1 Maji në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, u shënua me përleshje mes demonstruesve antiqeveritarë e forcave të sigurisë dhe me ndalimin e dhjetëra pjesëmarrësve në tubimin e mbajtur në sheshin “Taksim”.
Për ruajtjen e rendit, autoritetet angazhuan plot 30 000 policë. Sheshi “Taksim” është kthyer në vendin e kremtimeve të Ditës së Punëtorëve që prej vitit 1977, kur dhjetëra vetë u vranë gjatë protestave të njohura që prej atëherë si “1 maji i përgjakshëm”. Më shumë se 200 persona u ndaluan nga policia në të gjithë vendin.
[gallery]22050[/gallery]
Nga ana tjetër edhe Franca është blinduar nga forcat e shumta të sigurisë pasi pritet që punëtorët dhe protestuesit të përdorin marshimet e 1 majit për të kundërshtuar kandidaten presidenciale të ekstremit të djathtë Le Pen.
Sic e do edhe tradita në Itali këtë të hënë janë zhvilluar manifestime të ndryshme. Në sheshin San Giovanni në Romë zhvillohet një koncert, ndërsa në Palermo u zhvillua një manifestim me udhëheqës të sindikatave.
I pranishëm në event ishte dhe presidenti Mattarella i cili u shpreh se puna është një prioritet dhe se nuk është e pranueshme që të rinjtë të përjashtohen.
Në Tajvan, dita e 1 Majit erdhi me një marshim proteste.
Mijëra vetë zbritën në rrugët e Taipeit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me politikat e punës që po ndjek qeveria aktuale. Imitues të veshur si Presidentja Tsai Ing-ëen, politikanë të tjerë e liderë të biznesit, u qëlluan me tofu, një ushqim i përgatitur nga qumështi i mpiksur i sojës.
Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.
Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte ne orarin e punës, në 8 orë.
Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois .
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
