1 Maji, punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

1 Maji, punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

Protesta në Prishtinë

Punëtorë e aktivistë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Prishtinë me kërkesa për përmirësim të kushteve të punës. Në marshin e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), pjesëmarrësit u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë me pankarta të shumta.

“Duam dialog për realizimin e kërkesave tona”, “Kërkojmë të ngrihet vlera e koeficientit” e “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” ishin disa nga mesazhet të shfaqura nëpër pankarta.

Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro. Vitin e kaluar, vlera e koeficientit ishte 105 euro, por aktivistë të shumtë kanë kërkuar që kjo vlerë të rritet më shumë për shkak të rritjes së çmimeve.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe nisja e luftës në Ukrainë, çmimet e shumë artikujve dhe shërbimeve janë rritur dukshëm. Punëtorët në Kosovë kanë pagë mesatare prej 520 eurosh dhe minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë, me rreth 300 mijë të punësuar. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 ka qenë 473 euro.

Ky sektor vazhdimisht ka pasur kritika për trajtim joadekuat të punëtorëve, madje në kundërshtim me Ligjin e punës.

Që nga viti i kaluar, ky sektor është duke u ballafaquar me mungesë të punëtorëve – disa janë në kërkim të kushteve më të favorshme dhe po lëvizin nga një kompani në tjetrën brenda Kosovës, ndërsa disa po kërkojnë punë në vende të BE-së.

Sipas ASK-së, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e cila shënohet më 1 maj, shfrytëzohet në shumë vende si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj