Selica! Në tunelin e tragjedisë së “harruar”


Video speciale nga Odeta Dume, operator: Fatjon Nurçellari/Report TV

Faqja interaktive mëposhtë e përgatitur nga Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (21/09/2018)

29 prill 1997 – Shpërthim në depot me municion brenda tunelit të ushtrisë në Qafë Shtamë, 23 viktima

Trazirat e vitit të mbrapshtë kishin sjellë bastisjen e depove ushtarake në gjithë vendin. Në fshatin Selicë të rrethit Mat gra dhe fëmijë nga 10 deri 16 vjeç e shihnin në atë kohë të vetmen mundësi jetese, marrjen e municioneve nga depot ushtarake.

 

Ishin orët e mëngjesit të së martës së 29 prillit 1997, 23 banorë të Selicës shkuan për të marrë armatimet nga depot ushtarake në tunelet vetëm 1 km larg nga fshati. Armatimet më pas çmontoheshin për tu shitur për bronz e skrap. Për të mundësuar futjen brenda ata përdorën fëmijë që zbrisnin poshtë me litar nga kanalet e ajrimit por errësira brenda bënte që ata të përdornin qirinj.

Fati atë ditë të errët për vendin nuk qe në anën e tyre, qirinjtë që ata përdorën shkaktuan shpërthimin e municionit që u mori jetën të 23 personave, mes tyre 10 fëmijë pjesa më e madhe anëtarë të së njëjtës familje.

30 prill 1997  - Lajmi i shpërthimit ishte marrë vesh në gjithë vendin. Familjet nuk gjenin dot trupat

Mëngjesi i 30 prillit do të ishte një nga më të trishtuarit për vendin tonë pas rënies së Komunizmit. Gjithkush e kishte marrë vesh për tragjedinë ndërsa familjet kishin humbur përgjithmonë të afërmit e tyre. Që në të gdhirë më 30 prill 1997 prindër të Selicës kërkonin fëmijët, nipërit, mbesat e tyre por asnjë nuk kishte mundur të mbijetonte, jeta e 23 personave ishte shuar në një fraksion sekondi ndërsa trupat e tyre nuk gjendeshin.

 

Forca e shpërthimit kishte hedhur disa nga trupat në faqen tjetër të malit, qindra metra tutje nga hyrja e tunelit. Kurse për viktimat që ndodheshin brenda, trupat nuk mund të gjendeshin.  Kliko këtu për ta parë hartën më të madhe

Në një njoftim të kohës në anglisht Agjencia Telegrafike Shqiptare shkruante se sipas familjarëve vetëm trupat e gjymtuar të 5 prej personave ishin arritur të gjendeshin jashtë por ishte i vështirë identifikimi i tyre ndërsa ekspertët kishin përjashtuar mundësinë e gjetjes së personave të tjerë

Sipas raportimeve të mediave në atë kohë, në vendngjarje mbërritën ekspertë nga Tirana dhe ata të Matit dhe u bë e mundur gjetja e 15 trupave të gjymtuar të viktimave ndërsa 8 prej trupave nuk u gjetën dot pasi tuneli ishte shembur në disa pjesë dhe ishte e pamundur të kërkohej edhe për shkak të rrezikut nga shpërthime të tjera. Tuneli u mbyll nga Ministria e Mbrojtjes për të mos u hapur më.

21 vite më pas...

Qershor 2018
21 vite pas tragjedisë në qershor të 2018, rreth 3 muaj më parë Ministria e Mbrojtjes rihapi tuneli dhe nisi aksionin për pastrimin e municionit të mbetur në tunel dhe dërgimin e tij për asgjësim. Forcat e Xhenios u ngarkuan me detyrën e vështirë dhe të rrezikshme për pastrimin e predhave dhe armatimeve të mbetura brenda gjithashtu edhe me pastrimin e pjesëve të shembura brenda tunelit. 

19 shtator 2018, ora 10:33 minuta – Forcat e Xhenios gjejnë eshtra njeriu

Gjatë gërmimeve për gjetjen dhe largimin e municionit të mbetur në tunel. Në orën 10:33 minuta forcat e Xhenios zbulojnë eshtra njeriu. Puna ndërpritet menjëherë ndërsa njoftohen autoritetet përkatëse. Mendohet se eshtrat mund të jenë të një ose më shumë personave që humbën jetën në tragjedinë e 1997 por një test ADN-je është e domosdoshme. 


 Vendi ku u zbuluan eshtrat, kliko për ta parë foton më të madhe

FOTO/Eshtrat e njeriut të zbuluara nga Xhenio. Kliko këtu për ta parë. Kujdes imazh i rëndë!

19 shtator 2018, ora 14:30 - Ekspertë nga Prokuroria e Dibrës në vendngjarje, merren për analizim eshtrat e gjetura

Ekspertë të prokurorisë mbërritën në vendngjarje pas gjetjes së eshtrave nga forcat e Xhenios ndërsa skeleti i gjetur është marrë prej tyre dhe është dërguar për analizim në Mjekësinë Mjekoligjore. 

20 shtator 2018, ora 07:00

Ekipi i Shqiptarja.com dhe Report TV nisen nga Tirana drejt zonës ku gjendet tuneli. Një zonë e thellë pasi kalon kampin e Qafë Shtamës. Rruga për mjetet që më parë nuk ekzistonte drejt tunelit dhe fshatit Selicë ishin hapur nga forcat e Xhenios që kishin shkuar para 3 muajsh. Megjithëse vetëm mjete të larta dhe ato ushtarake mund ta kalonin,  rruga prej pak kilometrash nga Qafë Shtama deri tek tuneli përshkohej përreth 40 minuta.

20 shtator 2018, Ora 09:30

Gazetarët e Shqiptarja.com dhe Report TV mbërrijnë në vendin e ngjarjes, në tunelin e tragjedisë së 1997 ku para dy ditësh u zbuluan pjesë eshtrash njeriu që mendohet se janë të viktimave që nuk u gjetën dot kurrë pas shpërthimit.  Përmes një leje speciale ekipi u fut brenda tunelit për të raportuar megjithëse ishte ende e rrezikshme. Gazetarët u pajisën me veshjen dhe kasketën shpërthim duruese për shkak se brenda tunelit nën gërmadha gjendeshin ende municione dhe predha aktive.

20 shtator, ora 12:00

“Sipas burimeve nga grupi hetimor eshtrat e gjetura dje në tunelin nr. 1 nuk janë të një personi, por të disa personave”, raporton për Report TV nga brenda tunelit gazetarja Odeta Dume. 


Fotot Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com

Të zhvendosur pranë tunelit të Qafë Shtamës forcat e Xhenios po punojnë prej 3 muajsh në këtë vendndodhje për largimin e municionit të mbetur. Tuneli u rihap pas 21 vitesh për herë të parë pas tragjedisë ndërsa përveç municionit në tunel vijon edhe kërkimi për eshtrat e viktimave të 29 prillit 1997. Siç mund të shikoni edhe në foto efektivët e Xhenios teksa kërkojnë në gërmadha për armatime. Kërkimi i parë zhvillohet brenda tunelit ndërsa më pas zhvillohet edhe një kontroll i dytë jashtë pasi rrënojat nxirren me ekskavator nga tuneli.

Nënkolonel Aleksandër Sinaj që njëkohësisht është dhe komandanti i këtij operacioni na tregon momentet kur eshtrat dolën në sipërfaqe.

 

"Në orën 10:33 operatorët kanë konstatuar eshtra njerëzish. Menjëherë është ndërprerë operacioni dhe është lajmëruar Prokuroria dhe Policia e rrethit Burrel për këqyrjen e vendit të ngjarjes. Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë kanë mbërritur rreth orës 14:00. Kanë mbërritur edhe ekspertët nga Tirana. Me urdhër të prokurorit kemi vazhduar detyrën. Nëse gjejmë eshtra të tjera jemi të detyruar që të ndërpresim sërish punimet".

Nënkolonel Sinaj na tregon se ku kishte ndodhur shpërthimi në 1997 dhe se si vala goditëse kishte mbërritur edhe në tunelin ngjitur.

 

"Shpërthimi ka ndodhur në tunelin numër dy, vala goditëse ka bërë që të shpërthejë edhe tuneli numër një".

Nënkoloneli Sinaj: Presim që të nxjerrim eshtra të tjera nga tuneli në Mat

Nënkolonel Aleksandër Sinaj gjatë intervistës për gazetaren e Report TV Odeta Dume, u shpreh se nga pastrimi i tunelit kanë mbetur edhe 5 metra, ndërsa shtoi se presim që te nxjerrim eshtra të tjera nga gërmadhat. 

Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga momenti që u konstatuan këto eshtra dhe asnjë banor i fshatit Selicë nuk ka ardhur në vendin e ngjarjes për t’u interesuar. Komandant Sinaj na i pohon këtë fakt dhe tregon ndër të tjera se ata kanë njoftuar edhe kryeplakun e fshatit. Eshtrat janë nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranës për të vazhduar procedurat dhe për të arritur në identifikimin e tyre. Nënkoloneli tregon se operacioni është drejt fundit dhe pasi të bëhet edhe certifikimi i tuneleve, zona do t'i dorëzohet pushtetit vendor.

Selicë

Ora 14:00 (20 shtator) 

Ekipi i Shqiptarja.com dhe Report TV të shoqëruar nga makina e ushtrisë niset drejt fshatit Selicë. Fshati është vetëm një kilometër në vijë ajrore larg nga tunelet por rruga malore vështirësonte lëvizjen e mjeteve që duhej ta përshkonin rrugën për rreth 30 minuta. 

Fshati që dikur kishte rreth 200 banorë, tashmë nuk shfaqej më në hartat elektronike ndërsa në të ishin rreth 20 banesa, vetëm disa prej të cilave të banuara.

Në fshat mundohemi të takojmë ata të paktë banorë që kishin ngelur për të mësuar më shumë rreth kësaj tragjedie.

 "Nuk dimë gjë që janë gjetur eshtra", shprehet Izet Dishani, banori i parë që takuam në fshat. 

 

Zoti Izet nuk kishte viktima brenda familjes së tij, por na tregon për nipërit dhe mbesat e vëllait që humbën jetën në 1997 brenda atij tuneli.

 Shkojmë në një tjetër banesë ku takojmë Sanije Dishanin e cila kishte humbur 3 persona nga familja e saj, një mbesë dhe kunatin. 

 

"Humba tre fëmijë nga familja ime, mbesën dhe kunatin, fëmijët ishin 10 - 17 vjeç. Trupat e tyre i gjetëm ndërsa trupin e kunatit e gjetëm gjysmë". - rrëfen 77-vjeçarja Sanije Dishani e cila përmes televizorit kishte marrë vesh për gjetjen e eshtrave në tunel por nuk ishte interesuar tek autoritetet për më shumë informacion.

Në banesën e 3-të të fshatit takojmë një zonjë rreth 40 vjeçe, ajo pranon të flasë por jo të identifikohej me emër. Zonja heziton të pranojë se kishte marrë vesh se në tunele ishin gjetur eshtra ndërsa më pas e pranon se ishte informuar nga edicionet informative të lajmeve.  Edhe pse vetëm 1 km larg nga tunelet, disa prej banorëve ishin informuar përmes televizorit për lajmin ndërsa disa të tjerë nuk kishin dijeni fare. 

Pjesa më e madhe e banorëve të fshatit ishin larguar për një jetë më të mirë në emigrim ndërsa ata pak që kishin mbetur ishin të moshuar që merreshin me bagëtitë. 

Në fshat pamë edhe disa fëmijë të cilët i trembeshin kamerës dhe fshiheshin pas mureve të banesave. Arsimi në këtë fshat mund të kryhej deri në klasën e 5-të ndërsa shkollat për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm ishin shumë larg për ata banorë. 

 

Largohemi nga fshati drejt varrezave të viktimave të tragjedisë.

 Pamja e varrezave të viktimave është trishtuese. Varre të tëra të zhytura në gjelbërimin gllabërues. Në një parcelë me 8 prej varreve të viktimave vetëm dy mund të shiheshin ndërsa pjesa tjetër ishin zhdukur nga gjelbërimi i papastruar prej vitesh me radhë. Ndërsa pemë me lartësi 2 – 3 metra kishin mbirë mes varreve pa u prerë e pastruar nga askush.


Duket se viktimat e asaj ngjarje të rëndë ishin harruar nga vetë familjarët e tyre ndërsa kujtesa e tragjedisë po venitej, askush përveç medias nuk interesohet për eshtrat e gjetura në tunel ndërsa vetëm një përkujtimore pranë tunelit na kujton emrat dhe fytyrat e viktimave mes tyre edhe fëmijët.

Viktimat e tragjedisë:
1.Sherif Dishani 35 vjeç
2.Majlinda Dishani 20 vjeç
3.Eglantina Kurti 13 vjeç
4.Esat Haxhia 26 vjet
5.Ramiz Dishani 17 vjeç
6.Artan Dishani 17 vjeç
7.Nurie Dishani 12 vjeç
8.Deshira Dishani 14 vjeç
9.Rabije Dishani 14 vjeç
10.Myrvete Dishani 10 vjeç
11.Vera Uka 16 vjeç
12.Agim Barçi 30 vjeç
13.Zylfe Dishani 25 vjeç
14.Allaman Kurti 35 vjeç
15.Ruzhdie Kurti 11 vjeç
16.Etmond Dishani 16 vjeç
17.Lulezime Dishani 12 vjeç
18.Fitim Dishani 22 vjeç
19.Trendafile Dishani 12 vjeç
20.Fatime Uka 43 vjeç
21.Ferit Rama 34 vjeç
22. Liljana Dishani 19 vjeç
23.Arben Dishani 14 vjeç

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (21/09/2018)