1 Qershori, festa e fëmijëve
të rritur që duan ende lodra

1 Qershori, festa e fëmijëve<br />të rritur që duan ende lodra
Një gazetare ndryshe nga ç'jemi mësuar t'i shikojmë ata. Denisa Kona tregon për pasionin e saj që e mban të lidhur me fëmijërinë

Jeton çdo ditë me fëmijërinë e saj. Ajo ka ndërtuar një strehë të përhershme ku koha nuk hyn dot. Një teatër jetësor, tjetër nga ky që luhet çdo ditë para syve tanë. Një botë metafizike: Botën e lodrave. Denisa e jeton këtë botë me një pasion të çuditshëm, të ndryshëm nga gazetaria dhe nga të tjera pasione të saj.
"Shpesh, me kureshtje pyes fëmijë në mosha të ndryshme, se kur kanë luajtur për herë të fundit me një lodër dhe dëgjoj me keqardhje se aty rreth moshës 7-vjeçare pushojnë së luajturi si fëmijë",- thotë Denisa. Për të, të luash do të thotë shumë gjëra njëherësh: Do të thotë të rritesh, të sendërtosh realitete të tjera më të mira se ai që ekziston, të arrish të pamundurën. Mbi të gjitha është katarsis shpirtëror.

Kjo dashuri ishte një rizbulim që i ndodhi 7 vite më parë, kur nisi të blinte lodra për nipin e saj të parë të porsalindur. Dalëngadalë vuri re se blerja e lodrave u kthye në një argëtim edhe për atë vetë. Madje, pikasi se kjo ishte një botë e munguar për të, por shumë e dëshiruar. "Nga fëmijëria ime nuk mbaja mend asnjë lodër për të qenë. Ishte kohë krize, - kujton ajo. -Me kukulla nuk kisha luajtur asnjëherë, ndoshta ngaqë nuk kisha patur ndonjë kukull që të lëvizte sytë, duart, këmbët, të kishte garderobë, krevat, shtëpi, ballkon me lule, tryezë kuzhine e sobë. Një herë kujtoj që prindërve u ra në pako një revolver, edhe ai statik (e ç'mund të bësh me një send të thatë!), ndërsa lodra më e bukur që e ruaj ende është një telefon që më ra në pakon e Mbrëmjes Qendrore të Nxënësve….
Fëmijëria ime ishte një përçapje e vazhdueshme për të plotësuar boshllëkun e argëtimeve që mungonin. Kujtoj se si përpiqesha të sajoja lodra vetë dhe isha vazhdimisht në kërkim. Edhe pasi shoqet e mia shkonin në shtëpi, unë vazhdoja të luaja për të "shpikur" të rejat për të nesërmen. Ishin lojëra dinamike, teatrore, figura cirku, prosta, gurmaç, letra, "mos u nxeh"… variante më të ndërlikuara se ato që njiheshin, por që shpejt bëheshin pronë e të gjithë fëmijëve të lagjes. Pas vitesh, kur shihja vëllezër e motra më të vogla të shoqeve të fëmijërisë, të luanin "shpikjet" e mia, vija buzën në gaz. Ishte një kënaqësi që mund ta njohin disa njerëz.

Kënaqësia e krijimit
Ndonjëherë hidhet nga krevati përpjetë me një ide të re, që nuk e kishte bërë më parë. "Më pëlqen se ka variacione të pafundme, -thotë kolegia jonë.- Këto lloj lojërash të bëjnë të ndihesh pak si shkencëtare, pak si artiste, domethënë tamam karakteristikat e hulumtimit fëminor. Zbavitja shtohet bashkë me shkallën e vështirësisë, pasi janë lodra pa skema orientuese, janë blerë pjesë- pjesë hedhur rrëmujshëm në tregun e gabit, pjesëza pa emër, të cilave duhet t'u gjeje ose ricaktoje funksione. Por pjesën më të madhe të këtyre rraqeve i kam marrë me karrocën e romëve për t'i sjellë në shtëpi. Ishin dy kuti shumë të mëdha. E t'ju them të drejtën, personazh surreal më dukej vetja e hipur në një karrocë kuajsh".

Do jem konstruktore lodrash në një vend industrial!
Ferma, kështjellat, qyteti i bletëve, qyteti i lodrave, qyteti i trenave… Denisa tregon se preferon pikërisht këto lodra që përbëhen nga qindra e qindra detaje dhe që me të cilat mund të ndërtosh ansamble. Fantazia e kapërcen gjithnjë realizimin. Me mendje kërkon të tjera funksione, po të kishte mundësi do t'u sugjeronte fabrikuesve të këtyre seteve firmato, gjëra të reja. Sikur të kishte lindur në një vend tjetër, ndoshta ajo mund të ishte bërë një konstruktore lodrash. "Do të merrja njëherësh dy kënaqësi: kënaqësinë e vetë procesit të krijimit dhe kënaqësinë e zbavitjes së fëmijëve…. 18 vjeçe, sapo kisha nisur jetën studentore. Ju duket e çuditshme po t'ju them se krahas përfytyrimeve për dashurinë, kisha edhe të tjera përfytyrime? Në atë kohë fantazoja skulptura druri dhe objektet ishin tre: Kali, pema dhe trupi i njeriut. Befasia ime ishin fjalët e një të njohuri skulptor që tha se këto ishin objektet estetike të artit, tri linjat e bukurisë. Mirëpo kali…. pema… arushi…. atavizmat më çonin mendjen në një botë përrallash. Figurat e përrallave të revistave të dikurshme, nisa t'i ndërtoj me mendje tredimensionalisht. Gjeja vështirësi në realizimin teknik si përshembull, çfarë duhet të kishte çikriku të kalonte në pemë, si t'i bëja të lëvizshme degët dhe çatinë prej kashte sikur fryn era, me çfarë materiali ta bëja lumin dhe ku t'ia bëja burimin etj. Por këto mbetën fantazi në erë…fantazi boshe por sport për mendjen.

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

Pagat e mësuesve në institucionet arsimore, sa rriten për secilën kategori

Pagat e mësuesve në institucionet arsimore, sa rriten për secilën kategori