Takimi informal i liderëve të rajonit, munguan 3 kryeministra

Durrës - Ka zgjatur rreth 4 orë takimi joformal i 3 kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua gjatë paradites së sotme në Rezidencën Qeveritare. Në takimin morën pjesë kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi së bashku me homologun Rama. Prezent ishin edhe eurokomisioneri Hahn, ambasadorja e BE Valhutin, ambasadorja greke e cila ishte e shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Giorgos Katrougalos, presidenti i BERZH Suma  Chakrabarti dhe një përfaqësuese nga Banka Botërore. Në qendër të Samitit ishte integrimi ekonomik rajonal, heqja e barrierave mes vendeve dhe hapja e vendeve të reja të punës, por u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vendet e Ballkanit. Mëposhtë janë zhvillimet orë pas ore

Ora 09:47 - Kryeministri i Kosovës Haradinaj mbërrin i pari në takim

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj  ishte mysafiri i parë i Samitit informal të Liderëve të Ballkanit, të zhvilluar në rezidencën qeveritare në Durrës nga kryeministri Rama dhe komisioneri i BE, Johanes Hahn. I veshur zyrtar dhe tepër serioz kollarja e Haradinajt ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Rama i cili me shaka i ka kërkuar që ta hiqte.

Ora 09:55 - Priten nga Rama, presidenti i BERZH dhe përfaqësuesja e BB 

Në takimin informal marrin pjesë edhe dy përfaqësues, njëri presidenti i BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) Suma Chakrabarti dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore Gallina Andronovna Vincelette të cilët gjithashtu u pritën nga kryeministri Rama. 

Ora 10:00 - Kryeministri Malazez pritet nga homologu Rama

Kryeministri i Malit të Zi Dusko Markovic, lideri i dytë i ballkanit që pritet nga kryeministri Rama në rezidencën qeveritare.  Duket se shqetësimi i vetëm ka qenë shiu ditën e sotme, ndërsa Rama është fiksuar në foto me sytë nga qielli gjatë pritjes së kryeministrit të Malit të Zi.

3 kryeministra nuk marrin pjesë në takim

Kryeministrat e 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk morën pjesë në takim, Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç e cila vitin që kaloi ishte pjesë e takimit të 6 kryeministrave të Ballkanit Perëndimor këtë vit nuk kishte konfirmuar pjesëmarrjen për shkak të axhendës dhe angazhimeve të saj. 

Kryeministri i Bullgarisë Borisov gjithashtu nuk mundi të ishte i pranishëm duke anuluar vizitën në minutat e fundit për shkak të një aksidenti tragjik që ndodhi në vendin e tij. Pas një informacioni se kryeministri i Maqedonisë Zaev do të vonohej më pas u njoftua që edhe ai kishte anuluar vizitën për shkak të kushteve të motit në aeroportin e Shkupit. 

Ora 11:00 - Nis takimi informal i 3 kryeministrave në rezidencën qeveritare

Ka nisur takimi informal i 3 kryeministrave Rama, Haradinaj dhe Markovic me komisionerin e BE Hahn dhe dy përfaqësuesit e BERZH dhe Bankës Botërore. Në takim janë edhe Ministri i Jashtëm Bushti dhe Majlinda Bregu në postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit për Bashkëkëpunim Rajonal, që u përzgjodh para pak kohësh. 

Anija e Rojes Bregdetare patrullon zonën detare pranë rezidencës qeveritare

Siguria ka qënë maksimale gjatë takimit të kryeministrave si në tokë ashtu edhe në det. Jashtë tendës (në foton mëposhtë) ku po zhvillohej takimi, një anije e Rojes Bregdetare ka qënë në patrullim të vazhdueshëm pranë bregdetit. 

Ora 12:15 - Konferenca e përbashkët për mediat

Kryeministri Rama së bashku me dy homologët kosovar Haradinaj dhe malazez Markoviç në konferencë për mediat e pranishme. Pjesë e konferencës së përbashkët ishte dhe eurokomisioneri Hahn dhe Suma Chakrabarti, president i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)

Ora 12:20 - Rama:  Bilanc procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike 

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se qëllimi i takimi është bilanci për atë që është bërë në kuadër të procesit të Berlinit dhe Samitit të Tristes dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

Ora 12:25 - Hahn: Asnjë pranim në BE pa zgjidhur problemet dypalëshe

“Asnjë anëtar i ri nuk do të pranohet në BE pa zgjidhur njëherë problemet dyplalëshe”- ishte ky qëndrimi i Eurokomisionerit për Zgjerim Johanes Hahn, i pyetur për marrëveshjen Serbi-Kosovë për korrigjimin e kufijve në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës. 

Ora 12:30 - Kryeministri i Malit të Zi, Duško Marković:  "Ballkani është i vendosur për të ecur përpara"

Ora 12:34 - Haradinaj: Kufijtë nuk duhet të ndryshohen, por të respektohen

Vëmendjen kryesore në takimin e sotëm e mori debati i hapur kohët e fundit në Kosovë për idenë e rishikimit të kufijve. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ishte i prerë kur u shpreh se kufijtë nuk duhet të ndryshohen, por të respektohen. "Kufijtë që kemi me Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë do të mbeten ato që janë", u shpreh Haradinaj. 

(Në foto, vëmendja e homologëve; malazez Markoviç dhe shqiptar Rama tek kryeministri Haradinaj gjatë fjalës për kufijtë e kosovës)

Ora 12:40 - Presidenti i BERZH: Kemi investuar 10 miliardë euro në Ballkan 

Presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti u shpreh në Samitin e Durrësit se institucioni që ai drejton ka investuar në Ballkanin Perëndimor 10 miliardë euro. Investimet e BERZH në të ardhmen do të shtrihen në pjesën më të madhe në infrastrukturë.

Ora 13:00 - Në përmbyllje të konferencës kryeministri Rama ka uruar Majlinda Bregun për detyrën e re si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, e pas saj e ka uruar me shprehjen “suksese në jetë” ambasadoren e BE-së në ikje, Romana Vlahutin, e cila qëndronte e ulur mes Bregut e Bushatit. U duk se ambasadorja nuk e ka kuptuar dhe Ministri i Jashtëm Bushati i shpjegoi me humor ambasadores se kjo shprehje kohët e fundit "nuk kishte kuptim dhe aq pozitiv" në Shqipëri.

Fotot Antonio Çakshiri /Shqiptarja.com 

(27/08/2018)