Protesta e 10-të e studentëve zhvendoset nga Kuvendi tek Kryeministria
Ora 08:45 - Grupi ‘simbolik’ i studentëve që protestuan para Kryeministrisë dhe MASR gjatë gjithë natës.
Njësoj si ditën e djeshme edhe sot, një grup i vogël studentësh ka kaluar natën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit. Siç shihet edhe nga pamjet, numri i studentëve që ka qëndruar jashtë në temperaturat nën zero, ka qenë simbolik. Turma është shpërndarë dhe shumë pak student kanë vendosur të sfidojnë të ftohtin dhe të qëndrojnë për të protestuar.
Ora 09:42 - Studentët nisin grumbullimin, Parlamenti rrethohet nga policë
Studentët kanë nisur grumbullimin dhe po marshojnë për të protestuar para Parlamentit. Pjesëmarrja deri në këto momente duket se është e ulët. Masa të shtuara policie për protestën. Uniformat blu ndodhen para Parlamentit për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit.
Ora 10:13 - Studentët mblidhen para Parlamentit, opozita shpëton mandatet me protestën
Studentët janë mbledhur tashmë para Parlamentit ku do të protestojnë për plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Pjesëmarrja e studentëver në protestë është më e ulët nga ditët e tjera, ndërsa nga ana tjetër brenda seancës plenare ndodhen edhe deputetët e LSI-së dhe PD, të cilët kanë shpëtuar mandatet e tyre me amendamentet e tyre për cështjen e studentëve.
Ora 10:55 - Ja përmasat e protestës së studentëve para Parlamentit
Shqiptarja.com sjell pamje me dron nga protesta e studentëve që po zhvillohet para Parlamentit në ditën e 10-të. Protesta sot është zhvendosur para Kuvendit, në ndryshim nga 9 ditët e kaluara kur ata kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.
Ora 12:08 - Rama-studentëve: Refuzimi në kor i dialogut, dobësi. Mos e mbysni protestën, bëhuni fuqia e ndryshimit
Pas refuzimit të studentëve për të nisur dialogun, ka ardhur edhe reagimi nga kryeministri Edi Rama. Ai pas fjalës së tij në Kuvend, ku përsëriti ftesën për të hapur dialog me studentët, dhe theksoi se është i gatshëm të plotësojë të 8 pikat, Rama thotë se refuzimi në kor nga studentët, është dobësi. Ai iu bën thirrje studentëve të mos mbysin protestën dhe të mbeten fuqia e ndryshimit të botës Universitare.
Ora 12:33 - Studentëve të Tiranës iu bashkohen edhe ata të Durrësit
Protestës së studentëve në Tiranë i janë bashkuar edhe studentët e Durrësit. Sikurse shihet nga pamjet, ata kanë mbërritur në kryeqytet vetëm pak momente më parë.
Ora 12:46 - Robert Aliaj- studentëve: Keni krijuar diçka shumë të madhe, mbajeni kështu siç është
Artisti kontrovers Robert Aliaj ka qenë edhe sot i pranishëm në protestën e studentëve që po zhvillohet përpara Parlamentit. Ai madje ka folur edhe me megafon, ku i ka bërë thirrje studentëve që të mos heqin dorë nga qëndrimi i tyre.
"Ndjej kaq shumë energji, qëndroni bashkë, krijoni unitet. I keni që të gjitha, keni perspektivën. Keni krijuar dicka shumë të madhe, mbajeni kështu sic është. Unë do jem midis jush, sepse s'ka zgjidhje tjetër. Cdo gjë do realizohet, cdo gjë", iu drejtua ai studentëve.
Ora 12:58 – Studentët zhvendosen tek Kryeministria nga Parlamenti
Pas disa orësh proteste para Parlamentit studentët i janë drejtuar Kryeministrisë. Ata kanë kaluar përmes pedonale në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për tu ndaluar më pas para godinës së kreut të Qeverisë.
Ora 13:41 - Studenti 'kundër' turmës, vendos të falet përpara Parlamentit
Një student protestues, ndryshe nga pjesa tjetër, është filmuar duke u falur përpara Parlamentit. Ai ka zgjedhur që t'i shmanget turmës dhe të falet sikurse e kërkon feja islame.
Ora 15:38 - Studentët grisin pankartat me simbolet e partive PD, LSI dhe PS
Studentët duan të theksojnë me çdo kusht se protesta e tyre është e papolitizuar. Me mbylljen e seancës plenare, ata u zhvendosën para Kryeministrisë. Siç shihet edhe në këtë foto të publikuar në rrjetet sociale, të rinjtë kanë grisur pankartat me simbolet e partive politike. Ata kanë grisur pankartat e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, por nuk kanë kursyer as ato të Partisë Socialiste.
Ora 16:04 - ‘Pse po na ikin orët pa folur?’, Rama këmbëngul për dialog me studentët
Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto në Instagramin e tij, ku shkruan: “Pse po na ikin orët pa folur?”. Reagim ky që vjen pas refuzimit të studentëve për të nisur dialogun lidhur me tetë pikat për të cilat protestojnë prej 10 ditësh.