Vdes ushtarakja shqiptare gjatë misionit të NATO-s në Letoni
Ora 09:10 - Shpërthim gjatë asgjësimit të municioneve të paplasura në Letoni, plagosen 3 efektivë të FA
Teksa ora shënonte 10:10 në Letoni dhe 09:10 në Shqipëri një incident ka ndodhur gjatë asgjësimit të municioneve ushtrarake dhe lëndëve eksplozive të paplasura në Letoni. Një kontigjent i FA ndodhet atje në misionin e NATO-s "Enhanced Forward Presence" mes tyre edhe Nëntetarja Zarife Hasanaj, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Teksa apo po kryenin detyrën mbetën të plagosur nga një shpërthim ndërsa 32-vjeçarja Hasanaj u dëmtua më rëndë.
Ora 10:00 - Ndërron jetë Zarife Hasanaj, dy efektivët e tjerë të FA në spital
32-vjeçarja nga Tropoja, Zarife Hasanaj nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve të marra ndërsa ka ndërruar jetë në një spital në Letoni ku u dërgua pas incidentit gjatë kryerjes së detyrës.
Ora 11:20 - Gjeneral Bardhyl Kollçaku konferencë të jashtëzakonshme: Nuk ka vend për panik
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Gjeneral Bardhyl Kollçaku, shefi i Shtabit, teksa dha lajmin për vdekjen e ushtarakes dhe plagosjen e kolegëve të saj, tha se nuk ka vend për panik.
"Jemi krah çdo kontigjenti të forcave të armatosura në Letoni", tha ai
Nëntetarja mesazh nga misioni në Letoni: Hera e parë që kotnribuoj jashtë vendit....Gëzuar Shqipëri!
Një video që tregon punën e ushtarakëve shqiptarë në Letoni si pjesë e misionit të NATO-s. Aty shfaqen Zarife Hasanaj dhe kolegët e saj, teksa shprehin krenarinë që janë në këtë mision, që korrespondon me një vit historik, 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Video është shpërndarë një muaj më parë në Facebook nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. "Prej 2 vitesh, djemtë dhe vajzat e Forcave të Armatosura kontribuojnë në Letoni, në kuadër të Mbrojtjes Kolektive të Aleancës. Shqipëria 10 vjet në NATO. Partner i besueshëm në Aleancë", shkruan Xhaçka.
Zarifja, 32-vjeçare me origjinë nga Tropoja,ishte në misionin e saj të parë jashtë vendit. Emocione dhe krenari teksa ajo tregon për punën e saj, nga Letonia, ku është pjesë e kontigjentit të Forcave të Armatosura shqiptare në mbështetje të misionit të NATO-s, Ndan edhe një urim për Shqipërinë dhe anëtarësimin në Aleancën Euro-atlantike.
Ora 11:25 - Kryeministri Rama: I përjetshëm kujtimi i saj
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të efektives Zarife Hasanaj gjatë kryerjes së detyrës në misionin e NATO-s në Letoni.
"Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë! Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj", shkruan Rama.
Ora 12:07 - Ministrja Xhaçka: Respekt e mirënjohje pafund sakrificës dhe guximit të Zarifes
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka shprehur mirënjohje për nëntetaren Zarife Hasanaj e njëkohësisht dhimbje për humbjen e jetës së saj. Xhakçka i uron njëherësh shërim të shpejtë ushtarakëve të plagosur gjatë misionit në Letoni.
"Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife Hasanaj. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura", shkruan ministrja në Twitter.
Ora 12:11 - Meta: Me hidhërim të thellë mësova ngjarjen tragjike me ushtarakët tanë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shprehu ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.
Në një njoftim për mediat, thuhet se kreu i shtetit "me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj".
"Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj", përfundon njoftimi.
Ora 12:32 - Ruçi: Ushtarakja Zarife Hasanaj, dëshmore e paqes
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu sot ngushëllimet për rënien në krye të detyrës, në misionin në Letoni, të ushtarakes Zarife Hasanaj.
″Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve të ushtarakes Zarife Hasanaj, pjestare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila humbi jetën në krye të detyrës, si pjesë e grupit xhenier të misionit të NATO-s për demontimin e minave në Letoni. Zarife Hasanaj ra në krye të detyrës, si një dëshmore për paqen dhe mbrojtjen e jetëve të fëmijëve dhe qytetarëve letonezë. U uroj shërim të shpejtë Majorit Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj, të cilët u plagosën gjatë këtij misioni. Shqipëria është krenare për bijtë e saj që kontribojnë në misioniet e NATO-s, në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe jetëve njerëzore anembanë globit″, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.
Ora 13:00 - Në familjen e nëntetares që humbi jetën në Letoni
Familja e efektives Zarife Hasanaj jeton në Babrru të Tiranës. Kanë rreth 30 vjet që janë larguar nga Tropoja, prej nga janë me origjinë, ku pranë banesës së tyre kanë edhe të afërm të tjerë. Familja e ushtarakes që humbi jetën në Letoni, si pjesë e misionit të NATO-s, e mësoi lajmin tragjik nga komandanti i vajzës së tyre. Me të mësuar lajmin, në familjen e Hasanajt, ka mbërritur komandanti i komandës mbështetëse të EOD, që ka në grup edhe kontigjentin që ndodhet në Letoni, konkretisht, Zarifen. 32-vjeçarja, e pamartuar, humbi jetën në orën 10:10 me orën lokale, në mision e saj të parë jashtë vendit. Forca të ushtrisë kanë mbërritur pranë banesës së familjes Hasanaj. Ministria e Mbrojtjes do të ndjekë të gjitha procedurat për mbërritjen e trupit të pajetë të Zarife Hasanajt, nëntetares që humbi jetën teksa çmontonte lëndë plasëse. Zarife Hasanaj jetonte me prindërit dhe vëllain.
Ora 13:09 - Basha: Zarifja, dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të NATO-s
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu ngushëllime për vdekjen në krye të detyrës të nëntetares Zarife Hasanaj, gjatë angazhimit në misionin e NATO-s në Letoni. Lutjet e tij shkojnë edhe për dy efektivët e plagosur.
"Me tronditje dhe dhimbje të thellë mësova lajmin tragjik për humbjen e jetës së efektives së Forcave tona të Armatosura Zarife Hasanaj gjatë angazhimit të saj në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni. Në këto momente të rënda mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe miqtë e Zarifes. Lutem po kështu për dy efektivët e tjerë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj që mbetën të plagosur të jenë larg rrezikut për jetën dhe të kenë trajtim dhe shërim të shpejtë. Me sakrificën e jetës së saj të re, Zarife Hasanaj është dëshmorja e dytë shqiptare e rënë në mision të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Lutem që shpirti i saj të prehet në paqe!", shkruan Basha.