Protesta e banorëve tek Unaza e Re, përplasen me policinë, ndërhyn FNSH
Ora 17:15 – Banorët e zones së Unazës së Re nisin protestën e tyre në ditën e 16-të duke bllokuar qarkullimin rrugor në të dyja kahet e rrugës duke krijuar kaos e trafik. Duke hedhur kapsolla dhe fishekzjarre, banorët kanë ripërsëritur thirrjet se shtëpitë e tyre nuk do shemben.
Ora 17:30 - Pas 15 minutash nga bllokimi i rrugës "Teodor Keko", banorët kanë nisur marrshimin nga semafori i fundit i Unazës së Re drejt sheshit "Shqiponja" për të vijuar protestën e tyre.
Ora 17:45 - Banorët përplasen me efektivët e policisë, ndërhyn FNSH
Gjatë marrëshimit banorët ndalen pranë një kantieri ndërtimi privat ku ndodhej edhe një kordon policie. Banorët i kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave, më pas janë përplasur fillimisht me efektivët e rendit të policisë teksa thyen rrethimin për tu futur brenda kantierit. Menjëherë gjatë momenteve të tensionuara kanë ndëhyrë efektivët e FNSH të pajisur me kaska mbrojtëse dhe mburoja. Pas disa minutash situate të tensonuar ata kanë larguar banorët nga kantieri dhe kanë qetësuar disi situatën. Banorët kanë qëndruar në rrugë duke hedhur sërish kapsolla, disa prej tyre në drejtim të kordonit policor të FNSH. Në momentet e konfrontimit policia ka shoqëruar 6 persona, të cilët janë: Edmond Frangu, Armando Gishto, Arben Qzrani, Shpëtim Billo, Gëzim Sadikaj dhe Paolo Ahmetcenaj. Banorët kanë qëndruar duke protestuar në këtë pjesë të aksit të Unazës së Re për mbi një orë.
Ora 19:20 – Përfundon protesta e banorëve për ditën e sotme.
Pas mbi 2 orësh ka përfunduar protesta e banorëve të zonës së "Astirit" në Unazën e Re që janë kundër projektit të "Unazës së Madhe të kryeqytetit" i cili prek banesat e tyre. Ata do të zhvillojnë sërish protestë nesër në orën 17:00