Vritet në atentat në Elbasan avokati i Çapjave, Ravik Gurra

Ora 19:35 - Qëllohet me armë për vdekje avokati Ravik Gurra.

Persona të paidentifikuar qëlluan me armë për vdekje avokatin Ravik Gurra teksa ai ishte ulur në një lokal në Elbasan. 50-vjeçari ishte i shoqëruar në tavolinë me një zyrtar të Avokatit të Popullit i cili arriti të shpëtojë. Në foto, trupi i pajetë i Gurrës në lokalin ku u qëllua. Avokati u qëllua tre herë ndërsa pistoleta e përdorur ishte me silenciator.  

 

Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorëve. Ravik Gurra është një avokat i njohur, pasi ishte mbrojtës në cështjet ligjore të fisit Çapja dhe avokat i dytë në dosjen e Emiljano Shullazit.

Ora 07:58 - Policia e Shtetit komunikatë paraprake për ngjarjen
Elbasan - Informacion paraprak
Rreth orës 19:35, në një lokal në Elbasan, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi R.G., 50 vjeç, banues në Elbasan.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje si dhe po krehin zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po grumbullon e fikson çdo provë që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes.

Ora 20:09 - Avokati me shtetësi angleze, gazetari Qyno: Ju rrëfej takimin e fundit 

Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno rrëfen takimin e fundit me avokatin Ravik Gurra që u vra sonte në Elbasan, ndërsa shton se ishte shtetas anglez, pasi kishte marrë pasaportën pak vite më parë, ndërsa bënte një jetë mes Shqipërisë ku kishte familjen dhe Britanisë.

"Para një jave kam zhvilluar një takim me të, biseda e fundit që kam zhvilluar ka qenë për cështjen Shullazi, pasi ndodhet në Apel dhe diskutimi ka qenë mbi këtë temë. Diskutimi ka qenë nëse do të paraqitej atë ditë, në burgun ku qëndron Shullazi për strategjinë e mbrojtjes.

Jam shokuar edhe vetë kur dëgjova lajmin. Drejtësia ka dalë jashtë funksionit. Ai është shtetas anglez, ka pasaportë angleze. Është rikthyer në Shqipëri, pasi ka familjen. Bënte një jetë mes Anglisë dhe Shqipërisë",  tha Qyno.

Ora 20:12 - Digjet një makinë në Elbasan, dyshohet se lidhet me vrasjen e avokatit 

Pak minuta pas vrasjes së avokati Ravik Gurra, raportohet se një makinë po digjet në periferi të Elbasanit në fshatin Karakullak, pranë Bradasheshit. Makina që po digjet është tip Benz me targa AA 934 HU. Dyshohet që autorët menjëherë pas krimit janë larguar me këtë makinë.

Ora 20:20 - Ekspertë nga Tirana në drejtim të Elbasanit 

Shērbimet e Policisë kanē ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje si dhe po krehin zonēn ku dyshohet se janë larguar autorët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po grumbullon e fikson çdo provë që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes. Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policisë e Shtetit nga Tirana është nisur menjëherë në ndihmë të grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shpejtë të ngjarjes, njofton policia.

Ora 20:35 - RENEA dislokohet në Elbasan

Forcat speciale RENEA janë dislokuar në Elbasan rreth 1 orë pas vrasjes, ndërsa janë duke ushtruar kontrolle intensive për kapjen e autorëve.

Ora 20:43 - Dhoma e Avokatisë: Jemi të tronditur 
Kreu i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia shprehet i tronditur pas ngjarjes, ndërsa i kërkon policisë të vendosë para drejtësisë autorët.

"Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë,  nëpërmjet mediave u vu në dijeni të vrasjes me armë zjarri të Avokatit Ravik Gurra, anëtar i Dhomës të Avokatisë Tiranë, ajo e tronditur thellë nga kjo ngjarje, me shqetësim dhe indinjate të thellë ju kërkon organeve ligjzbatuese duke i dhëne përparësi gjetjes dhe vënies para përgjegjësisë të autoreve të kësaj vepre e cila vjen e bëhet çdo ditë më prezent në kërcenim të jetës dhe shëndetit ndaj avokateve, veprime që kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit sa të nderuar aq edhe fisnik të avokatit", deklaron Dhoma e Avokatisë

Ora 20:46 - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu niset drejt Elbasanit 

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka shkuar në Elbasan menjëherë pas lajmit për vrasjen e avokatit Ravik Gurra.

Ora 21:21 - Avokati nesër ikte për Angli (detajet)

Shqiptarja.com mëson se avokati Ravik Gurra kishte planifikuar që nesër të nisej për në Londër. Në Elbasan ai jetonte vetëm me nënën, pasi me gruan ishte divorcuar. Ndërkohë që dy prokurorët që kanë marrë në dorë zbardhjen e dosjes janë Enkeleda Millonai dhe Petref Asllani.

(22/03/2019)