RENEA aksion në Divjakë për të kapur dy të kërkuar, plagoset një i moshuar
Ora 05:00 – RENEA aksion në fshatin Remas në Divjakë për kapjen e dy të kërkuarve
Në orët e para të mëngjesit forca të shumta policore dhe njësia speciale RENEA kanë nisur një aksion në fshatin Remas të Divjakës për të kapur dy persona me rrezikshmëri të lartë. Njëri prej të kërkuarve, siç raporton gazetari Arsen Rusta është autori i dyshuar i maskarës së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, Laert Haxhiu (në foto). Ai së bashku me Orges Bilbilit dyshohet të kenë qëlluar për vdekje Jurgen Hoxhën dhe Samir Latifin.
Laert Haxhiu njihet edhe si rival i Aldo Bares, një vit më parë gjatë masakrës së Lushnjes ka pasur si shënjestër nipin e Bares, Xhulio Shkurtin.
Ora 05:30 – Aksioni i RENEA-s, mbetet i plagosur një 77-vjeçar
Gjatë aksionit të RENEA-s ka mbetur i plagosur 77-vjeçari Haxhi Lika nga fshati Remas i Divjakës. Ngjarja ka ndodhur pak minuta pas nisjes së operacionit kur forcat e policisë tentuan të hyjnë në banesën e të moshuarit, pasi dyshohej se atje strehoheshin dy të kërkuarit. Në momentin që policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, 77-vjeçari nuk i është përgjigjur thirrjes, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (që më pas rezultoi se ishte armë gjahu).
Policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri të moshuarit të dalë nga banesa. Ndërsa në rrethana ende të paqarta77-vjeçari Haxhi Lika është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ora 10:00 - Pamjet nga dhoma ku mbeti i plagosur 77-vjeçari
Shqiptarja.com dhe Report TV kanë siguruar edhe pamjet e para nga banesa e Haxhi Likës. Në dhomën e banesës së tij ka njolla gjaku, ndërsa në mure dhe në dritare vihen re shenjat e plumbave.
Ora 12:30 - Nipi i të plagosurit: RENEA na zgjoi nga gjumi, s’dimë arsyet e kontrollit
Një prej banesave të kontrolluara në fshatin Remas të Divjakës është edhe ajo e Haziz Likës. Nipi i Haxhi Likës, i moshuari që u plagos gjatë një aksionit të RENEA-s. Haziz Lika thotë se ishin në gjumë kur forcat e policisë i kanë bastisur shtëpinë pa asnjë lajmërim. Ai thotë se janë larguar pasi kanë kontrolluar e kthyer gjithçka përmbys, ndërsa janë ndaluar dy djemtë e xhaxhait të tij, Arben dhe Martin Lika.
Ora 13:30 - Përgjimet e telefonit çuan RENEA-n në vilën e Haxhi Likës (Detaje nga operacioni)
Burime të Shqiptarja.com dhe Report Tv bëjnë me dije se nga përgjimet e telefonave të dy personave të kërkuar për vrasje, njëri prej tyre Laert Haxhiu, rezultonte që ata fshiheshin në zonën ku ndodhej vila e Likës dhe të afërmve të tij. Jo pa qëllim që prej orës 05:00 të mëngjesit forcat speciale rrethuan dhe bastisën pikërisht banesat e këtij fisi.
Ora 15:00 - Gazetari i Report TV Artan Hoxha: Dy djemtë e Likës mbyllën grilat gjatë aksionit ndaj u shoqëruan
Gazetari Artan Hoxha në studion e Report TV zbuloi edhe arsyet pse u shoqëruan dy djemtë e Haxhi Likës të plagosurit në aksionin e RENEA-s mëngjesin e sotëm. Sipas tij gjatë ndërhyrjes së RENEA-s, djemtë e Likës kanë mbyllur grilat e shtëpisë, kanë lëvizur nga kati i parë në të dytin duke mbyllur grilat e dritareve. Kjo gjë është interpretuar si pengim i punës së policisë.
Ora 15:10 - Laert Haxhiu e Orgest Bilbili i shpëtuan arrestimit, Artan Hoxha: Kush e dekonspiroi RENEA-n?
Sipas gazetarit Hoxha që nga marrja e informacionit deri në momentin e ndërhyrjes së RENEA-s kanë kaluar 10 orë dhe ka dyshime të forta që operacioni të jetë dekonspiruar. Ai thotë se dy personat me rrezikshmëri të lartë në Lushnjes i kanë shpëtuar për herë të 14-të policisë. Prokuroria sipas tij, pritet të hetojë nëse banesa e Haxhi Likës ka qenë apo jo bazë për dy të kërkuarit. Referuar informacioneve të tij, dyshohet se Haxhiu dhe Bilbili, të dyshuar edhe për vrasje të tjera në zonën e Lushnjes dhe Fierit kanë pasur lidhje miqësore me djemtë e Likës. Madje këta të dy janë shoqëruar pikërisht për shkak se akuzohen të kenë penguar punën e policisë, duke ulur grilat e dritareve të shtëpisë, teksa RENEA bënte thirrje për tu dorëzuar.
15:20 - Policia komunikatë për mediat: I moshuari nuk iu përgjigj thirrjes
Policia sqaron përmes një komunikate për mediat se operacioni u ndërmor pas informacioneve se në banesën e të moshuarit fshiheshin dy persona të kërkuar për vrasje. 77-vjeçarit thotë policia, i është bërë thirrje nga Forcat RENEA për të dalë nga banesa, por ai është përgjigjur duke nxjerrë në dritare një armë gjahu. Në këtë moment efektivët kanë qëlluar në ajër sipas policisë, ndërsa në rrethana të paqarta i moshuari ka mbetur i lënduar në kokë. Do jetë ekspertiza ajo që do përcaktojë shkaqet e dëmtimit të 77-vjeçarit
Ora 15:30 - Report TV në banesën e të plagosurit, familja: Arma ishte pa fishekë, e qëlluan në dritare
Report TV ishte në banesën e Haxhi Likës, 77-vjeçari u plagos në kokë. Njëri prej familjarëve të tij u shpreh se Haxhiu doli në dritare për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndërsa dikush qëlloi duke e plagosur në kokë. Ai tha se armën që iu gjet e kishte me leje, por nuk kishte fishekë dhe se i moshuari nuk ka qëlluar në drejtim të RENEA-s.
(14/09/2018)
(14/09/2018)