Zyrtarizohet puna për aktivizimin e Bazës së Kuçovës, Gjenerali amerikan i NATO në Tiranë

Ora 10:40 - Ceremonia e pritjes së Gjeneral Tod Wolters

I shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Bardhyl Kollçaku, Komandanti i Forcave Ajrore Amerikane në Europë Gjeneral Tod Wolters u prit me ceremoni nderimi në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. 

Ora 10:57 - Avionët luftarak të NATO-s fluturim mbi Tiranë

5 avionë luftarakë të NATO-s të nisur, përkatësisht tre F-16 nga Greqia dhe dy avionë Eurofighter të nisur nga Italia fluturuan mbi Tiranë pas përfundimit të ceremonisë së pritjes së gjeneral Tod Wolters. Në formacione dy e nga dy, fluturimet u kryen mbi Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa një avion F-16 qëndroi i ndarë në distancë nga dy avionët e tjerë luftarakë, në pozicion vëzhgimi teksa 4 avionët e tjerë fluturonin ulët. 
 


(Avioni i 5-të)

 

Ora 12:05 - Ministrja Xhaçka: Investimi i NATO-s në Kuçovë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare e rajonale 

Në konferencë për shtyp pas takimit tetë a tetë me gjeneral Wolters  ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka foli në lidhje me angazhimin e Shqipërisë në aleancën e Atlantikut të Veriut.

 

"Baza Ajrore e Kuçovës do të jetë së shpejti një bazë e NATO-s. Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj. Investimi i NATO-s në Kuçovë është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë kombëtare por edhe atë rajonale. Brenda pak muajsh do jetë gati master-plani nga Agjencia e NATO-s për Prokurimet dhe Mbështetjen – NSP. Master-plani i hap rrugë fillimit të punimeve në terren”. tha Xhaçka.

Ora 12:15 - 'Baza në Kuçovë' Gjeneral Wolters: Forcat shqiptare investojnë fuqishëm në NATO, privilegj bashkëpunimi me ju

Në konferencë për shtyp së bashku me ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë ishte edhe gjenerali i NATO-s, Tod Wolters. Në fjalën e tij, ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

 

"Forcat e armatosura shqiptare i japin një investim të fuqishëm NATO-s. Paqja që transmetoni ju është e mrekullueshme për Aleancën. Privilegj absolut që avionët e NATO-s të nderonin përkushtimin tuaj. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me ju," - u shpreh gjenerali i NATO-s.

Ora 12:18 - Gjenerali i NATO-s tregon arsyet përse zgjodhëm bazën ajrore të Kuçovës

Gjatë konferencës për shtyp, gjenerali i NATO-s, Tod Wolters ka folur edhe lidhur me arsyen se përse në Ballkan u zgjodh baza ajrore e Kuçovës.

 

“Unë do të flas për Shqipërinë në lidhje me Kuçovën. Kemi një fushë të pozicionuar në një vend shumë strategjik. Ka kushte atmosferike shumë të mira ku edhe mund të ulen shumë lehtësisht avionët,”- tha gjenerali.

Ora 12:40 – Kushtet e motit, anulon fluturimin mbi Tiranë avioni special i NATO

Ditën e djeshme, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka lajmëroi se në qiellin e Tiranës do të fluturonin disa avionë të NATO-s, mes tyre edhe “AWACS” (Avioni i veçantë i NATO-s me sistem radari në bord). Ky avion do të vinte nga Gjermani dhe do të fluturonte mbi Tiranë por për shkak të motit të keq me akull  ardhja e tij nuk u bë e mundur. Edhe pse ekipi atje u përpoq të nisej kushtet atmosferike e bënin të pamundur, ndërsa në Tiranë fillimisht u dha sinjali se avioni do të vonohej  rreth 1 orë e 30 minuta. Por pas u dha njoftimi se fluturimi u anulua. 

Përgatiti: Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com (24/01/2019)