Sërish krim në familje në Tiranë, gardisti ekzekuton gruan me armën e shërbimit

Ora 06:00 (12 shkurt) – Efektivi i Gardës së Republikës ekzekuton gruan e tij. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin e tyre në zonën e Alliasit në periferi të Tiranës. Gardisti 44-vjeçar Alket Arapaj përdori armën e shërbimit për të qëlluar mbi gruan e tij Ervilma Seferaj 36-vjeçe, e cila mbeti e vdekur në vend. Arapaj ka shtënë 3 herë në drejtim të bashkëshortes me të cilën kishte edhe një fëmijë që ishte i pranishëm gjatë momentit të krimit. Ishin fqinjët që kanë lajmëruar policinë pasi dëgjuan të shtënat dhe të qarat e fëmijës.

31 Janar, ora 21:53 - Statusi që paralajmëroi vrasjen? Ja çfarë shkroi  gardisti 2 javë para krimit

Gardisti Alket Arapaj ka postuar një status publik në rrjetin social Facebook para dy javësh.  Statusi ishite pikërisht për tradhtinë.

"Tradhtia fodulle shkëlqen thjeshtë sa për një intermexo edhe nëse është e hidhur shumë" shkruante gardisti.

Ora 06:30 (12 shkurt) - Pas ngjarjes, 44-vjeçari është arrestuar menjëherë nga shërbimet e policisë. Mësohet se ai është me arsim të lartë ushtarak, me gradën Kapiten me 21 vite punë ne Gardën e Republikës. Alket Arapaj ishte i pajisur me armë e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit.

Ora 08:00 - Pallati ku banonte çifti prej disa vitesh

Report Tv sjell pamjet nga pallati ku banonte çifti Arapaj në Allias. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta thotë se gardisti është arrestuar nga policia poshtë pallatit, sapo kishte dalë nga banesa pasi vrau gruan me armën e shërbimit. Ndërkohë që fqinjët jashtë kamerave thonë se çifti kishte grindje të herë pas hershme.

 

Ora 09:00 - Fqinjët: Ishin njerëz me fe, nusja ishte e mbuluar 

Fqinjët e familjes Arapaj në Allias shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë.

 

"Unë kam 50-vjet që jetoj këtu, edhe ata jetonin këtu. Nëna dhe i ati kanë ikur te djali tjetër dhe vinin në mars. Nusja dilte dhe mbushte ujë, e shikoja shpesh. Djali shkonte në punë. Kanë një vajzë 3-vjeçe. Është një ngjarje e paparë. Më vjen shumë keq, jemi të tronditur", tha njëra nga fqinjet.

 

Ndërsa një tjetër fqinje shton se 'Ata janë familje shumë e mirë, edhe ai dhe e shoqja shumë të mirë. Njerëz me fe, pasi faleshin. Jemi habitur kur jemi zgjuar. Brenda në familje nuk e di, por nuk kemi dëgjuar për grindje. Nuk e di, do të ketë qenë ndonjë moment....pa dashje, gabimisht, pasi nuk ka mundësi që ai njeri kaq i mirë të vriste'.

 

Ora 12:51 - Zbardhet dëshmia e gardistit: Gruan e vrava pasi më tradhtonte 
 

Report Tv ka zbardhur dëshminë e gardistit që vrau gruan mëngjesin e sotëm. Alket Arapaj është shprehur në polici se bashkëshorten e vrau pasi e tradhtonte.

 

"Gruaja me tradhtonte prandaj e vrava. Edhe në shtëpi dhe gjeja gjërat të lëvizura. Kohët e fundit më ishin shtuar dyshimet për tradhëtinë. Më vjen keq për vajzën, jam familjar i rregullt", tha ai para grupit hetimor.

(12/02/2019)