Zbardhet kërkesa për arrestimin e Rexhep Rajas, masakroi Xhisielën në hotel për një SMS

Ora 12:00 - Kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit ndaj Rexhep Rajas

Një ditë pas arrestimit Report TV dhe Shqiptarja.com zbardhin kërkesën e Prokurorisë se Krujës për caktimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj djalit të deputetit të Fushë-Krujës Rrahman Rraja. 24-vjeçari  i akuzuar për përndjekjen e ish të dashurës 25-vjeçare Xhisiela Maloku. Më 29 shtator 2018 prokurorja Mirela Kapo firmosi kërkesën për arrestimin e tij ndërsa 6 ditë më parë, më 23 shtator Policia e Krujës i kishte përcjellë prokurorisë materialet. Në kërkesën e prokurorisë janë përmbledhur faktet e rrëfyera nga Xhisela që tregojnë se Rexhepi e ka përndjekur pas denoncimit të saj të parë.

Në dokument përfshihet një rast kur i riu e ka takuar vajzën në hotel dhe i ka thyer telefonin vetëm sepse i erdhi një SMS nga mikesha e saj për ta takuar. Në këtë rast Xhisiela e ka falur, por mes tyre ka pasur sërish grindje, sherr dhe dhunë që ishin kthyer në makth pa fund për 25-vjeçaren.

Pjesë nga kërkesa e prokurorisë
( 19.07.2018) “Sapo janë futur në dhomë personi i hetuar ka filluar të ushtroj dhunë duke e goditur me shkelma, i ka fikur cigaren në trup duke i thënë “trego ku do shkosh se do të vras..ketu”.Shkak për këtë është bërë një sms dërguar 25-vjeçares nga rrethi shoqëror i saj, konkretisht nga shtetasja S. Z.[2], këto kërcënime i hetuari i ka vazhduar për 15 minuta duke i thënë vajzës “nuk do të të vras, do të të plagos..dua të vuash e jo të vdesesh direkt..” .
"Atë ditë është ushtruar dhunë ndaj saj në vendin e quajtur hotel Boci..pavarësisht se ka qëndruar në hotel nuk ka kryer marrëdhenie seksuale me të hetuarin..
Vajza shprehet: Më pas dola unë e para dhe ai erdhi më pas duke më përqafuar dhe duke më bërë lajka…shqetësimet e mia ja kam shprehur edhe rrethit shoqëror…në fillim të vitit 2018 kemi bërë një deklaratë pranë inspektorit të zonës së Fushë Krujës se jam sqaruar me shtetasin Rexhep Rraja, kjo gjë ka ardhur si pasojë e një kontradite që kemi pasur.”

(20.07.2018) "Mu duk shumë i penduar dhe vendosa ti jap një mundësi tjetër…në një moment kur i thashë do shkoj në polici ai u friksua dhe me kërkoi të mos të bëja diçka të tillë…” - deklarimi i vajzës, në kërkesën e prokurorisë. 
"Nga një hetim i thelluar, rezulton se në fashikullin hetimor në datën 28.09.2018 është administruar një deklaratë pajtimi mes shtetaseve A. Maloku (motra e viktimës) , Xhisiela Malokut (viktima) dhe shtetasit të hetuar Rexhep Rraja. Në deklarim shprehet se palët kanë parakaluar me mjetet e tyre dhe gjatë një manovre të gabuar të mjetit janë konfliktuar por më pas çdo gjë është sqaruar. Kjo deklaratë rezulton të jëtë e fillim vitit 2017". - shkruhet në dokumentin e Prokurorisë

Ora 12:50 - Merret në mbrojte nga policia, Xhisiela Maloka për Report TV: Nuk ishte kërkesa ime, s’kam nevojë

Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje paraditen e sotme 25-vjeçaren Xhisiela Maloku. Vajza ndodhet me familjen në banesën e saj në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Vetë vajza ka konfirmuar për Report TV vendimin për t’u marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit, por ajo ka thënë se kjo gjë ka ndodhur pa kërkesën e saj, duke theksuar se nuk ka nevojë për mbrojtje.

“Jam marrë në mbrojtje pa kërkesën time. Nuk kam nevojë për të”. -ka thënë Xhisiela Maloku për Report TV.

 

Ora 13:15 - Deputeti Rraja reagon pas arrestimit të të birit: “Një baba s’mund të bëhet prokuror”

Deputeti i PS Rrahman Rraja përmes një statusi në Facebook ka reaguar për arrestimin e të birit një ditë më parë.  Ai deklaron prerë se kjo çështje s'ka lidhje me detyrën e tij si politikan dhe fton drejtësinë të hetojë deri në fund.

Sipas tij “Një baba s'mund të bëhet prokuror”. Deputeti Rraja distancohet nga çdo lloj kërcënimi apo presioni ndaj oficerit Nuhu për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të tij. Ai thotë gjithashtu se me familjen e Xhisielës, familja e tij ka marrëdhënie miqësore që nuk kanë për të ndryshuar.

Pak orë më parë, pas një takimi me kreun e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballën, Rexhep Rraja deklaroi publikisht se s'kishte ndërmend të largohej nga Partia Socialiste.

Ora 13:30 - Gazetari Elton Qyno zbulon alibinë e Rexhep Rrajës: Ajo më parakaloi me makinë, zbrita për t'u sqaruar

Arrestimi i Rexhep Rajas dhe rasti i dhunimit të Xhisiela Malokut është komentuar nga gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno. Në studion e lajmeve në Report Tv, Qyno ka thënë se procedura e marrjes në mbrojtje të Xhisiela Malokut, është një procedurë normale, që nuk varet nga dëshira ose jo e vajzës. Qyno ka folur edhe për provat e forta që e dërguan Rexhep Rrajën në burg. Qyno ka thënë se biseda mes dy të rinjve është përgjuar në prokurori. Gazetari Qyno ka thënë se Maloku thotë se konflikti ka nisur për shkak xhelozisë së vazhdueshme të Rrajës, ndërsa Rexhep Rraja, ka zgjedhur një tjetër alibi. Sipas gazetarit ai ka thënë se Rraja deklaroi në prokurori se sherri ka nisur për një parakalim të vajzës me makinë në muajin korrik në Qafë Shtamë, ndërkohë që ata të dy ishin ndarë që në maj.

PD: Rama i lehtësoi akuzën djalit të deputetit, ja sa do të dënohet

Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate nga deputetja Jorida Tabaku ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas deputetes Rexhep Rraja ‘e përdhunoi, e torturoi dhe e kërcënoi disa herë me armë vajzën’, por u arrestua me akuzën me të lehtë, atë të përndjekjes së Xhisiela Malokut.

Arrestimi për “Përndjekje”, thotë Tabaku, "është akuza më e lehtë për djalin përdhunues të deputetit, me të cilën ai ra dakord vetë që në 21 Korrik". Tabaku shton se pushteti i Edi Ramës i ka garantuar lehtësim të akuzës dhe ‘nëse shpallet fajtor, i biri i deputetit do të dalë nga qelia pas 6 muajsh’.

Ora 14:20 - 'Arrestim fasadë', kryeministri Rama u përgjigjet akuzave:  "Prurje e jashtënxjerrjes së PD"

Pas akuzave të PD se policia dhe prokuroria e arrestuan djalin e deputetit për fasadë, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai shkruan në Twitter se PD po prezanton 'jashtënxjerrjen politike' të radhës. Ndërsa shton se se Xhisiela Maloku është kthyer në mish për top për dëshpërimin e opozitës.

Ora 16:00 - Zbardhet dëshmia e djalit të deputetit: Nuk e kam dhunuar unë, Xhisiela mori hak

24-vjeçari Rexhep Raja ka kundërshtuar rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore duke mohuar dhunën ndaj 25-vjeçares Maloku.  Ai ka deklaruar se nuk mban armë zjarri dhe nuk e ka dhunuar vajzën, ndërsa pranon që kanë pasur një marrëdhënie për disa vite me të. Referuar rastit kur i riu e ka takuar në hotel vajzën, ai thotë se ka takimi ka qenë miqësor. Rraja ka thënë në prokurori se sherri ka nisur për një parakalim të vajzës me makinë në muajin korrik në Qafë Shtamë, ndërkohë që ishin ndarë. Sipas tij gjithçka është produkt i një sajese të ish të dashurës së tij, Xhisiela Maloku me qëllim që të hakmerret për lidhjen e saj të dashurisë.

(1/10/2018)