Zyrtari i BE në Tiranë: Opozita po minon integrimin, Qeveria dha rezultate për reformën
Ora 10:14 - Danielson takon anëtarët e KED: Reforma në drejtësi po ecën përpara, BE mbështet punën tuaj
Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit i nisi takimet në Tiranë me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, anëtare e të cilit është edhe kryeprokurorja Arta Marku.
"Kënaqësi që jam sërish në Tiranë. U takova me anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Përsërita mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për punën e tyre të pavarur dhe të paanshme. Implementimi i reformës në drejtësi po ecën përpara. kyç për rolin e ligjit në Shqipëri dhe për përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian", shkruan në rrjetin social Twitter, Danielson, teksa poston foto nga grupi i anëtarëve.
Ora 11:10 - Integrimi, Danielsson takon Ramën: Vijoni reformat, të jeni bindës përballë vendimit të qeshorit
Përmes një postimi në Twitter Christian Danielsson njoftoi se pati një bisedë të hapur me kryeministrin Rama teksa e takoi shefin e mazhorancës në zyrën e tij në Kryeministri.
“Shqipëria duhet të vazhdojë reformat në të gjitha fushat, në veçanti, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të për të bërë një paraqitje bindëse në qershor, kur shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë progresin e Shqipërisë", shkruan Danielsson teksa ka postuar foto nga takimi me kryeministrin Rama dhe disa prej ministrave.
Ora 12:02 - Basha: Do shembin gjithë sistemin 'Rama' me ndryshim të Kushtetutës
Kryetari i PD Basha në takimin me drejtorin për Politikat e Zgjerimit në BE, Christian Danielsson, i ka paraqitur atij një vizion të ri të opozitës, tashmë jo parlamentare. Nuk është më qëllim vetëm rrëzimi i kryeministrit Edi Rama, qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme.
Basha tha në një deklaratë për gazetarët pas takimit me zyrtarin e lartë, se duhet shembur i gjithë sistemi. Një vizion i ri që siç tha Basha do të diskutohet jo vetëm brenda opozitës, por edhe me qytetarët dhe me grupet e interesit. Me shembje të sistemit, Basha sqaroi se i referohet ndryshimit të Kushtetutës, dhe një reforme zgjedhore për të shmangur përfshirjen në politike të kriminelëve, edhe pse në Shqipëri tashmë është ligji i dekriminalizimit.
Ora 12:20 - Danielsson: Opozita po minon integrimin, Qeveria dha rezultate në reformën në drejtësi
Vendi i opozitës është në Parlament. Me këtë qëndrim drejtori i politikave për zgjerimin në BE, Christian Danielsson, mbajti të njëjtën linjë si të ndërkombëtarëve që janë shprehur edhe më herët, se djegia e mandateve nga opozita, minon procesin e integrimit.
Në një konferencë për mediat pas takimeve të veçanta me kryeministrin Rama, liderin e opozitës Basha dhe aleatët, Danielsson tha se nxitja e dhunës në protesta është shqetësim i madh për BE-në.
Ai tha edhe se Shqipëria ka dhënë rezultate në proceset kyçe për integrimin, veçanërisht në reformën në drejtësi, me vettingun dhe krijimin e institucioneve të reja në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ora 12:25 - Danielsson: Nuk pashë shenja se do ketë dialog për zgjidhjen e krizës politike
Drejtori i zgjerimit në BE Danielsson gjatë konferencës për shtyp shtoi se nuk pa ndonjë shenjë që mes palëve politike të shkohet drejt zgjidhjes së krizës politike, përmes dialogut.
"Bojkotimi i parlamenti nuk është në përputhje me demokracinë. Nuk dëgjova ndonjë lëvizje që mund t'i çojë ata drejt dialogut", u përgjigj Danielsson pyetjes nga gazetarët nëse sheh ndonjë sinjal pozitiv se opozita do të shkojë në Parlament.
Ora 13:21 - Danielsson: Nxitja e dhunës në protesta e papranueshme për BE-në
Edhe takimin që mbajti me opozitën shqiptare, zyrtari i lartë i BE-së Christian Danielsson e shfaqi në rrjetin social, duke postuar foto nga takimi mbajtur pa praninë e mediave. Ashtu siç u shpreh më tej edhe në konferencën për mediat, drejtori për politikat e Zgjerimit në BE, tha se vendi i opozitës është në Parlament dhe se nxitja e veprimeve të dhunshme në protestë është e papranueshme për Bashkimin Evropian.