Seanca e fundit në Kuvend, Berisha: Veting në Politikë. O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri!

Ora 10:19 - Këshilli Mbikëqyrës i BSH, Spaho dhe Bylykbashi: Bie çdo lloj kontrolli, e gjitha është në xhepin e Ramës

Fjalën e parë në seancë e kanë marrë depuetët e PD Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi të cilët kanë akuzuar qeverinë se po tenton të kapë Bankën e Shqipërisë.

“Kryeministri po kap edhe Bankën e Shqipërisë. Ai propozon dhe voton edhe në emër të opozitës. Ka pasur një traditë që institucionet kryesore janë shpërndarë nga krahët politikë. Ju pa respektuar as rregullat po votoni atë që doni ju. E kundërshtojmë edhe votimin që bëtë dje edhe atë që doni të bëni sot,”-tha Spaho

“Ju kërkoni të kapni çdo lloj pushteti. Banka e Shqipërisë është organ i pavarur. Ligji e përcakton qartë që propozimet nuk vijnë nga një organ i vetëm. Bie çdo lloj kontrolli, e gjitha është në xhepin e kryeministrit”, shtoi Bylykbashi.  

Dje Kuvendi zgjodhi 5 nga 6 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një ndër ta edhe ish-ministri i Financave në qeverinë e PD, Ridvan Bode. 

Ora 10:24 - Ridvan Bode tek Këshilli i BSH, Spaho: Është përfaqësues i Ramës, jo i PD-së 
Kryetari i grupit parlamentar të PD Spaho u pozicionua kundër emërimit të ish-ministrit të PD, Bode në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai tha se Bode nuk është përfaqësues i PD, por i Ramës.

“Ridvan Bode nuk është përfaqësues i Partisë Demokratike, por i shumicës. Nuk pranojmë që përfaqësuesit që duhet të propozojmë ne, ti caktoni ju. Tregoni një dokument që ke bërë me PD-në apo pakicën para se të thuash se ke ndjekur rrugën ligjore”.

Ora 10:25 - Akuzat e Spahos dhe Bylykbashit për BSH, Balla: S’mund të thuash që Bode është i kapur nga ne

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në fjalën e tij u shpreh se për herë të parë kryeministri Edi Rama ka zgjedhur dy kandidatura nga opozita.

“Jam i gatshëm që të hapet proces verbali i konferencës së kryetarëve nëse është ngritur një shqetësim i tillë. Ka një procedurë parlamentare por ju që e keni bërë parlamentin si shkollë nate nuk e dini. E drejta për të mbështetur kandidaturat na takon dhe nuk e negociojmë. Për herë të parë, Rama ka zgjedhur 2 kandidatura nga opozita. Të më thuash ti që Ridvan Bode është i kapur. Nuk mund ta thojë Oerdi kur ai ka qënë ministër në dy qeveri të Berishës. As zonja Tavo nuk është përfaqësuese e PS-së. Dje ishte votimi, mos të shkonit të flinit gjumë. Erdhët gjoja për të bllokuar dekretit të presidentit dhe përfunduat me dy vezë.”-replikoi Balla.

Ora 10:42 - Vetingu në politikë, Bylykbashi fton PS: Venecia tha OK, hajdeni të dialogojmë 

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka kërkuar nga shumica që të votojë pro draftit për vetingun në politikë. Referuar opinionit të Venecias, Bylykbashi kërkoi dialog me shumicën për draftin.

“Komisioni i Venecias e thotë qartë, që detajon çdo hap që duhet të ndjekim. Na kërkon, udhëzon si të ruajmë dhe bëjmë kujdes për standardet dhe këtu këtë do të bëjmë. Komisioni u thotë shqiptarëve që qëllimi për të futur vettingun e politikëve është legjitim. Gjyqtari, prokurori apo ministri janë e njëjta gjë, nuk mund të bësh vetting vetëm për gjyqtarin dhe të lini kriminelët të livadhisnin. Venecia kërkon që PD dhe PS të ulen për dialoguar, por ju morët vendimin dhe e rrëzuat. Hajdeni ulemi në dialog të hapim rrugën për vetingun në politikë”, tha ai.

Ora 11:11 - Kryemadhi: Vetingut politik t’i shtojmë analizat e drogës, ja përse Rama nuk e voton 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi lëshoi akuza të forta në drejtim të kryeministrit Rama për arsyet se përse nuk e do vettingun në politikë. Kryemadhi deklaroi në Kuvend se vettingu politik duhet të përfshijë edhe analizat e drogës. Ndërkohë që u bëri një thirrje edhe ambasadave të SHBA dhe BE në Shqipëri.

“Si mund të pranojë Rama kur problemin e parë e ka më gruan që drejton një bankë dhe offshore. Si mund të pranojë Rama vettingun në politikë kur problemin më të madh e ka me vëllanë e tij, apo koncesionet që u vidhen shqiptarëve. Ai është gijotina e parë e SPAK dhe Byrosë së Hetimit. Kërkoj që të shtohet edhe analiza e drogës, pasi një kryeministër që drogohet është peng i mallit që i shet. Mirë se dje kishte ardhur me antiplumb.... Duhet të shtojmë edhe kartelën mjekësore, se nga cfarë vuan? Ramës i them mos pi mall se të bën dëm për azmën”.

Ora 12:00 - Berisha: Rama dhe ministrat të vijnë në Kuvend, po mbrohen me thinjat e Majkos 
 

Ish-Kryeministri Berisha kërkoi nga drejtuesja e seancës së Kuvendit, Vasilika Hysi që ta ndërpriste  deri kur të ishte i pranishëm i gjithë kabineti qeveritar dhe Rama. Berisha tha se anëtarët e qeverisë po mbrohen me thinjat e Majkos.

“Sot është ditë historike, draft historik i opozitës kundër krimit në politikë. A nuk ve re që përfaqësuesit me të zinj të krimit janë zhdukur si minjtë dhe duan të mbrohen me thinjat e Majkos. Ku janë ata? Pse mungojnë ata? Pse mendojnë se imazhi i Pandeliut do i mbrojë? Balozë të krimit, ndërprit seancën dhe detyroji të vijnë, është dita e gjykimit të tyre”, tha Berisha.

Ora 12:08 - Gjylameti-Berishës: Je fatkeqësia e këtij vendi, drejtësia do të sekuestrojë pasuritë 
 

Sali Berisha është përfshirë në replika me deputetët e PS, Ulsi Manja dhe Blerina Gjylameti gjatë seancës së sotme. Pas fjalës së Ulsi Manjës që deklaroi se nisma e PD për vettingun në politikë u rrëzua nga Venecia reagoi Spaho dhe Berisha. 

Berisha akuzoi Manjën si skllav të krimit. “Fjalimin ta ka përgatitur Ymer Lala, Ulsi. Sepse të kapi për zverku dhe të nxori jashtë nga gara e PS në Dibër. Edhe ato interceptime për ty janë të skllavit. Jo të gjithë jeni shtylla të krimit, disa janë bosa, disa skllav,  ti je i tillë. Ulsi gjithçka the ti ishte mashtrim, për Venecian, pasi e ka të shkruar vettingu. Secili prej jush, edhe ti Gjylameti, mos do të lexosh fjalimin e Klodiana Shullazit”.

Blerina Gjylameti reagoi ndaj ish-kryeministrit ‘Frika që ke sot të duket në cdo moment kur flet, në cdo fjalë, një gojë e ligë, që e ka mbytur këtë vend. Je fatkeqësia e këtij vendit".

Ora 13:05 -  “O djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri”, thirrja e Berishës për qytetarët nga foltorja e Kuvendit 

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje për votimin e amendamentit për Vettingun në politikë ndryshe ata që votojnë kundër do të përballen me dhunën dhe revoltën e qytetarëve.

“Për shkak të lidhjeve të kësaj mazhorance me krimin, në atë shkallë sa unë shoh Shullazin, Bajrjat, Abdylër, Lul Berishën dhe shumë banda të tjera. Ligji do tua shkulte dhëmbët nëse nuk do të kishin mbështetje. Urtësi është që të ulemi dhe të draftojmë ligjin. Të bëjmë atë që në këto ulëse të mos ulen kockat e mafies. Palo burra, palo kriminelë. Pse ju nuk pranoni amendamentin? Pranoni dhe të ulemi mes nesh të marrim dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe ta bëjmë model për mbarë rajonin, por ju nuk e donin. Ose miratoni amendamentin ose përndryshe do t;ju shkulin me dhunë qytetarët dhe në rrugët e qytetit do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”,- tha Berisha. 

Ora 13:10 - Berisha nuk mjaftohet, përsërit thirrjen: O djem rrëmbeni armët ja vdekje ja liri

Ish-kryeministri e ka përsëritur thirrjen në Kuvend për mazhorancën, që të miratojë amendamentet për vettingun në politikë ose në të kundërt "O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri".  “E shfrytëzoj këtë rast meqë është seancë e fundit t’u uroj shqiptarëve festat e fundivit, studentëve që me kryendritjen e tyre paqësore po çojnë drejt agonisë këtë regjim dhe prapë t’u kujtoj, miratoni amendamentin se nuk do të jetë e largët dita kur në rrugët e sheshet e Shqipërisë do të ushtojë ‘O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri’ dhe do të zvarriteni si minj se shqiptarët do të hedhin zgjedhjen e krimit me cdo çmim, ose në mënyrë të ligjshme ose dhëmbë për dhëmbë, pastaj do të kujtoheni për këto fjalë do të jetë vonë” tha sërish Berisha duke mbyllur fjalimin e tij. 

Ora 13:15 - Thirrjet e Berishës, Balla kërkon 10 minuta pushim: Duam të diskutojmë nëse do të kërkojmë përjashtimin e tij 

Pas fjalës së Berishës në të cilën i bëri thirrje qytetarëve ‘O djema rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri’, fjalën e ka marrë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Berisha bëri thirrje antikushtetuese, sipas Kushtetutës këto janë të jashtëligjshme kur bëhen në foltoren e Kuvendit. Në emër të grupit kërkojmë 10 minuta pushim për të diskutuar me grupin nëse do të kërkojmë përjashtimin e Berishës,”-tha Balla.

Ora 13:29 - Balla kërkon përjashtimin e Berishës nga Kuvendi: PD të distancohet nga këto lloj thirrjesh 

Pas pushimit 10 minutësh, kreu i grupit të PS-së Taulant Balla ka kërkuar përjashtimin për 10 ditë të  ish-kryeministrit Sali Berisha nga salla e Kunedit pas thirrjeve: O djema rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri!

“Byroja ta përjashtojë nga Kuvendi. Ta thërrasin që të japë shpjegimet dhe arsyet për thirrjet që bëri. Dje kryetari i PD-së kthehet në transportues vezësh, sot ish-kryetari bën thirrje për dhunë. Duhet distancim nga kjo dhunë e pashembullt. Apeli im është që PD të distancohet nga këto lloj thirrjesh”, tha Balla.

Ora 13:34 - Pas kërkesës për përjashtim, Paloka i del në krah Berishës: Është tekst i një kënge patriotike 

Në krah të Berishës pas thirrjeve në foltoren e Kuvendit doli deputeti i PD-së, Edi Paloka, i cili tha se ato ishin vargje të këngës patriotike.

“Për kulturë ai është tekst i një kënge patriotike të kohës së robërisë turke. Me tekst të patriotit Thanas Floqit. Përderisa kanë dalë edhe vezët antikushtetuese, nuk ka asgjë të keqe që të dalin edhe këngët patriotike,”- u shpreh Paloka.  

Ora 13:46 - Spaho: Komike! Janë vargjet e një kënge patriotike 

Kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho deklaroi se deklarata e Sali Berishës nuk ishte thirrje për luftë, por këngë patriotike. Ai tha se Mazhoranca po tenton që të përjashtojë të gjithë drejtuesit e opozitës, referuar kërkesës edhe për përjashtimin e Bashës për seancën e djeshme.

 “U ka hyrë tmerri nga protestat popullore, po e ndjeni fundin e pushtetit tuaj dhe në tentativë për të shpëtuar kaloni në spektakle, por nuk i shpëtoni protestës së studentëve. Është komike, sa vargjet e një kënge patriotike i konsideroni si thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues. Po propozoni të përjashtohen të gjithë drejtuesit e opozitës, por nuk do ia arrini të mbyllni gojën e opozitës, gjithmonë do të na keni këtu, jeni bërë e keqja më e madhe e vendit. Derisa ju të shporreni do të na keni këtu”. tha Spaho.

Ora 13:47 - Thirrja e Berishës në Kuvend, Gramoz Ruçi: E papranueshme 

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i është përgjigjur Edmond Spahos, që tha se deklarata e Berishës nuk ishte thirrje kundër rendit kushtetues, por një këngë patriotike.

“Për ty thirrja është patriotike e përdorur për pushtuesit osmanë apo gjermanë. Por e përdorur në leksikun e debatit parlamentar në kontekstin e sotëm është thirrje e papranueshme” tha Ruçi.

Ora 14:16 – Thirrjet e Berishës, Dash Shehi: Rrini të qetë, mos kini frikë, përtej pasionit të Berishës 

Dashamir Shehi nga foltorja e Kuvendit ka reaguar pas thirrjeve të Berishës duke u kërkuar socialistëve që të mos kenë frikë.

“Pas kësaj punës së këngës bëhet serioze kjo çështje. Rrini të qetë se ne që jemi këtu kur ishte kjo puna e armëve e mbyllëm dhe e bëmë me letra demokracinë. Kështu që rrini të qetë se nuk ka për të marrë njeri armën. Përtej pasionit të Berishës, rrini të qetë. Ishte koha për të marrë armët dhe nuk i morëm” tha Shehi.

Ora 15:28 – Thirrjet e Berishës, Rama ironizon: Për vezët e glasat e kotecit të Saliut unë rroj 1 mijë vjet 

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përmes një statusi në Twitter deklaratave të Sali Berishës nga foltorja e Kuvendit kur tha se mazhoranca duhet të miratojë nismën e Vettingut në politikë, ose shqiptarët do marrin armët. Rama ironizon duke shkruar se nuk trembet nga të tilla thirrje.  

Ora 16:40 - Vetingu në politikë, Basha -Ramës: Voto sot ndryshimet Kushtetuese dhe sill propozimet, ne do i votojmë 

Kryetari i PD Lulzim Basha ka insistuar sërish në Kuvend për të miratuar amendamentet kushtetuese për Vetingun në politikë. Basha i kërkoi mazhorancës që të votojë ndryshimet kushtetuese, ndërsa opozita do votojë çdo propozim të shumicës për Vetingun në politikë me kushtin që të ketë marrë opinionin e Komisionit të Venecias.  

Ora 17:03 - Balla akuza Bashës: Shkon dhe takon banorët e 'Astirit' me makinën e 'Victoria Invest', pronari është kumbari yt 
Taulant Balla i ka kujtuar sërish Lulzim Bashës se kompania "Victoria Invest'' që do ndërtojë "Unazën e Madhe", është e kumbarit të tij. Nga foltorja e Kuvendit, Balla shkoi edhe më tej kur deklaroi se Basha shkon çdo pasdite dhe takon banorët e "Astirit" me një prej automjeteve të kësaj firme. Duke iu referuar emrit të kompanisë, Balla tha se pikërisht një nga vajzat e Bashës quhet Viktoria.

“Kam një dosje, do ta jap kur të mbarosh. Çdo ditë ti shkon për të takuar banorët e Unazës me këtë makinë. Kjo tregon lidhjen tënde me kompaninë Victoria Invest, dhe të kujtoj që dhe një nga vajzat e tua e ka emrin Viktoria. Janë arsye të kumbarllëkut, kumbare e familjes tënde. Ngrije kokën ngrije”, tha Balla.

 

Ora 17:20 - 7 orë debat në Kuvend, maxhoranca rrëzon me 74 vota propozimin e PD-LSI për Vetting në politikë 

Pas një seance e cila zgjati rreth shtatë orë dhe u shoqërua me debate dhe replika të forta mes maxhorancës dhe opozitës. Shumica parlamentare ka rrëzuar me 74 vota nismën e opozitës për Vettingun në politikë. 52 vota të opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese.

(21/12/2018)