëson fakti që populli sipas tij nuk i meriton këta opozitarë.

 

"Faleminderit për mesazhet e solidaritetit, po s'më shqetëson hiç boja se me bojërat jam rritur e mësuar. Më shqetëson mendja e shpirti katran i palo përfaqësuesve të një populli që s'i meriton këta zorzopë. Prandaj jo që s'i hap rrugë budallallëkut, po veç më rritet pasioni e vendosmëria", shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

(14/02/2019)