Tarifat, studentët protestë para MASR, u plotësohet një nga kërkesat, grupe pune për 3 të tjerat
Ora 09:30 - Studentët në Tiranë kanë bojkotuar mësimin duke nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit për të protestuar për tarifat e universitetit. Në protestë studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, të Histori Filologjisë, Gjuhëve të Huaja, të Ekonomikut, Infermierisë dhe të Shkencave të Natyrës.
Katër kërkesat e studentëve
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit që anulua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord.
Ora 09:40 - Protestat studentore kanë nisur edhe në Korçë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.
Ora 09:46 - PD: Kështu nisi edhe lëvizja që rrëzoi diktaturën
Partia Demokratike ka publikuar fotot nga protesta e studentëve të një pankarte me mbishkrimin "1990 is Back". Në postimin në Facebook, PD shkruan se “Studentët e ‘Fan Nolit’ në Korçë i bashkohen grevës së studentëve të Tiranës! Parullat e tyre paralajmërojnë për një lëvizje si e ‘90-es, ku me vendosmërinë e tyre studentet nisen lëvizjen që rrezoi diktaturën”.
Ora 09:48 - Studentët e Universitetit Bujqësor thirrje nga dritarja pedagogut: Bashkohu me ne!
Disa studentë të Universitetit Bujqësor teksa po niseshin tek protesta para Ministrisë së Arsimit i bënë thirrje nga dritarja një pedagogu që gjendej në auditor që të bashkohej me ta.
Ora 09:50 - Nis protesta në universitetin e Elbasanit. Studentët deklarojnë se “Nuk do të ndalemi këtu, do të vijmë në Tiranë nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse qeveria nuk do të reflektojë. Protesta deri në rrëzimin e vendimit” deklarojnë disa prej tyre.
Ora 10:10 - Studentët para Ministrisë së Arsimit: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa, hiqni tarifat’. Qindra studentë të Tiranës janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit, ndërsa me thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa, të hiqen tarifat, duam të drejtat tona” vijojnë protestën. Qarkullimi i automjeteve në këtë aks është devijuar.
Ora 10:28: Studentët para MASR: Nesër do të vijnë studentët nga rrethet
Studentët që po protestojnë para ministrisë së Arsimit dhe Sportit prej orës 10:00 deklarojnë se në protestën që do të zhvillohet nesër do të vijnë në Tiranë dhe studentë nga rrethet. “Vijmë nga universiteti i mjekësisë, kërkojmë uljen e tarifës dhe kushte më të mira. Nesër do të na bashkohen studentët nga rrethet” deklarojnë ata për Shqiptarja.com.
Ora 10:35 – Report TV pamje nga lartë nga protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit
Studentët nga të gjitha fakultetet dhe Bujqësori në Kamëz vijojnë prej orës 10:00 duke kërkuar plotësimin e katër pikave, kryesoja anulimi i tarifës për kreditet për lëndët e mbartura. "Jo kredi për kredite, jemi studentë, jo bankë. Jo zhvatje. Nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë" ,shprehen studentët.
Ora 11:00 - Revoltohen studentët, lapsa, letra, vezë dhe bidona drejt ministrisë së Arsimit
Studentët kanë hedhur letra higjenike, bidona, lapsa dhe vezë drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, të revoltuar, pasi pretendojnë se u janë bllokuar valët e internetit, ndërsa kërkojnë reagim dhe plotësimin e katër kërkesave të tyre.
Ora 11:20 - Anëtarja e këshillit studentor Shkodër: Ka presione nga rektori, por protesta do të vijojë.
Anëtarja e këshillit studentor Shkodër, Melisa Braci, studente e Juridikut është dorëhequr nga këshilli, pasi ky organ nuk iu bashkua protestës. Ajo shprehet se ka pasur presione nga rektori Adem Bekteshi, por protesta do të vijojë dhe do të jetë masive. “Ika nga këshilli për shkak të debateve për protestat. Shumë nga anëtarët nuk ishin dakord që nxënësit të protestonin. Ka pak frikë, por besoj që shkodranët nuk janë frikacakë që të tundohen nga disa kleptokratikë”.
Ora 11:55 - Thyhen xhamat dhe dera, qëllohet me vezë universiteti në Elbasan
Protesta në Elbasan ka agravuar në thyerje xhamash, ndërsa është shqyer edhe një derë te fakulteti i Infermierisë. Ndërkohë që drejt fakultetit të Ekonomisë është qëlluar me vezë nga studentët.
Ora 12:03 - Ministrja Nikolla takim me rektorët dhe dekanët për kërkesat e studentëve
Ministrja Lindita Nikolla do të zhvillojë pas pak një takim me rektorët dhe dekanët në institucionin që drejton në lidhje me kërkesat e studentëve dhe protestën që po vijon para Ministrisë së Arsimit.
Ora 12:03 - Ministrja Nikolla takim me rektorët dhe dekanët për kërkesat e studentëve
Ministrja Lindita Nikolla do të zhvillojë pas pak një takim me rektorët dhe dekanët në institucionin që drejton në lidhje me kërkesat e studentëve dhe protestën që po vijon para Ministrisë së Arsimit.
Ora 12:25 - Presidenti: Institucionet të dëshmojnë përgjegjësi, dialog dhe zgjidhje
Presidenti i Republikes, Ilir Meta ka reaguar pas protestës së studentëve duke kërkuar nga institucionet të deshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve. Meta shprehet se rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve.
“Presidenti i Republikes, Meta po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit. Ai u bën thirrje autoriteteve e institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik. Duhen shumë përpjekje për arsim e edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavaresisht mundësive të tyre financiare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ora 12:25 - Presidenti: Institucionet të dëshmojnë përgjegjësi, dialog dhe zgjidhje
Presidenti i Republikes, Ilir Meta ka reaguar pas protestës së studentëve duke kërkuar nga institucionet të deshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve. Meta shprehet se rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve.
“Presidenti i Republikes, Meta po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit. Ai u bën thirrje autoriteteve e institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik. Duhen shumë përpjekje për arsim e edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavaresisht mundësive të tyre financiare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ora 12:30 - Studentët varin bluzat e bardha te hekurat e ministrisë
Në protestën përpara Ministrisë së Arsimit janë edhe studentët e Universitetit të Mjekësisë dhe të Infermierisë. Ata kanë vendosur në kangjellat e godinës së ministrisë bluzat e bardha.
Ora 12:47 - Studentët hapin rrugën për ambulancën që po kalonte tek Rruga e Durrësit.
Ora 13:00 – Ministrja Nikolla: Do të shfuqizojmë vendimin për tarifat për lëndët e mbartura.
Ministrja Nikolla njoftoi se qeveria do të tërhiqet duke anuluar nenin 4 të vendimit nr. 288 për tarifën shtesë për provimet e mbartura për studentët. Përsa i përket pikës së dytë për përgjysmimin e tarifës, ministrja tha se është në dorë të universiteteve. Kërkesën për pjesëmarrjen në bordin e administrimit ajo e cilësoi si të paparë në asnjë vend të botës, ndërsa për kushtet në konvikte theksoi se do të investohet.
Ora 13:48 – Plotësimi i njërës prej kërkesave, studentët: Të plotësohen të gjitha, duam arsim falas.
E ndërsa një pjesë e studentëve janë larguar pas deklaratës së ministres Nikolla, pjesa tjetër vijojnë që të qëndrojnë para ministrisë së Arsimit duke kërkuar plotësimin e të gjitha kërkesave dhe arsim falas. “Protesta do të vijojë deri sa të dalë vendimi zyrtar, ndërkohë që duam plotësimin dhe të kushteve të tjera. Nuk ka pasur kërcënime në tërësi, ndoshta për persona të caktuar, por në tërësi jo. Deklarata e ministres për tërheqjen është e pranueshme për ne, por kërkojmë edhe plotësimin e kushteve të tjera. Sot protesta do të vijojë deri në orën 16:00, ndërsa nëse nuk do të plotësohen atëherë do të rikthehemi sërish”, deklarojnë ata.
Ora 14:28 – Nikolla sërish në konferencë: Do të ngrihet grup pune për tre kërkesat e tjera.
E ndërsa pranoi kërkesën e parë për shfuqizimin e pikës 4 të vendimit nr. 288 për heqjen e tarifës për studentët që kanë lëndë të mbartura, ministrja Nikolla përmes një deklarate tjetër për mediat u shpreh se do të ngrihet një grup pune për tre kërkesat e tjera.
Ora 15:37 - Zyrtare/ Qeveria shfuqizon pikën 4 të VKM nr.288: Studentët përsëritës nuk do të paguajnë.
Këshilli i Ministrave bën zyrtar premtimin e dhënë nga ministrja Lindita Nikolla në mesditë se qeveria do të tërhiqej nga vendimi për heqjen e tarifave për lëndët e mbartura. Me firmë të kryeministrit Edi Rama, Qeveria ka shfuqizuar VKM-në nr. 228 çka nënkupton se studentët nuk do t’i nënshtrohen tarifës për lëndët ku ata janë ngelës.
Ora 15:50 - Pas rreth 6 orësh, studentët e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar protestën ditën e sotme përpara Ministrisë së Arsimit, pasi qeveria shfuqizoi zyrtarisht VKM-në 288 për tarifat mbi lëndët e mbartura. Prej orës 10:00 e deri në 15:50 studentët qëndruar përpara Ministrisë duke bërë thirrje për heqjen e tarifës për lëndët, përgjysmimin e tarifës së shkollimit si dhe kërkuan investime në sistemin universitar.
Megjithatë, studentët kanë paralajmëruar sërish protestë nesër po në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit për plotësimin e tre kërkesave të tjera.