Për të shtatën ditë me radhë, qytetarët protestuan kundër rritjes së çmimeve, ndonëse numri i qytetarëve që i bashkohen duket se është çdo ditë e më i vogël.

Në Tiranë një grup qytetarësh u mblodhën në orën 17:00 në Sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt kryeministrisë, ku protestuan për rreth 1 orë e gjysmë.

Me pankarta në duar, ata kërkuan uljen e çmimeve të produkteve të shportës dhe të çmimit të naftës, ndërsa masat e marra nga qeveria i konsideruan të pamjaftueshme.

“Jemi bashkuar edhe ditëve të tjera. Tarifat janë të larta, transporti ka rritur çmimin e biletave, janë një grumbull gjërash që ndikojnë tek studentët. Nafta duhet të ulet edhe më shumë", tha një studente.

"Për të njëjtën arsye i jam bashkuar protestës. Nëse kjo barrë bie mbi prindërit tanë, bie edhe tek ne. Janë rritur ushqimet”, u shpreh një tjetër.

“Kam ardhur çdo ditë. Kërkojmë ulje e çmimeve, është ulur nafta, por çmimi i ushqimeve vijon të rritet. Protestat do vazhdojnë derisa çmimet të ulen”, tha një protestuese.

Një numër i pakët qytetarësh protestuan për pak minuta edhe në Dibër, ndërsa në Shkodër, tubimi i qytetarëve dështoi për shkak të përfshirjes së politikës, konkretisht përfaqësuesve të Shtëpisë së Lirisë.

Protestuesit kanë listuar edhe një numër kërkesash, ku tre shtyllat kryesore janë ulje e Barrës Fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim të tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël.

Kërkesat e protestuesve:

Ulje e qëndrueshme e çmimit të karburantin në nivelet e rajonit. Përafrimi çmimeve me vendet fqinje kufitare për një ekonomi performante dhe të krahasueshme, dhe respektimin e të drejtës themelore për jetën në respekt të të gjithë nevojave të shtresave vulnerabël dhe atyre në nevojë.

A. Masa per uljen e barrës fiskale dhe përcaktimit të marxhit të fitimit për përballimin e krizës dhe garantimin e qëndrueshmërisë së çmimeve:

1. Marrje e masave në formë të alternuar si: pezullim i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, me qëllim afrimin e çmimit të karburantit me vendet e rajonit.

2. Zerim i përkohshëm i TVSH-së produkteve të shportës (dhe ulja në masen 10% në vijim) dhe mbikqyrje e periodike

rigoroze e tregut për reflektimin përkatës në çmime.

3. Përcaktimi i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.

B. Masa për mirefunksionin e tregut dhe në mbështetje të fondit për përballimin e krizës:

4. Pezullim i përkohshëm i a) Koncesionit të Markimit, b) Koncesionit të Skanimit dhe c) Koncesionit të Kontrollit të Pompave (bazuar në klauzolën "force major në kontratën përkatëse dhe në mbrojtje të interesave publike), si dhe

hetim e mbikqyrje ne vijimesi e operatoreve ekonomike te importit dhe tregtimit me shumice që ndikojnë arbitrarisht

në rritjen e çmimit të naftës, me qëllim pezullimin e perkohshem apo anullimin e tyre në favor të interesit publik.

5. Mbikqyrje dhe raportim periodik tremujor ne Kuvendin e Shqiperise nga Autoriteti i Konkurrencës së të gjithë perqendrimeve në treg dhe transparencë e plotë e zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomike sektoriale që vitin e mëparshëm kanë zotëruar/zoterojne mbi 25% të vlerës në sektorin përkatës, nga institucionet përgjegjëse.

6. Rishikim i buxhetit te shtetit për vitin 2022 për shkurtimin e shpenzimeve operative dhe të luksit të administratës shtetërore.

7. Krijim me prioritet në kohë i një kompanie publike që të konkurojë në tregun privat të naftës dhe burime parësore të energjisë me perspektive investimin në prodhim.

C. Masa mbështetëse dhe subvencionime:

• Përcaktimi dhe publikimi i përvitshem i minimumit jetik si baze për mbështetjen financiare të shtresave në nevojë, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike. Rekomandohet barazimi i pensioneve të pjesëshme me minimumin jetik. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

Përmbledhje në Pika:

Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazé Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun. .

Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve. Pakete reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës

dhe përcaktim i minimumit jetik. Hetim e mbikqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.

Tre shtyllat kryesore të propozimeve:

Ulje e Barrès Fiskale

Hetim dhe mbikqyrje për mirëfunksionim të tregut

Mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël.

Kërkesat e protestuesve

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:48
FOTO/ Ja sa protestues janë ngritur sot në Tiranë kundër rritjes së çmimeve

Ka vijuar edhe sot protesta e nisur kundër rritjes së çmimeve, ku, sikurse mund të shihet edhe në foto, një grup i vogël qytetarësh janë mbledhur para kryeministrisë.

Ora 17:22
Rritja e çmimeve, nis protesta në Dibër, qytetarë të paktë në numër

Protesta për të kundërshtuar rritjen e çmimeve po zhvillohet edhe në qytetin e Dibrës. Qytetarët janë mbledhur në bulevardin ‘Elez Isufi’, ndërsa vihet re se numri i qytetarëve është i ulët.