Zyrtarisht ILDKPKI, fillon kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Z. Alfred Peza.
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Këto hapa vijnë nisur nga njoftimet e mediave në lidhje me blerjen e aksioneve në bankën Credins nga bashkëshortja e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Alfred Peza, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë, Inspektori i Përgjithshëm.
Kontrolli bëhet bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza.
Mësohet se objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.
Ndërkaq Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke ju garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së.
Peza: Mirëpres hetimin, ILDKPI me kaq seriozitet dhe per deputetet e tjere
Pas publikimit të lajmit se ILDKPI do të nis një hetim mbi pasurinë e deputetit Socialist, menjëherë ka reaguar ky i fundit. Peza është shprehur se mirëpret vendimin e ILDKPI për kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ mbi pasurinë e familjes së tij.
"Unë dhe bashkëshortja ime, jemi të hapur dhe do të qëndrojmë 24 ore/ 24 në dispozicion te ILDKPI për të bashkëpunuar në sqarimin dhe përfundimin e plotë të kontrollit dhe hetimit të sapo nisur", shkruan Peza.
Gjithashtu në reagimin e tij, Peza shkruan se inkurajon këtë institucion që t'i shkojë deri në fund me shpejtësi, paanësi dhe profesionalizëm këtij hetimi si dhe nxit ILDKPI që me të njëjtën ndjeshmëri të hetojë të gjithë zyrtarët te lart të Kuvendit.
"Nxis institucionin që me të njëjtën ndjeshmëri dhe seriozitet të hetojë këdo nga të zgjedhurit e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhurit lokalë dhe persona të tjerë subjekt i hetimit nga ana e këtij institucioni, sot e në vazhdimësi, për të cilët ka pasur, ka apo do të ketë indicie të njëjtë apo të ngjashme", deklaron Peza.
Cilat janë pasuritë e Deputetit Alfred Peza që nga viti 2013
Në vitin 2013, kur është zgjedhur edhe deputet i Kuvendit, Alfred Peza ka deklaruar dy llogari në bankat tregtare, përkatësisht 350 lekë dhe 271 mijë lekë. Po këtë vit, bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, ka deklaruar një depozitë bankare prej 95.7 milionë lekësh. Burimi i krijimit, sipas deklaratës së Pezës, janë kursime të bashkëshortëve në vite.
Interesat bankare të bashkëshortes gjatë vitit 2014 deklarohen në vlerën 13.2 milionë lekë, ndërkohë që depozita bankare e saj për këtë vit arrin në vlerën e 97.7 milionë lekëve.
Në vitin 2013, bashkëshortja e deputetit ka pasur dhe një llogari prej 4 milionë lekësh. Me marrjen e detyrës se Deputetit, Alfred Peza ka deklaruar një Apartament Banimi me sipërfaqe banimi 198m2, plus 48m2 veranda, Bulevardi Gjergj Fishta Tiranë, blerë në vitin 2004. Po ashtu në këtë vit në pronësinë e tij rezulton edhe një Apartament banimi me sipërfaqe 86m2, me adresë fshati turistik Agikons, Pishat e Buta, blerë në vitin 2007.
Peza: I kemi kursyer
Deputeti socialist, ish-gazetari Alfred Peza, reagoi pak dite me pare në Facebook për lajmet e publikuara në media lidhur me aksionet e bashkëshortes së tij, Mirela Ndini, në Credins Bank me vlerë prej 1.13 miliardë lekë të vjetra. Ai shkruan se paratë e investuara në bankë janë siguruar nga kursimet e të dyve.