Shqipëria mbulohet nga dëbora, vështirësi qarkullimi në disa akse, pezullohet mësimi në disa qytete

8 Janar - Gjatë gjithë ditës së martë ka pasur rreshje dëbore në zonat malore të vendit. Siç e tregon dhe kjo foto satelitore e shkrepur nga hapësira paraditen e 8 janarit duken majat e maleve të Shqipërisë të zbardhura nga bora. 

9 Janar - Zonat e prekura nga dëbora
Ky imazh i gjeneruar nga të dhënat meterologjike satelitore tregon zonat e prekura nga dëbora paraditen e sotme. Klikoni në foto për ta parë më të madhe.

Ora 08:00 (9 janar) - Shkodra e mbuluar nga dëbora 

Dita e sotme (9 janar) për herë të parë në këtë vit ka gjetur të zbardhur edhe qytetin e Shkodrës, gjatë orëve të natës së mbrëmshme dhe orëve të para të mëngjesit ka pasur reshje dëbore në këtë qark. Mësohet se trashësia e borës ka arritur në 3-5 cm ndërsa dashur ndërhyrja e 4 borëpastruesve në qytet për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e lëvizjes së automjeteve.

Mund të shikoni fotogalerinë më poshtë.

Ora 08:38 – Dëbora në Gjirokastër arrin në 40 cm, pezullohet mësimi në të gjithë qarkun

Edhe Gjirokastra është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës. Gazetari i Report TV Piro Nase raporton se trashësia e borës në qytet arrin në 10 cm, ndërsa në zonat rurale deri në 40 cm ku janë bllokuar dhjetëra fshatra. Probleme ka në fshatrat Golem dhe Zagori si dhe Frashër të Përmetit, Lopës dhe Kurvelesh të Tepelenës. Fshati Zhepë në Përmet është krejtësisht i izoluar pasi trashësia e dëborës arrin në 40 cm. Kjo situatë ka sjellë pezullimin e mësimit në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës me urdhër të Drejtorisë Arsimore.

Dëbora ra herët në mëngjes edhe në Tiranë

Flokët e parë të dëborës për vitin 2019 kanë rënë edhe në kryeqytet gjatë orëve të para të mëngjesit. Mësohet se reshjet e bores kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë pasi është shkrirë pa zbardhur dita.

Ora 09:00 - Pezullohet mësimi edhe në Mirditë e Pukë 
Moti i keq me borë ka sjellë pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e rrethit të Pukës dhe Mirditës me urdhër të zyrës arsimore vendore. Më herët ishte drejtoria arsimore e Gjirokastrës që solli pezullimin e mësimit në të gjithë Qarkun. 

Ora 09:12 - Dëbora në Dibër bllokon gjysmën e fshatrave

Situata paraqitet problematike edhe në Dibër për shkak të borës. Gjysma e fshatrave të këtij qarku mësohet se janë të bllokuara. Fshatrat e thella si Lura, Kalaja e Dodës, Arras Selishtë, Ostren, Trebisht dhe në Bulqizë. Ndërkohë është e bllokuar edhe zona e Terrnovës së Madhe dhe të Vogël me 115 banesa. 

Ora 09:45 - Reshjet e dëborës bëhen më të dendura në Korçë, zbardhet qyteti

Në qarkun e Korçës ku reshjet e borës vijojnë të bien prej disa ditësh, probleme raportohen në zonat e thella si Mokër, Panarit, Gorë dhe Lekas. Gjatë ditës së sotme bora ka qenë me dendur duke e zbardhur qytetin juglindor.  Dëbora e dendur ka sjellë ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të qarkut të Korçës. Në Bashkinë Maliq, është ndërprerë mësimi në shkollën e Sheqerasit dhe Ormanit, në Bashkinë Korçë mësim nuk po zhvillohet në shkollën Floq-Pulahe, në Devoll në shkollën Vibohovë, Shuec, Dobranj dhe Zagradec nuk ka mësim. Në Ersekë në shkollat e fshatrave Boshanj, Mesickë, Butkë dhe Shals. Ndërsa në Pogradec, mësimi është ndërprerë në zonën e Mokrës së Sipërme dhe të Poshtme. Në shkollat e tjera të Korçës mësimi po zhvillohet me orare të reduktuara. 

Ora 09:50 - Reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë gjithë natës edhe në rrethin e Krujës. Në orët e para të mëngjesit në fshatrat malore niveli i dëborës shkon në rreth 15 cm ndërsa tek Parku Kombëtar i Qafështamës bora arrin në 30 cm.

Ora 09:54 - Furgoni del nga rruga dhe përmbyset në aksin Lezhë-Shkodër

Një furgon mallrash ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në aksin Lezhë-Shkodër. Shkak për aksidentin është bërë prezenca e borës në rrugë. Nga aksidenti nuk raportohet për të lënduar.

 

 

Ora 10:15 - Dëborë e dendur në Librazhd, qarkullimi me zinxhirë në aksin nacional

Reshje të dendura dëbore ka pasur edhe në Qarkun e Elbasanit. Ato kanë prekur edhe zonat e ulëta krahas atyre malore. Mëngjesin e sotëm është zbardhur qyteti i Elbasanit, ndërsa në Librazhd dhe Përrenjas reshjet e borës kanë qenë intensive. Dëborë ka rënë edhe në Gramsh. Vështirësi në qarkullimin e automjeteve raportohen në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd- Përrenjas- Qafë Thanë dhe në të gjitha akset rurale të Qarkut të Elbasanit. Aksi nacional Librazhd- Qafë Thanë, sipas ARRSH, ka prezencë të theksuar dëbore dhe për rrjedhojë qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë.

 

Ora 10:20 - ARRSH: Moti do përkeqësohet, këto janë akset rrugore ku qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë

ARRSH ka njoftuar gjendjen më të fundit të akseve rrugore kryesore të vendit. Sipas ARRSH, gjendja në gjithë segmentet rrugore nga Qafë Mali deri ne Qafë Muzinë është e rënduar për shkak te temperaturave te ulëta dhe reshjeve intensive te bores. Gjithashtu Autoriteti Rrugor ka bërë të ditur edhe akset ku qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Kliko për ta parë më të madhe
 

 Ora 10:30 – Kukësi i mbuluar nga dëbora 


Ora 11:00 - Kreu i ARRSH-së për Report Tv: Nuk ka asnjë aks nacional të pakalueshëm

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro ka shkuar në Librazhd për të inpektuar gjendjen e rrugëve ku më shumë se gjysma e qyteteve të Shqipërisë janë ‘pushtuar’ nga dëbora.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, Qëndro është shprehur se nuk ka asnjë aks nacional që të mos jetë i kalueshëm.

Ora 11:27 - Kreu i Qarkut Kukës: Firma s'ka pastruar rrugën e Shishtavecit dhe Bushtricës, ka marrë 1 mln euro 

Abedin Oruçi, kreu i këshillit të Qarkut Kukës u shpreh për Report TV se të gjitha rrugët në Qarkun e Kukësit, përveç dy akseve Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë, janë të kalueshme. Sipas tij, problematike është situata në aksin Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë ku ka prezencë të theksuar dëbore.

 

"Janë dhënë nga qeveria 1 mln euro për rrugën dhe duhet të mirëmbahet, por firma është kapur e papërgatitur. Këto dy rrugë janë në varësi të ARRSH, Bashkia nuk ka lidhje me këto. Janë 1 mln euro të dhëna nga qeveria për mirëmbajtjen e tyre", u shpreh Oruçi. 

Ora 11:32 - Drejtori i Emergjencave, Haki Çako: Jemi në gatishmëri, akset nacionale të kalueshme 

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako në një lidhje telefonike për Report TV ka thënë se situata me reshjet e dëborës në vend ka vështirësi, por po punohet për të qenë në kontroll të situatës. 

 

“Ne jemi në gatishmëri të plotë, EC dhe FA me të gjitha kapacitetet janë në kontakt të vazhdueshëm me çdo prefekturë. Ka vështirësi, por akset nacionale janë të kalueshme. Nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike. Të gjithë sektorët janë në krye të detyrës. Janë të gjithë duke ndjekur detyrat. Ne jemi në dispozicion të plotë me kompanitë kontraktore dhe me Forcat e Armatosura. Mbarëvajtja do të jetë pozitive nga të gjithë kapacitetet. Jemi në gatishmëri të situatës. Po menaxhohet dhe situata po ndiqet. Numër telefoni, të gjithë mund të telefonojnë shërbimin 112.”-tha Çako.

Ora 12:07 - Pogradeci 'hijeshon' nën petkun e dëborës, por shkakton edhe probleme

Dëbora ka mbuluar dhe Pogradecin. Qyteti liqenor hijeshon edhe më shumë nën petkun e bardhë të borës. Mirëpo bora dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar edhe probleme në zonat e thella. Kështu është ndëprerë mësimi në zonën e Mokrës së Sipërme dhe të Poshtme, ndërsa në shkollat e tjera të rrethit të Pogradecit mësimi është zhvilluar me orar të reduktura. 

Ora 12:31 - Pezullohet mësimi në 5 shkolla të Vaun e Dejës, 6 borëpastruese në Qafë Bualli deri në Peshkopi 

Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës kanë sjellë edhe mbylljen e shkollave në Dukagjin dhe në Vaun e Dejës. Gazetari i Report Tv në Shkodër, Ergys Kavaja, raporton se në qytetin e Shkodrës shkollat kanë qenë të hapura në mëngjes por frekuentimi ka qenë i ulët. Ndërkohë që në Vaun e Dejës janë mbyllur përkohësisht 5 shkolla. Në të gjitha segmentet po kalohet pa probleme dhe po vijon puna që prej orëve të para të mëngjesit për të siguruar qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë që në qarkun e Dibrës janë 6 borëpastruese që po punojnë bashkë me 4 makina që po hedhin kripë në aksin Qafë Bualli deri në Peshkopi.

Ora 12:57 - Drejtori i ARRSH apel drejtuesve të makinave: Përdorni gomat e dimrit dhe zinxhirët, shmangni lëvizjet gjatë natës 

Drejtori i Autoritetit Rrugor, Afrim Qëndro, ka apeluar sot që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë. Qëndro tha që situata më problematike është në dy akset Tepelenë-Gjirokastër dhe Gjirokastër-Kakavijë.  

Ora 15:01 – Gjirokastër, OSHEE: Punonjësit në shërbim të banorëve të fshatrave

Reshjet e dëborës kanë sjellë si problematikë edhe mungesën e energjisë elektrike në disa zona të vendit, sikurse në fshatin Suh e Topovë të komunës Zagorie në rrethin e Gjirokastrës. OSHEE ka nxjerrë së fundmi fotografi në faqen e saj zyrtare në një rrjet social, ku bën me dije se punonjësit e saj gjenden në shërbim pavarësisht terrenit të vështirë që kanë hasur e problemeve të motit. 

Ora 15:03 –Ministria e Arsimit: Ja zonat ku nuk u zhvillua mësim sot 

Ministria e Arsimit nisur nga situata atmosferike në vendin tonë njofton se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e mësimit në disa shkolla. Sipas raportimeve në MAS, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet. Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar. Në total janë rreth 280 shkolla kryesore dhe vartëse që nuk kanë nisur procesin mësimor për shkak të kushteve të motit. Ndërkohë që në zonat e tjera të vendit mësimi vijon normalisht. 

Ora 15:39, Dibër, bllokohet nga dëbora rruga Shupenzë-Ura e Topojanit 
Siç shihet edhe në këtë video, disa automjete kanë mbetur të bllokuara në aksin Shupenzë-Ura e Topojanit  për shkak të trashësisë së borës në këtë aks. Qarkullimi i mjeteve vetëm me zhinxhirë. 

Ora 16:07 - Masivi i dëborës bllokon rrugën Korçë-Dardhë 

Gazetarja e Report TV në Korçë, Iris Rezhda raporton se rruga që të dërgon për në Dardhë është bllokuar si pasojë e shkarjes së masivit të borës. Borëpastrueset deri tani nuk kanë ndërhyrë, ndërsa në këtë zonë dëbora arrin në 60 cm.

Ora 16:51 - Ministrja e Mbrojtjes apel qytetarëve: Evitoni daljet e panevojshme gjatë 48 orëve 

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë gjatë këtyre 48 orëve nisur nga situata me motin e keq pas dëborës që ka përfshirë të gjithë vendin. Ministrja theksoi se situata pritet që të jetë e njëjtë edhe për  orët e ardhshme. Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, si dhe një pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë.

Ora 17:00 – Elbasan, bllokohet brenda shtëpisë, 25-vjeçarja sjell në jetë fëmijën e saj të dytë falë ndihmës së stafit mjekësor 

Një nënë e re, e cila është bllokuar nga dëbora brenda shtëpisë, ka lindur këtë të mërkurë fëmijën e saj të dytë në fshatin Labinot-Katund falë ndihmës së stafit të Qendrës Shëndetësore së Elbasanit. Luljeta Coca është ndihmuar nga një infermiere e kësaj qendre shëndetësore, e cila është transportuar në zonën e thellë malore nga një ambulancë që ka qarkulluar me zinxhirë.  25-vjeçarja ka lindur pa ndërlikime dhe se është transportuar më pas në maternitetin e Elbasanit, ku aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm .

Ora 17:15 - Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar aksin Peshkopi-Tiranë në Qafë Ulëz prej dy orësh. Shumë mjete janë të bllokuar në dëborë, ndërsa drejtuesit bëjnë apel për ndihmë. 

Përgatiti: A.Çakshiri/Shqiptarja.com (09/01/2019)