RENEA dhe FNSH 5 orë shtetërrethim në Nikël të Krujës, bastisen vilat e të ‘fortëve’, 11 të shoqëruar

Ora 05:00 – Forcat Speciale RENEA e FNSH nisin aksionin në Nikël

Rreth orës 05:00 Forcat Speciale RENEA dhe FNSH nisën aksionin në fshatin Nikël të Krujës. Aksioni në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” për arrestimin e personave të përfshirë në grupe kriminale. Vilat e 'të fortëve' të zonës kanë qenë shënjestra e kontrollit të Forcave Speciale policore. Gjatë aksionit të ndjekur në terren edhe nga drejtori i policisë Ardi Veliu u shoqëruan 11 persona, 6 prej të cilëve emra të njohur për policinë. Mësohet se policia kishte ndërprerë energjinë elektrike në zonë rreth orës 04:00 dhe në momentet e ndërhyrjes personat u kapën brenda banesave të tyre.

Shqiptarja.com mëson se mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara ishin ato të fisit të njohur në këtë zonë Haka. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut.

Në operacion morën pjesë dhjetëra efektivë me mbi 20 mjete të Forcave Speciale, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA.

Ora 05:30 - RENEA shoqëron Flamur Hakën

Menjëherë pas nisjes së operacionit policia shoqëroi Flamur Hakën, të njohur si “Tuku”,  Haka i dënuar më parë me 16 vite burg për disa ngjarje kriminale, dënim të cilin e ka shlyer. U shoqëruan edhe persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa ngjarje kriminale në këtë zonë. Shqiptarja.com mëson se RENEA ka sekuestruar edhe një automjet të blinduar tip Jeep në pronësi të Flamur Hakës.

Sipas burimeve për Shqiptarja.com dhe Report TV për 2 prej të ndaluarve janë Durim Bami dhe Flamur Haka në kuadër të operacinit "Forca e Ligjit". Ndërsa të shoqëruar janë Marenglen Haka (nipi i Flamur Hakës),  Lufti Haka, Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i Durim e Valter Bamit). 

Ora 08:30 - Gazetari i Report TV Driçim Çaka raporton nga Nikla: U sekuestruan armë

Gazetari i Report TV Driçim Çaka raporton nga Nikla se gjatë aksionit të policisë u sekuestruan edhe armë në banesat e kontrolluara, por nuk dihet numri i saktë i armëve të zjarrit që policia ka gjetur. Pritet që në orët në vijim të ketë edhe një komunikatë për mediat nga Policia e Shtetit. 

Detaje nga operacioni 

Për të parandaluar ndonjë rezistencë me armë nga personat që do ju bëhej kontroll, policia kishte vendosur snajpera në pikat kyçe të zonës. Ndërsa operacioni u drejtua në terren nga Drejtori i  Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. 

 

Mësohet se Ylli Cangu dhe Bedri Haka kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal që vepronte kryesisht në zonën e Fushë Krujës. Të njëjtat burime saktësojnë se sapo janë fikur dritat në Nikël është arrestuar brenda banesës së tij Ylli Cangu, Cangu në të kaluarën ka qenë i hetuar për disa ngjarje kriminale. Ai dyshohet të jetë autor në disa raste të vënies së tritolit, në gjobëvënie por edhe rrëmbim personash.

 

Ora 10:30 - Efektivët e RENEA, FNSH dhe policia largohen nga Nikla pas aksionit

Pas mbi 5 orësh në fshatin Nikël policia dhe Forcat e Shtetit janë larguar pas operacionit të nisur që prej orëve të para të mëngjesit. 

Forcat Speciale shoqëruan 11 persona në Nikël të dyshuar si të përfshirë në grup kriminal. 

Nikla

Zona e Niklës njihet si një ndër zonat më të nxehta në Shqipëri ku kanë ndodhur një numër i madh ngjarjesh në të kaluarën, gjithashtu grupi i Niklës është nga më të njohurit në vend.  Në këtë zonë kanë ndodhur disa vrasje, por edhe rrëmbime. Rasti më i bujshëm ai i Enver Stafukës, personi që u vu nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për grabitjen e BMW-së, nga ku u qëllua për vdekje komisar Dritan Lamaj. Kjo zonë njihet edhe për kultivimin e kanabisit dhe shpërthimet me eksploziv.

Ora 20:30 – Report TV mëson emrat e 5 prej të arrestuarve në Nikël

Përmes burimeve Report TV mëson emrat e 5 prej të arrestuarve sot në Nikël dhe detaje të tjera nga operacioni.

Të arrestuar Marklen Haka, Valter Bami, Lutfi Haka , Ylli Cangu dhe Skënder Leza

Mësohet se Marklen Hakës i është sekuestruar një armë zjarri e para cash, rreth 3 mln lekë dhe 35 mijë euro që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti criminal. Ndërsa Valter Bamit në banesë i është sekuestruar një pistoletë.

(12/09/2018)