Vijon protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit: Plotësoni kërkesat
Ora 09:49 - Studentët nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit
Pas mbledhjes fillimisht në orën 09:30 tek Rektorati në sheshin "Nënë Tereza" studentët kanë nisur marshimin në drejtim të Ministrisë së Arsimit për të vijuar protestën e tyre, që sot është në ditën e pestë.
Ora 10:00 - Protesta deri të hënën me grupe, të martën vijnë studentët nga rrethet
Sot, nesër dhe të hënën do të ketë marshim në grupe drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa të martën do të vijnë edhe nga rrethet për të vijuar tubimin para MASR. Në krahasim me ditët e mëparshme, sot numri i studentëve protestues duket më i vogël, pasi një pjesë e studentëve janë larguar drejt qyteteve të tyre sepse deri të hënën janë pushim.
Ora 11:35 – Studentët akuzojnë pedagogët që marrin lekë për provime, nxjerrin emra
Në ditën e pestë të tubimit studentët fillimisht ata kanë qëlluar me vezë Ministrinë e Arsimit sapo kanë mbërritur në rrugën e Durrësit para godinës së institucionit, ndërsa më pas kanë lexuar me megafon emrat e disa pedagogëve që sipas tyre kërkojnë ryshfet për provimet dhe për mungesat në universitet. Studentët akuzojnë me emra pedagogët në Universitetin e Tiranës, Gjirokastrës dhe të Elbasanit. Megjithatë gazetarët nuk kanë në dorë asnjë provë për të vërtetuar akuzat
Ora 11:54 - Nisin reshjet e shiut, studentët vijojnë protestën me çadra
Edhe pse kanë nisur reshjet e shiut, studentët vijojnë të qëndrojnë dhe të protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit.
Ata kërkojnë:
1. Përgjysmim të tarifës së studimit
2. Rritje në 50% të votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve
3. Në bordin e administrimit të shtohet përfaqësi e studentëve
4. Mbështetja e studentëve për kërkime shkencore
5. Mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde
6. Përmirësim i kushteve të konvikteve
7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë
8. Pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-2019
Ora 12:00 - PD dhe banorët e Unazës tentojnë t’i bashkohen protestës por studentët nuk i pranojnë: “Do bëjmë gardh”
E ndërsa po protestojnë para Ministrisë së Arsimit, studentët thonë se u ka ardhur një njoftim që PD dhe banorët e Unazës së Re do i bashkohen protestës. Studentët nuk í pranojnë ata në protestë, “do të bëjmë gardh për ti bllokuar, nuk i pranojmë këtu. Kjo është një protestë vetëm e studentëve, nuk lejojmë askënd që ka lidhje partiake, ky është qëndrimi ynë” shprehen ata. Për disa momente situata është tensionuar kur në Rrugën e Durrësit kanë arritur banorët e Unazës së Re, për të shmangur incidentet iu ngrit një kordon nga policia me efektivë të Forcave Shqiponja.
Ora 12:36 - Banorët e Unazës: Erdhëm si prindër! Studentët: Ju pranojmë po mbështetët kauzën tonë
Mes banorëve studentëve dhe banorëve të Unazës së Re ka pasur edhe një debat, pasi këta të fundit janë afruar te Rruga e Durrësit. Disa nga banorët janë shprehur se “Kemi ardhur si prindër këtu”. Por studentët kanë deklaruar se do të pranohen vetëm nëse janë pro kauzës së tyre dhe jo të protestojnë për çështjen e tyre. Banorët e Unazës së Re u larguan pas refuzimit që iu bë nga studentët.
Ora 12:36 - Banorët e Unazës: Erdhëm si prindër! Studentët: Ju pranojmë po mbështetët kauzën tonë
Mes banorëve studentëve dhe banorëve të Unazës së Re ka pasur edhe një debat, pasi këta të fundit janë afruar te Rruga e Durrësit. Disa nga banorët janë shprehur se “Kemi ardhur si prindër këtu”. Por studentët kanë deklaruar se do të pranohen vetëm nëse janë pro kauzës së tyre dhe jo të protestojnë për çështjen e tyre. Banorët e Unazës së Re u larguan pas refuzimit që iu bë nga studentët.
Ora 12:43 - Vajza e Azem Hajdarit: Gati të lë mandatin për t’iu bashkuar. Studentët: Nuk e duam në protestë
Deputetja e PD Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, u shpreh sot nga aktiviteti i organizuar në Qytetin Studenti në kuadër të Ditës së Rinisë se është gati që të lerë mandatin për t’iu bashkuar të studentëve që po protestojnë te Ministria e Arsimit.
"Sot dua t’i bëj një betim tim ati, t’iu bëj një betim të rinjve se jam gati të lë mandatit për t’iu bashkuar të rinjve. Nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, por për vëllezërit e mi, për vajzën time, për të çuar amanetin e babait tim deri në fund. Sheshi i demokracisë sot nuk është këtu, është te Ministria e Arsimit dhe ne sot duhet të shkojmë sot t’i bashkohemi studentëve”, deklaroi ajo.
Por studentët nuk e kanë pranuar. Ata janë shprehur se "Të mos vijë, pasi nuk e duam këtu". Studentët kanë paralajmëruar edhe më parë PD-në që të mos tentojë që t'i afrohet protestës së tyre.
Ora 13:03 - Studentët: Ftojmë maturantët të na bashkohen
Studentët deklarojnë se "Protesta nuk ka orar, ajo do të vijojë derisa të gjejmë zgjidhje. Presim të na bashkohen të gjithë maturantët. Kërkesat janë të pafundme, sa vijnë edhe shtohen. Në vijim do të shohim reagimin e ministrisë”, thonë ata.
Ora 13:05 - Pedagogu i Mjekësisë: Të rritën edhe rrogat tona, që të na motivojnë
Protestës ditës së sotme i është bashkuar edhe njëri nga pedagogët e Universitetit të Mjekësisë, Elges Eskiu. Përpos kërkesave të studentëve, ai kërkoi edhe paga më të larta për pedagogët. “Jam bashkuar protestës, pasi ka një mijë probleme arsimi shqiptar dhe duhet që kërkesat të jenë më të mëdha dhe presioni të jetë më i madh. Studentët nuk janë këtu vetëm për tarifat. Duhet të ketë rroga më të larta për pedagogët, që të jenë më të motivuar” tha ai.
Ora 13:05 - Pedagogu i Mjekësisë: Të rritën edhe rrogat tona, që të na motivojnë
Protestës ditës së sotme i është bashkuar edhe njëri nga pedagogët e Universitetit të Mjekësisë, Elges Eskiu. Përpos kërkesave të studentëve, ai kërkoi edhe paga më të larta për pedagogët. “Jam bashkuar protestës, pasi ka një mijë probleme arsimi shqiptar dhe duhet që kërkesat të jenë më të mëdha dhe presioni të jetë më i madh. Studentët nuk janë këtu vetëm për tarifat. Duhet të ketë rroga më të larta për pedagogët, që të jenë më të motivuar” tha ai.
Ora 13:22 - Ministrja Nikolla shkon të bisedojë mes turmës, studentët e qëllojnë me vezë dhe bidonë.
Situata është tensionuar për disa momente tek Ministria e Arsimit kur ministrja Nikolla ka dalë për të biseduar me studentët që protestojnë jashtë godinës. Ajo është pritur me thirrjet e brohoritje kundër saj ‘turp, turp, turp’ nga studentët ndërsa kanë hedhur drejt saj bidonë, vezë dhe letra. Në pamundësi për të biseduar me ta Nikolla e shoqëruar nga truprojat është futur sërish në Ministrinë e Arsimit. Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla kanë bërë thirrje për dialog, por studentët nuk pranojnë duke kërkuar plotësimin e të gjitha kërkesave.
Ora 15:19 - Reagon Nikolla: Dola por u refuzova, e pabesueshme që studentët s'duan dialog
Ministrja Lindita Nikolla ka reaguar në rrjetet sociale pas daljes dhe refuzimit për bisedime në protestën e studentëve përpara godinës së MASR. Përmes një statusi në Facebook, ajo ka komentuar reagimin e studentëve ndaj saj. Sipas ministres së Arsimit, ajo doli për të dialoguar për kërkesat që kanë shtruar këto ditë studentët, por këta të fundit, sikurse thotë ajo, në mënyrë të pabesueshme kanë vendosur të vazhdojnë protestën dhe të mos pranojnë komunikimin me të.
Ora 16:15 - Lindita Nikolla për Report Tv: Kërkesat të drejta, të ulemi dhe t'i kthejmë në rezultate
Ministrja e Arsimit Nikolla, në një lidhje telefonike për Report Tv i bëri thirrje studentëve që të pranojnë dialogun me qeverinë për kërkesat e tyre. Nikolla tha se kërkesat e sudentëve janë të drejta por ajo që nevojitet tashmë është ulja në tryezë për të biseduar dhe kthyer në rezultate. Ajo flet edhe për daljen e sotme nga Ministria e Arsimit pas thirrjes së studentëve për të qenë në shesh me ata dhe se si u prit nga protagonistët, të cilët siç thotë ministrja, nuk ishin gati të komunikonin dhe për rrjedhojë refuzuan. Megjithatë ajo shton se nuk mund të ketë komunikim në rrugë, ndërsa i fton studentët që të zgjedhin vendin dhe ajo do të jetë e pranishme kudo dhe kurdo për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe për të parashtruar rrugët e zgjidhjes.