Protesta, opozita 5 orë 'xhiro' nga Kuvendi tek Policia e Tiranës, e mbyll tek selia e PD

Ora 09:35 - Masat e policisë, rrethohen Kuvendi dhe Kryeministria
Policia ka marrë masat pë ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme ndërkohë që në Kuvend do të zhvillohet seanca plenare. Shqiptarja.com mëson se në protestë do të jenë në gatishëmëri mbi 700 forca policie dhe FNSH, pra më pak se protesta e 16 marsit

Ndërkohë që masat do të jenë të shtrira para Parlamentit dhe Kryeministrisë, teksa të dy institucionet janë rrethuar me gardh metalik.

Policia ka vënë në gatishmëri edhe autobotin e ujit i cili do të përdoret në rast se turma do të tentojë të futet me forcë në perimetrin e sigurisë.

Ora 09:37 - Klevis Balliu tenton të çajë kordonin e policisë me banorët e Astirit

Banorët e unazës së re dhe disa simpatizantë të PD-së janë përplasur me policinë pasi kjo e fundit ka bllokuar kalimin e tyre në zonën e pedonales për të siguruar deputetët dhe për të shmangur sulmet ndaj tyre ashtu sikurse ndodhi tre javë më parë me tre deputetë të opozitës.

Bashkë me protestuesit ndodhet dhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu i cili është konfrontuar me policinë duke mbrojtur protestuesit dhe duke i bërë thirrje policisë që të lejojë kalimin e tyre në zonën e pedonales. 

Ora 10:14 - Salianji: Po të duam futemi në parlament për dy minuta, gazin lotsjellës e kemi si karamele 

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji është bashkuar me protestuesit të cilët janë drejtuar për tek Kuvendi. Gjatë marshimit ai është ndalur në prononcim për mediat ai tha se protestuesit dalin sot për rikthyer sovranitetin e ndërsa shtoi se po të donin do të hynin në parlament për dy minuta.

"Banorët duan të rikthejnë sovranitetin. Ne nëse do donin të hynim në parlament do të hynim për dy minuta. Gazi lotsjellës është si karamele", u shpreh Salianji.

Ora 10:22 - Hidhen tymuese dhe kapsollë, policia - Bardhit: Largo nga protesta personat e maskuar

Simpatizantët e opozitës kanë hedhur kapsollë dhe tymuese në drejtim të policisë vendosur para parlamentit. Policia ka bërë thirrje me megafon për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur episode të dhunës në protestë.

Policia i është drejtuar sërish me megafon organizatorit të protestës, sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi që të largojë nga protesta persona që kanë të maskuar fytyrën për të fshehur identitetin e tyre, me  dyshimet sipas uniformave blu se mund të kryejnë akte të dhunshme.

"I nderuar zoti Bardhi! Në mes të protestuesve ka persona që mbajnë maska, merrni masa për largimin e tyre nga tubimi pasi policia do të zbatojë ligjin", ishte thirrja për zotin Bardhi. 

Ora 10:31 - PAMJE ME DRON/ Ja sa protestues janë sot përpara parlamentit 

Report TV  ka siguruar pamjet me dron të protestës së sotme të opozitës, përpara parlamentit.

Ora 10:41 - Berisha i bashkohet protestës

Në të gjitha protestat kundër qeverisë, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka qenë i heshtur. Nuk ka mbajtur fjalime politike, rrallë ka dhënë prononcime për gazetarët e interesuar, ndërsa gjithmonë nuk ka qenë në ballë të protestës. Ka zgjedhur të rri i mënjanuar, e madje siç rrallë ndodhte, kur ai vinte në protestë, turma e simpatizantëve as nuk e vinte re. Por këtë të enjte, ish-kryeministri Sali Berisha, është pritur me ovacione të mëdha mes turmës së protestuesve mbledhur para Kuvendit të Shqipërisë.

Mbështetës që e takonin dhe puthnin, të tjerë nuk humbisnin rastin për të bërë "selfie". U pa i qeshur dhe entuziastë teksa takonte simpatizantët e opozitës.

E shkak për këtë duket se është bërë mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili për herë të parë, nuk ishte në ballë të protestës, që duhet theksuar se është e gjashta në numër kundër qeverisë. Edhe për ish-kryeministrin Berisha dukej se ishte një atmosferë 'pritëse' mes mbështetësve, që i kishte munguar.

Ora 10:52 - Tentohet të çahet kordoni i policisë tek Kuvendi, hidhen kapsolla dhe tymuese

"E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Me këto thirrje, protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë së vendosur para Parlamentit, nën thirrjet me megafon të policisë për tu tërhequr dhe për tu shmangur nga aktet e dhunës. Efektivët e policisë janë të pajisur me maska kundragaz. Protestuesit nuk ndalen së hedhuri kapsolla dhe tymuese ndaj efektivëve të Policisë. 

Ora 11:30 - Hidhen kapsolla dhe tymuese nga tarraca e PD drejt Kuvendit, policia u hedh ujë

Në tarracën e selisë së Partisë Demokratike, që ndodhet ngjitur me Kuvendin e Shqipërisë, kanë hipur persona që qëllojnë me gurë, hedhin kapsollë, shashka e tymuese në drejtim të parlamentit. Policia nga ana tjetër e selisë, ka munguar të shmangë situatën duke përdorur autobotët me ujë me presion.

Në oborrin e PD-së janë djegur goma makinash, ndërsa në këto pamje të veçanta që disponon Report Tv, shihen protestuesit mbi tarracë, të maskuar, teksa hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të Parlamentit. Ata janë pikasur me dylbi nga forcat e policisë që janë në terren për të garantuar mbarëvatjen e protestës së gjashtë të opozitës jo parlamentare kundër qeverisë Rama.

Ora 11:52 - Kryemadhi nxit turmën, protestuesit sulmojnë kordonin e policisë

Teksa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje për të mos u ndalur për të rrëzuar qeverinë protestuesit janë nisur drejt kordonit të policisë duke u përpjekur të futen me forcë brenda perimetrit të sigurisë. Kjo ka sjellë zhvendosjen e kordonit të policisë.

"Nuk ka asnjë hap pas. Lë të djegim këtë sistem, ne do të vijojmë rrugën tonë" u shpreh Kryemadhi. Në këtë moment turma ka bërë thirrje për sulm ndaj kordonit të policisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë është në gatishmëri ndërkohë ka vënë edhe maskat kundragaz pasi nëse do ketë tentativa të tjera nga protestuesit për të sulmuar kordonin e sigurisë do të përdoret gazi lotsjellës për të sjellë shpërndarjen e turmës.

 

Ora 12:48 - Ish-deputetët e opozitës ulen këmbëkryq mes protestuesve

Vijon protesta e opozitës përpara parlamentit. Deputetët e opozitës janë ulur këmbëkryq në mes të protestuesve si shenjë e një proteste paqësore. Kjo ishte një lëvizje e pamenduar nga opozita. Protesta e sotme ka nisur pa një itinerar të përcaktuar për shkak edhe të mungesës së liderit demokrat Lulzim Basha. Deri më tani protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin më shumë se shtatë herë ndërkohë që tani situata duket se është normalizuar. 

Ora 13:29 - PD-LSI zhvendosin protestën përpara Drejtorisë së Policisë 

Ish-deputeti demokrat Flamur Noka i ka bërë thirrje protestuesve të zhvendosin protestën pëpara Policisë së Tiranës ku do të bëjnë thirrje për lirimin e protestuesve të cilët janë shoqëruar nga policia pas protestës së fundit të opozitës.

Protestuesit kanë nisur marshimin nga parlamenti drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Protesta e sotme ka nisur pa një program të përcaktuar


 

Ora 14:13 - Ish-deputetët e opozitës futen në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë 

Ish-deputetët e opozitës janë futur në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku do të negociojnë me drejtuesit e këtij institucioni për të negociuar lirimin e protestuesve të shoqëruar pas protestës së fundit të opozitës.

Ndërkohë që protestuesit nuk janë lejuar të futen në ambientet e brendshme të saj dhe vijojnë thirrjet "Lironi vëllezërit tanë"

Ora 14:38 - Kryemadhi: Edi Rama shoqëron fëmijë nga frika dhe paniku 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka deklaruar se policia ka shoqruar 14 të rinj të ditëlindjes '95 për shkak se i janë bashkuar protestës së opozitës. Ajo tha se ata që duhet të arrestohen janë Damian Gjiknuri dhe cdo trafikant drogë që trafikon drogë me uniformën e policisë.

Ora 15:00 - Paloka mbyll protestën: Basha iu përshëndet nga Brukseli 

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka përmbyllur protesën e opozitës pas orësh marshime duke deklaruar se në vend nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet nëse nuk do të ketë demokraci.
 

"Ju përshëndes në emër të kryetarit Basha. Jemi nisur për një rrugë që nuk ka fund tjetër përveçse fitores!

Vëllezër e motra, dua t’ju falenderoj për këtë betejë të sotme, që është vazhdim i betejës për të arritur nesër në fitoren e sigurtë. Dua t’ju përshëndes edhe në emër të zotit Basha, i cili vazhdon takimet në Bruksel, takime shumë të suksesshme, të cilat absolutisht janë pjesë e fitores që na pret",  u shpreh Edi Paloka. 

Ora 15:33 - Shoqërohen shtatë protestues
Policia ka shoqëruar shtatë persona nga protesta e sotme të opozitës. Mësohet se mes të shoqëruarve është edhe banori i Unazës së Re Dorjan Protoduari. Mësohet se ai debatoi me policinë pak para nisjes së protestës.

Foto A.Çakshiri/Shqiptarja.com (21/03/2019)