PS 'ndez motorët' elektoralë, Rama 'ofertë' opozitës: Nëse fitoni një bashki më shumë se PS, shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Ora 10:00 - Ka nisur në Pallatin e Kongreseve, nën tingujt e Himnit Kombëtar Kongresi i Partisë Socialiste, forumi më të lartë, që shënon praktikisht nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ky kongres konfirmon 7 kandidatë për kryebashkiakë, Erion Veliajn në Tiranë, Armando Subashin në Fier, Sotiraq Filon në Korçë, Majlinda Bufin në Roskovec, Dritan Lelin në Vlorë, Pjerin Ndreun në Lezhë dhe Gledian Llatjan në Elbasan.

 

Më pas, delegatët e kongresit dhe të ftuarit do të zbresin në Sheshin Nënë Tereza, në një miting ku socialistët do të tregojnë forcën dhe mbështetjen, ndaj sjelljes së opozitës. Në shesh, Erjon Veliaj do të shpalosë vizionin për një mandat të dytë, ndërsa do të prezantojë edhe kandidatët për këshilltarë bashkiakë në kryeqytet.

Ora 10:16 - Balla: Fitojmë dhe bashkitë e marra peng nga opozita! Të gatshëm për dialog 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalimin hapëse të Kongresit, ka deklaruar se PS është e vetmja forcë politike në vend tek e cila mund të besojnë shqiptarët duke shtuar se kjo parti do rikonfirmohet jo vetëm në bashkitë që ka fituar në zgjedhjet e kaluara por edhe në bashkitë që sipas tij mbahen peng nga opozita. Balla tha se PS është e gatshme për çdo lloj dialogu parlamentar në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Ora 10:22 - 22 mijë e 513 shqiptarë kanë marrë shërbimin nga platforma e bashkëqeverisjes 

Zëvëndëskryeministri Erion Braç çeli seancën e parë të kongresit të Partisë Socialiste e cila fokusohet në platformën e bashkëqeverisjes. Vetë qytetarët kanë treguar rastet kur problemet e tyre kanë marrë zgjidhje përmes portalit. Rreth 22 513 shqiptarë kanë marrë më në fund shërbim publik nga qeveria e Shqipërisë, pas ankesës së tyre në platformën e bashkëqeverisjes “shqipëriaqeduam.al”. Kështu deklaroi në fjalën e tij në zëvendëskryeministri Erion Braçe në Kongresin e Partisë Socialiste. Më pas në fjalën e tij Braçe ka deklaruar se shërbimet e shtetit do të jenë të barabarta për të gjithë shtetasit pa bërë dallime në status.

 

Ora 10:38 - Gjonaj: Beteja vazhdon, korrupsioni nuk zhduket me një mandat 

Minisitrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi në fjalën e saj në kongresin e PS se beteja për reformën në drejtësi do të vijojë edhe në mandatin tjetër.

"Reforma në drejtësi, sado janë përpjekur për ta ndalur, është e pandalshme dhe rezultatet e saj janë vetëm fillimi. PS dhe kjo mazhorancë është e vendosur për të ecur në rrugën e reformave për shtet. Ne zgjodhëm një qasje të re për qeverisje, një koalicion për qytetarët me qytetarët. Beteja vazhdon, korrupsioni nuk zhduket me një mandat. Kemi shumë për të bërë por jemi në rrugën e duhur me vullnet të fortë. Forcimin e strukturave  dhe një administratë profesioniste do të na japë një qeverisje shumë më të mirë. Për këtë mazhorancë prioritet është vëmendja ndaj qytetarit, shërbimi ndaj tij në respekt të plotë të ligjit. Qeveria ku jam pjesë ka si mision të saj luftën pa kompromis ndaj korrupsionit. Ne luftojmë përditë korrupsionin dhe jemi bërë palë me qytetarët”, u shpreh Gjonaj.

Ora 10:51 - Balluku: Opozita largohet nga frika, në kohën e tyre energjia trajtohej si mall pa Zot 

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh gjatë fjalës së saj në kongres së punimet e tij shënojnë një kthesë të rëndësishme në aspektin politik duke qenë se mblidhet në një situatë politike të pazakontë.

 

"Sot në këtë kongres shënohet një kthesë e rëndësishme në aspektin politik. Situata politike kur mblidhet ky kongres është e veçantë. opozita përballë frikës së humbjes në zgjedhje ka vendosur të djegë mandatet. Ne na shqetëson akti i tyre por nga ana tjetër ne vazhdojmë punën për t;i shërbyer qytetarëve. Qytetarët nuk e harruan situatën energjetike kur ne e morëm qeverinë. Ishte një kohë kur energjia trajtohej si mall pa Zot", u shpreh Balluku.

 

Ora 10:57 - Manastirliu: Ne ndërtojmë aty ku të tjerët lënë gërmadha, kundërshtarët braktisën popullin 

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kongresin e Partisë Socialiste u shpreh se puna e tyre është shumë herë më e mirë se ajo e kundërshtarëve të cilët e braktisin popullin si kur janë në opozitë, edhe kur janë në mazhorancë.

 

"Jemi ku e ku më mirë se kundërshtarët tanë. Sfida jonë nuk është me ata që braktisin ata që i kanë votuar. Kur ishin në qeveri i braktisën duke punuar për veten ndërsa sot në opozitë i braktisin nga përfaqësimi. Ne ndërtojmë aty ku të tjerët lënë gërmadha. Në këto vite sistemi shëndetësor ka pësuar ndryshim rrënjësor.  u shpreh Manastirliu.

Ora 11:03 - Klosi: Besimi që na dhatë i bëri kundërshtarët tanë të kapitullojnë 

Blendi Klosi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh në fjalën e tij në seancën e parë të kongresit, se PS është e vetmja forcë politike ku mund të mbështeten shqiptarët pasi në drejtimin e tyre janë ndërmarrë reforma që kanë sjellë zhvillim.

 

Ora 11:15 - Subashi: Këtë mandat kemi sjellë ndryshim rrënjësor në Fier 

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi i rikonfirmuar për kandidim në zgjedhjet lokale të 30 qershorit deklaroi se në këtë mandat janë bërë shumë për qytetin e Fierit dhe do të bëhen akoma më shumë në mandatin e ardhshëm.

"Fieri ka pësur progres për gjatë ktij mandati. Qendra e qytetit po pëson një ndryshim rrënjësor. Para tre vite e gjyësm askush nuk e mendonte se do të arrinim kaq shumë ndryshime" u shpreh  Subashi.

Ora 11:21 - Pjerin Ndreu: PD e ka kthyer Bashkinë e Lezhës në Kaldahar 

Pjerin Ndreu, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës, deklaroi në fjalën e tij në Kongresin e PS, se nën drejtimin e Partisë Demokratike, Lezha është kthyer në Bashkinë që nuk duam duke mos ofruar asnjë shërbim për qytetarët e saj.

"Partia Demokratike e ka kthyer bashkinë e Leshës në Kaldahar. Ne duhet ta marrin në dorë bashkinë e Lezhës për të bërë atje investime të rëndësishme, në çdo aspekt të jetës. Ne nuk flemë gjumë mos harroni ne punojmë", deklaroi Ndreu.

Ora 11:28 - Llatja: Do dalim derë më derë për mbështetjen tuaj 

Gledian Llatja, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Elbasanit në fjalën e tij  në kongres deklaroi se partia e tij do të kërkojë derë më derë mbështetjen e qytetarëve. 

Ai deklaroi se me ardhjen e Partisë Socialiste në qeveri dhe në drejtimin e Bashkisë së Elbasanit u arrit një ndryshim dhe progres i madh.

Bashkia e Elbasanit, prej tre mandatesh eshte drejtuar nga Qazim Sejdini, por Partia Socialiste ka vendosur te mos rikandidojë me në zgjedhje kryebashkiakët me 3 ose më shumë mandate. 

Ora 11:52 - Spiropali: Opozita hedh baltë në imazhin e Shqipërisë, në pushtet nuk vihet me pazare 

Ministrja e Marëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në Kongres deklaroi se rezultati i zgjedhjeve të 2017 ishte spektakolar. Ajo tha se në rrugën drejt Europës, shqiptarët nuk kanë pasur asnjë armik më të madh se veten, duke nënkuptuar opozitën.

 

"Jashtë mureve të kësaj salle që në 2017 na dhan një mandat spektakolar. Për ne progresistët nuk është një udhëtim diku jashtë por një udhëtim për të zbuluar veten.  Ne nuk u tutëm në rrugën për të realizuar një reformë, për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për t'u afruar në rrugën euroiane. Marëdhënia me Europën nuk ka qenë e lehtë. Në rrugën drejt saj nuk kemi pasur asnjë armik më të madh se vetja. Pavërësisht ndryshimeve ne jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë. Ata që hedhin baltë në imazhin e Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin e saj", tha Spiropali.

Ora 12:19 - Veliaj: 'Kush na ka inot, kështu na paftë përnot' 

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, i rikonfirmuar si kandidat i Partisë Socialiste për një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie ka hapur seancën e dytë të këtij kongresi.

"Kush na ka inot, kështu na paftë përnot. Unë drejtoj Bashkinë model të Republikës së Shqipërisë. Falenderoj nënën dhe bashkëshorten time, të cilat edhe kur kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur kanë qenë krah meje. Kajan e zuri gjumi se është si shoku Gramoz, mërzitet  nëse gjërat nuk fillojnë në kohë", u shpreh Veliaj në fjalën e tij.

Ora 12:23 - Veliaj: Miqtë demokratë janë bashkuar me ne, ata që i morën votën sot ikin nga puna 

Krah falenderimeve për pjesëmarrje në kongresin e partisë socialiste, kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë një falenderim edhe për demokratët  e pranishëm të cilët sipas tij janë bashkuar me një familje kur ndihen më të sigurt.

"Një falenderim për miqtë tanë demokratë. Keni bërë zgjedhjen e duhur. I kam marrë mesazhet tuaja. E ndjej zhgënjimin tuaj me një parti që nuk ju përfaqëson më, e ndjej zhgënjimin tuaj me bashki që mbyllen, me njerëz që i keni dhënë votën dhe sot ikin nga puna. Për të gjithë miqtë demokratë që e kanë parë që nën qeverisjen e Edi Ramës dhe PS, shteti bëhet më i mirë, ekonomia më e ndershme,drejtësia më e fortë, mirë se erdhët në familjen  tonë, faleminderit që na u bashkuat", u shpreh Veliaj.

Ora 12:27 - Veliaj: Me Ramën jemi më bashkë se kurrë 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli me raportin me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se pavarësisht se shumë nga kundërshtarët politikë donin një përçarje

"Shumë nga kundërshtarët tanë përpara se të bënin vetëvrasje nisën të thonë se unë dhe Edi Rama nuk i kemi punët mirë, por ne jemi më bashkë se kurrë për të çuar përpara Tiranën dhe Shqipërinë", deklaroi Veliaj.

Ora 12:32 - Veliaj: Do fitojmë në Astir, do kemi një teatër që zëvëndëson karakatinën e vjetër 

Kryebashkiaku Veliaj foli për projektet e reja që do ndërmarrë Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e tij, të cilat do të finalizohen pavarësisht se disa njerëz përpiqen të përdhosin qytetin

"Do fitojmë në Astir dhe do të kemi një unazë moderne. Do të kemi një kopsht zoologjik kombëtar. Do kemi një teatër të ri kombëtar që zëvendëson një karakatinë 100-vjeçare. Epoka e gurit nuk mbaroi se mbaruan gurët. Shumë vijnë të armatosur me gurë në Tiranë. Ne i themi jo bullzimit dhe atyre që përdhosin Tiranën", u shpreh Veliaj.

Ora 12:38 - Rama: Hidhni një sy pas në Tiranën e shkuar dhe shihni ndryshimin si nata me ditën mes nesh...dhe opozitës 

Kryeminsitri Edi Rama i ka kërkuar qytetarëve në takimin prezantues të kandidaturës së Erion Veliajt për bashkinë e Tiranës në një mandat të dytë, që të kthejnë sytë pas dhe të shohin se si ishte kryeqyteti nën drejtimin e të djathtëve. Ndryshimet sipas tij janë si nata me ditën, dhe transformimi nuk do të ndalet - tha Kryeministri.

 

"Ju kam thënë na jepni një mandat për Tiranën, dhe me PS dhe Erionin do ta rizgjojmë qytetin e zhytur në gërhimat e Lulzimit. Duke e rikthyer në vitet 2000 kur Tirana u bë qytet i shpresës por u mor peng nga armiqtë e betuar të shpresës", tha Rama.  

Ora 12:52 - Rama: Më 1 korrik bashkitë e djathta dhe ato të aleatit të djeshëm do gdhihen në krahun e zemrës 

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje qytetarëve në bashkitë që deri më tani janë drejtuar nga e djathta dhe ish-aleati i tyre në qeveri, Lëvizja Socialiste për Integrim, që të kthejnë sytë drejt qyteteve me kryebashkiakë të majtë, dhe të kërkojnë më 30 qershor me votë, që edhe qyteti i tyre të ketë të njëjtin zhvillim. Ju drejtua qytetarëve të Shkodrës, të Kukësit, të Lezhës, dhe atyre të Gjirokastrës, Beratit, e madje dhe Skraparit, që të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe të zhvillimit ekonomik të qyteteve.

Ora 12:57 - Rama: Boll e kam kafshuar gjuhën, sot nis ofensiva frontale...opozita ta harrojë pushtetin në tavolinë! 

Kreu i qeverisë Edi Rama i bëri të qartë opozitës jo parlamentare shqiptare se nuk do të ketë pushtet në tavolinë! Nga takimi "Bashkia që duam" ku zyrtarizoi kandidatët e Erion Veliaj në garën për një mandat të dytë në Bashkinë e Tiranës, kryeministri tha se gjatë mandatit të tij ka duruar shumë nga opozita, madje edhe vezët dhe bojën në fytyrë, por nga sot - tha ai - nis një ofensivë frontale. Nëse opozita zgjedh të tradhtojë zgjedhësit e saj - tha Rama, mazhoranca nga ana tjetër nuk do e lëshojë mandatin e saj, pasi ka kontratë me qytetarët që i besuan qeverisjen e vendit. Vetëm karrigia është e imja - tha shefi i mazhorancës - pushteti është i juaji - duke ju drejtuar qytetarëve të shumtë që kishin mbushur sheshin Nënë Tereza ku u mbajt takimi "Bashkia që duam".

Ora 13:02 - Edi Rama flet për deklaratën e Metës për 'vetëvrasje' 
 

Kryeministri Edi Rama a foli edhe për deklaratën e presidentit Ilir Meta për vetëvrasje duke thënë:

"Një popull i tërë hiqet zvarrë me telekomandë, ku miza bëhet buall. A mendoni se Ilir Meta do vrasë veten. Zoti Kadri çe ka shtyrë vallë Presidentin të mendojë vetëvrasjen. Kadrinjtë japin opinione, kurse Shqipëria juaj nuk i intereson", u shpreh Rama.

"LSI nuk përfaqëson dot as Ilir Metën. Zoti president rri i qetë mos na krahaso me vendin e Salvador Allentes, jemi dhe do vazhdojmë të jmi anëtar i NATOs për sa kohë kemi Pandin. ne do të përgjigjemi si ushtar. Zoti Presidenti rri i qetë dhe mos i ço më nëpër mend ato çudirat", u shpreh Rama.

Ora 13:23 - Oferta e Ramës për opozitën: Votojmë reformën zgjedhore, nëse fitoni një bashki më shumë se PS, shkojmë në zgjedhje të parakohshme 

Kryeministri Edi Rama ka bërë ofertën e parë konkrete për opozitën e dalë jashtë parlamentit. I ka shtrirë dorën e dialogut për të bërë së bashku reformën zgjedhore, me sugjerime të Lulzim Bashës, kryetarin të PD-së dhe Monika Kryemadhit të LSI-së, duke përfshirë edhe masa të forta kundër shit-blerjes së votave, dhe më tej për ta miratuar me deputetët e rinj të opozitës në Kuvend ardhur nga listat e PD-së dhe LSI-së. Rama i bëri apel opozitës të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit me ndryshimet e reja zgjedhore, edhe votimin elektronik sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, dhe nëse arin të marrë qoftë edhe një bashki më shumë se sa PS-ja, atëherë kryeministri u shpreh i gatshëm për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një sfidë që kreu i qeverisë, nuk beson se opozita do ta kalojë.

Ora 13:31 - Rama: Edhe sikur të mos futemi ne në zgjedhje Basha prapë nuk fiton dot 

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deklaratën e opozitës për bojkot të procesit zgjedhor.

"Keni nisur avazin se nuk futeni në zgjedhje. Punë e madhe fort. I humbët zgjedhjet me qeverinë tuaj dhe prapseprapë e nxitë Shqipërinë në çdo gjuhë të huaj. Pushteti nuk është qofte te daja dhe nuk është cirk për arushin Lul që bërtet për karamelen e radhës. Ka ardhur koha që kjo valle me maska të mbarojë. Lulzim Basha nuk i fiton dot zgjedhjet e tij as në partinë e tij pa i vjedhur. Edhe sikur të mos futemi në zgjedhje Basha prapë nuk i fiton dot zgjedhjet", tha Rama.

(23/03/2019)